Disa njerëz kanë mësuar ca lutje përmendësh pa u thelluar të kuptojnë fjalët e asaj lutjeje, aq më pak, a është lutje profetike apo jo.
Në disa lutje të formuluara nga adhurues të ndryshëm nëpër histori, gjithmonë në fund të lutjes që ia drejtojnë Allahut, shtojnë edhe fjalët: BI HURMETI NEBIJJIKE (për hir, nder apo meritë të Pejgamberit tënd).
Këtë shtesë dijetarët e kanë vlerësuar si shteg drejt shirkut, prandaj e kanë ndaluar me qëllim të mbylljes së shtigjeve (Seddu Dheraië).
Në këtë çështje, dijetarët hanefi ishin më të qartët dhe më të rreptit.
Ja çfarë thonë ata:

Dijetari el-Haskefi në librin ed-Durul Muhtar (5/715) ka thënë:
“Në librin Taterhanije i atribuohet Muntekiut nga Ebu Jusufi dhe Ebu Hanife se nuk i përket askujt që t’i lutet Allahut përveçse me Të. Lutja e lejuar është ajo që u urdhërua, pra, ajo që e mësuam nga ajeti: (Allahu ka emrat e bukur, luteni me to)”.

Dijetari el-Kasani në librin Bedaiu Sanaië (5/126) ka thënë:
“Urrehet që njeriu në duanë e tij të shprehet: Të lus me meritën e profetëve dhe të dërguarve Tu dhe me meritën e filanit, sepse askush nuk gëzon meritë kundrejt Allahut të lartësuar dhe madhëruar”.
I njëjti tekst gjendet edhe në librin Tebjinul Hakaik sherh Kenzi Dekaik (6/31) të dijetarit ez-Zejlei, tekst të cilin ia atribuon atyre treve, pra, Ebu Hanifes, Ebu Jusufit dhe Muhamed ibn Hasenit. Po ashtu gjendet edhe në libra tjerë të medhhebit hanefi.

Sejid Numan Hajrudin el-Alusi el-Hanefi në librin Xhelaul Ajnejn (516-517) ka thënë:
“Në të gjitha shkrimet (e dijetarëve) qëndron se fjala e lutësit me tevessul: ‘me meritën (bi hakki) e pejgamberëve, evlijave, me meritën e Shtëpisë së Shenjtë apo të Muzdelifes’ është mekruh, mekruh tehrimen. Për sa i përket ndëshkimit me Zjarr, ky lloj mekruhu është njëjtë sikur harami – sipas imam Muhamedit. Këtë ndalesë e arsyetuan me fjalën: asnjë krijesë nuk gëzon ndonjë meritë apo të drejtë te Krijuesi”.