Në qoftë se shqyrtimet tona janë të sakta, atëherë dy janë llojet e besëtytnive:

a). kur shkenca përpiqet të shpjegojë botën e brendshme të njeriut dhe

b). kur religjioni përpiqet të shpjegojë dukuritë natyrore.

Alija Izetbegoviç

Libri “Leximi kritik i tekstit”, me ese dhe punime të sjella në shqip nga Gëzim Selaci dhe Abdulla Rexhepi, meriton vëmendjen e secilit që merret me shpjegimin e fesë. Jo se ky libër ndihmon në të shpjeguarit që synojmë, porse ndihmon në kuptimin e kontekstit në të cilin gjendemi ose me të cilin përballemi. Ndonëse ai kontekst i nderë ndoshta haset vetëm te një shtresë e caktuar dhe te një numër i vogël, shkujdesi ndaj asaj dukurie do të ishte në të keqen e muslimanëve, në të ardhmen.

Pëveç disa përmbledhjeve interesante dhe shqipërimit të këndshëm, në këtë libër nuk gjeta shumë gjëra të tjera për t’i lëvduar.

Duke u thirrur në rimendim të Kuranit dhe hermeneutikë moderne, redaktorët e librit kishin tubuar në një libër autorë, të cilët moton e veprimit e kishin: „Kundërshto dhe shfaqu“. Këtë shprehimisht e thotë Mustafa Malekian (fq 495): „Në qoftë se ju do të thoshit diçka që e pranojnë dhe bien dakord të gjithë, atëherë ai nuk është mendim i juaji.“ Sipas tij, kuptoj se nuk ka rëndësi se çfarë thua, porse ajo që thua, duhet të jetë jotja.

Megjithëse Kurani që në vargjet e para thotë: „Ai është Libri, në të cilin nuk ka fije dyshimi“ (2:2), Muhamed Arkouni e konsideron problem faktin se pse myslimanët e lexojnë Kuranin pa iu shkuar ndërmend dyshime rreth vërtetësisë së tij. Ai pretendon se komentaret e dijetarëve islamë nuk i sollën besimtarit besim por vetëm ligje e statute. Mohon se mund të ekzistojnë shoqëri islame të mirëfillta dhe gjatë gjithë kohës nuk harron të referojë në publikimet e tij personale.

Al-Jabiri dëshmon qartas njohuritë e tij mbi shkencat islame, sidomos fikhun dhe usuli-fikhun, mirëpo nuk ngurron për të akuzuar kalifatin abasid se kishte qëllim të ngjallte xhahilijetin paraislam në mesin e myslimanëve dhe arabizimin e Islamit. Imam Shafiun e konsideron si njeri që kërkonte t’ia impononte mendimin e tij çdo myslimani, vetëm për faktin se shkroi dhe foli për rregulla. Madje, redaktori (A.R. fq. 131) konstaton se gjuha e beduinit, pra, mendimi i tij arriti të jetë kriter i Arsyes Arabe-Islame në përgjithësi.

Të gjithë autorët, qe besa edhe redaktorët e librit, thonë se qëllim kanë gjurmimin e gjenealogjisë së doktrinave fetare dhe rolin e tyre në formimin e qenies njerëzore por në fakt përveç hedhjes dyshime dhe mohimit të gjërave themelore islame nuk bie në sy diç tjetër. Në rregull, secili le të përdor metodat e veta për të thënë diçka, pra, le të sjellin produktin e tyre siç e mendojnë, që të kemi mundësi të japim vlerësim se çfarë do sjellin! Nëse guxoj të vërej „produktin“ e tyre, së paku në këtë libër, do të veçoja: feja dhe logjika nuk bëjnë bashkë, islami është fe e arabëve, dijetarët islamë janë simboli i dekadencës kulturore, Kurani është një libër si çdo libër tjetër, Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, qenka qenë një karrierist që „me sukses vallëzoi mes Zotit dhe myslimanëve“… si dhe shumë blasfemi të tjera për të kulmuar edhe me mohimin e ekzistimit të Allahut dhe fyerjen e Tij (fq. 492, 602), „sepse bindjet intelektuale që mendimtari ka formuar në baza të qarta shkencore nuk e lejojnë të besojë në ekzistencën e Zotit pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe pa e tradhtuar koherencën e logjikës dhe mendimit të tij“.

„Produkti“ i tyre vazhdon të mbajë petkun e hermeneutikës dhe shkencës duke përbaltur shumëçka islame, pa bërë ndonjë dallim mes myslimanëve dhe dijetarëve të tyre, si dhe pa bërë dallim mes dijetarëve të drejtimeve dhe medhhebeve të ndryshme që kultivojnë. “Produkti” i tyre është sulm ndaj të gjithë muslimanëve dhe Islamit, pa dallim dhe pa pardon.

Këto ishin përshtypjet e mia nga ky libër dhe po shkruaj sa për të shpërfaq poshtërsinë e përmbajtjes së këtij libri. Personalisht dhe momentalisht nuk mendoj se kam vullnet të merrem me kundërpërgjigje ndaj këtij libri. Do të ishte mirë që Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë të porosisin Institucionet e tyre Shkencore të merren me kundërpërgjigje adekuate (lexo: adekuate, jo deklarata), në mënyrë që të shlyjnë borxhin e tyre përpara lexuesit shqiptar, i cili mund të mendojë se dijetarët e Islamit jo që kanë vdekur, por nuk paskan ekzistuar fare madje.

Sidoqoftë, Islami është i garantuar se do ekzistojë si fe, pa iu lëkundur thelbet fare, por qëllimin e kam të japim kontributin e duhur për ta ruajtur vetveten tonë si myslimanë.