Që prej disa kohësh analizoja në vete një çështje, e të cilën sot ma riaktivizoi një mik imi, i cili me shqetësim parashtroi këtë pyetje: Unë kur dua të dal të shëtis me shoqen time, kam dëshirë që ajo të mbajë aromë të mirë, mirëpo kam frikë nga ky hadith: „Çdo grua që parfumohet e pastaj kalon pranë një grupi njerëzish (të ulur) është lavire“; si thua?

Kjo më shtyri që të sjell këtë tekst modest lidhur me këtë mesele:

  1. Tekstet fetare janë burimi kryesor për të nxjerr dispozitat islame rreth një çështje, porse ajo që nuk guxon të anashkalohet është kërkimi dhe gjetja e të gjitha teksteve fetare për një temë, pastaj kuptimi i tyre, pastaj aplikimi i tyre për realitetin tonë e në fund dhënia e një mendimi.
  2. Hadithi në fjalë është i shënuar te Tirmidhiu[1] dhe Albani në librin Sahihu Tergib[2] i ka dhënë gradën sahih (i vërtetë). Sigurisht që në këtë hadith nuk është për qëllim zinaja e njohur në jurisprudencën islame, për të cilën edhe janë paraparë procedura dhe ndëshkime konkrete. Është për qëllim fakti se ai gjest mund të jetë vepër që çon drejt zinasë, e pastaj organi e vërteton ose e përgënjeshtron, siç edhe theksohet në një hadith tjetër.
  3. Me pak kërkim në librat e hadithit (ose në platformat online) do ta gjesh hadithin edhe në shumë koleksione tjera, por me një ndryshim të vogël në tekst kurse me një dallim të madh në kuptim. Teksti tjetër i hadithit thotë: „Cilado grua që parfumohet dhe kalon pranë njerëzve, që ata ta ndiejnë aromën e saj, është lavire“.[3]Dallimi është i madh në kuptimin e hadithit sepse përveç parfumimit dhe daljes jashtë shtëpisë, këtu ka përmendur edhe synimin jofisnik që do të kishte ajo grua. Këto hadithet janë plotësim i hadithit të parë. Dua të shtoj gjithashtu se besoj se të njëjtën gjë do ta thoshte Pejgamberi ﷺ edhe për burrat që parfumohen me qëllim që gratë e huaja ta ndiejnë aromën e tij.
  4. Sidoqoftë, shpjegimi më i mirë është praktika e sahabëve në prezencë të Muhamedit ﷺ. Me këtë rast, po sjell një rrëfim të Nënës Ajshe, Allahu qoftë i kënaqur prej saj: „Ne (gratë) dilnim së bashku me Pejgamberin ﷺ drej Mekës dhe para ihramit, lyenim ballin me Sukk l-Mutajjeb[4]. Kur ndonjëra prej nesh pastaj djersitej, i rridhte parfumi mbi fytyrë. Pejgamberi ﷺ e shikonte këtë gjë dhe nuk e ndalonte“.[5] Pra, kjo ndodhte jashtë shtëpisë dhe në udhëtim drejt Mekës. Udhëtimet atëbotë bëheshin në karvane e grupe dhe është e paparamenduar që aroma e parfumit të grave te mos ndiej brenda bashkëudhëtarëve. Sigurisht, qëllimi i tyre nuk ishte të përhapin aromën e tyre ndër njerëz por të merrnin aromë të mirë para fillimit të këtij adhurimi të rrallë, umre ose haxhillëk.
  5. Unë sot nuk po jap fetva, mirëpo po këshilloj që të kemi kujdes nga nëpërkëmbja e nderit të shumë motrave dhe familjeve duke i quajtur ato me mbiemra të poshtër dhe kjo, duke u „argumentuar“ me tekste fetare. Secila grua muslimane dhe secili burr musliman e ka farz të jetë jetë i ndershëm dhe të ruhet nga harami. Afrimi drejt gjinisë tjetër sot ka forma të shumta – nuk ka mbetur e gjithë çështja te parfumimi. Nëse vet Pejgamberit ﷺnga kjo dynja i kanë pëlqyer më së shumti parfumet, sigurisht që edhe neve, muslimanëve dhe muslimaneve, na pëlqen e njëjta. Pra, parfumohemi sepse na pëlqen dhe jo për t’i pëlqyer dikujt, pa dallim a jemi burra ose gra.
  6. Ta zëmë se ti je i bindur në mendimin e kundërt. Në rregull! Atë mendim e përfaqësojnë edhe dijetarë me nam e famë, por ai mbetet një mendim ose interpretim i tekstit fetar dhe jo një detyrim ndaj umetit anembanë.

 

Omer Berisha

Linz, 26.08.2020

[1] Nr. 2786.

[2] Nr. 2019.

[3] Kështu e ka regjistruar Ebu Davudi në Sunen (nr. 4173), Ibën Hibbani (nr. 4424), Albani në Sahihu l-Xhamië (nr. 323) dhe në disa vepra tjera të tij, Ibën Huzejme (nr. 1681) si dhe shumë të tjerë.

[4] Parfum i njohur atëbotë, i cili pëzihej edhe me parfume tjerë dhe ashtu përdorej.

[5] Shënuar në Ebu Davud nr. 1830, Ahmed nr. 24502, Ebu Ja’la në Musned nr. 4886, Bejheki në Sunen l-Kubra nr. 9052. Neveviu i dha këtij hadithi gradën hasen në El-Mexhmuë 7/219. Gjithashtu Albani i dha gradën sahih në Sahih Ebu Davud nr. 1830.