A ka logjikë t’i thuhet dikujt:
– Urime për kancerin!
– Urime për dështimin në biznes!
– Urime për vdekjen e nënës!
– Urime për abortin!

Nëse të gjithë pajtohemi se këto “urime” nuk i thotë njeriu i mençur, atëherë si ka mundësi t’i urojmë njerëzit për diçka që ne, uruesit, besojmë se është e gabuar?!
Në asi rasti, ose nuk kemi të qartë se çfarë besojmë ose urojmë sipërfaqësisht e jo me zemër. E para do ishte më e keqja kurse e dyta shumë keq.
Në bazë të kësaj që thashë duhet të konkludoj se përderisa besoj që dikush ndjek një rrugë të gabuar, nuk ma thote zemra që vëllezërve dhe motrave nga gjaku a prejardhja t’u uroj për rrugëtimin që po bëjnë drejt të pavërtetës. Në atë rast, më e logjikshme do ishte t’i ngushëlloja.
Në rregull vëlla e motër njeri, shqiptar apo jo, ti je i lirë të zgjedhësh çfarë të duash dhe unë si musliman s’kam të drejtë ta kontestoj atë liri, por kurrë nuk do të të uroj për zgjedhjen e asaj që unë e mendoj të rrezikshme për logjikën, jetën e shkurtër dhe jetën e amshueshme; por nëse ma lejon sinqerisht do të debatoj, dhe nëse nuk arrijmë t’i pajtojmë mendimet së paku u sqaruam se “ju keni fenë tuaj e unë kam fenë time”.