Për shumë situata që na rrethojnë, para të cilave mbesim ndoshta të hutuar dhe nuk dijmë si t’i komentojmë, si t’i vlerësojmë dhe çfarë të ndërmarrim – dëshirojmë sikur në mesin tonë të kishim njerëz të ndritur dhe me përvojë që do na udhëzonin nga më e mira dhe më e qëlluara. Madje, sikur të kishim mundësi për çdo punë ta konsultojmë të Dërguarin e Allahut, kjo do ishte mundësia më e mirë! A thua vallë ka ndonjë mundësi të atillë?

A thua çfarë dmth ajeti:

لقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّـهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُو اللَّـهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّـهَ كَثِيرًا 

“Ju, me të vërtetë, Pejgamberin e Allahut e keni shembull të mrekullueshëm, për atë që shpreson Allahun, (shpëtimin në) Ditën e Kijametit, dhe i cili e përmend shumë Allahun” (Ahzab 21).

Pra, nëse jemi njerëz që duam të punojmë ashtu siç Allahu është i kënaqur, sepse vetëm tek Ai shpresojmë, që duam pastaj të gjejmë kënaqësinë në ditën e Gjykimit dhe për ta fituar këtë, e përmendim Allahun shumë, e përmendim me zemër, me gojë dhe me vepra, atëherë rruga më e lehtë për ta realizuar këtë qëllim madhor është ndjekja e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam.

Por, për shumë gjëra aktuale i Dërguari as që i ka përmendur e lëre t’i ketë gjykuar!?

Fillimisht, nëse njeriu dëshiron që gjykimet e tij të jenë sa më të afërta me gjykimet e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, atëherë ai duhet ta njeh sa më shumë Profetin, ta lexojë jetën e tij, t’i analizojë reagimet e tij, të studiojë ngjarjet një pas një, të përpiqet të gjejë urtësitë e tij nga çdo lëvizje dhe kësisoj të afrohet dhe të ndodhë njëfarë mishërimi me personalitetin e tij. Pas kësaj, rrallëherë mund të devijojë nga rruga e tij, alejhi salatu ue selam.

Nuk duhet harruar se sikur shumë raste aktuale, kemi raste të ngjashme nga koha e Profetit, alejhi salatu ue selam, që nuk dallojnë përveçse në datë, persona, vend dhe numër.

Ato raste na ndihmojnë dhe na udhëzojnë në mënyrën më të sigurt se çfarë duhet të themi dhe çfarë duhet të bëjmë në shumë prej rasteve aktuale.

Si shembull do ta marr rastin e Hilful Fudul – Aleanca e Fadilëve (të mirëve).

I Dërguari, alejhi salatu ue selam, fëmijërinë dhe rininë e tij e kaloi në Mekë dhe sigurisht që kishte raste të cilat nuk i harroi kurrë, madje kishte mall kur i kujtonte. Kur e kujtonte ngjarjen e Hilful Fudul, edhe pasi Allahu e bekoi me profetësi dhe Libër, thoshte:

لقد شهدت مع عمومتي حِلفا في دار عبدالله بن جدعان، ما أحب أن لي به حمر النعم

„Kam qenë i pranishëm në një aleancë së bashku me xhaxhallarët e mi në shtëpinë e Abdullah ibën Xhed’anit, që nuk e kisha ndërruar këtë rast as me devetë e kuqe“, devete e kuqe ishin një ndër pasuritë më të dashura atëbotë dhe nëse dikush parapëlqente diçka më shumë se ato, kjo nënkuptonte për të një dashuri shumë të madhe.

U quajt Aleanca e Fadilëve për shkak të pjesëmarrjes së disa personave me emrin Fadël, siç ishin Fadël ibnul Harith, Fadël ibën Uedaah dhe Fadël ibën Fedaleh. Këtë e ka përmendur Buhariu në librin Edebul Mufred.

Shkaku i kësaj aleance ishte se një njeri nga Zebidi (diku në Jemen) kishte ardhur në Mekë të bëjë tregti dhe mallin e tij e kish blerë As ibën Vaili, i cili ishte një ndër njerëzit më me pozitë të lartë dhe shumë të respektuar në Mekë. Mallin ia bleu por nuk ia pagoi, kështu që, ai burr u zemërua dhe duke mos gjetur asnjë rrugëdalje filloi tu ankohet disa njerëzve, por askush nuk i dilte krah për shkak të pozitës së lartë që kishte Asi. Atëherë doli publikisht dhe kërkonte përkrahje nga mekasit, nga njerëzit që kanë fytyrë dhe që janë të drejtë. Aty, u çua Zubejr ibën Abdulmutalibi dhe tha që askush nuk guxon të nëpërkëmbë të drejtën e tij. Pastaj u tubuan fiset Benu Hashim, Benu Zuhra dhe Benu Tejm në shtëpinë e Abdullah ibën Xhed’anit, në mesin e të cilëve ishte edhe Muhamedi, alejhi salatu ue selam, atëbotë, 20 vjeçar. Nga ai tubim dolën me marrëveshje dhe besatim për tu bërë si një grusht kundër çdo zullumqari, kushdo qoftë ai dhe të përkrahin çdo njeri të dëmtuar nga dikush. Fjalët e kësaj marrëveshje qenë:

Fadilët u besatuan dhe bënë aleancë, që brenda Mekës të mos qëndrojë asnjë zullumqar. Çështje për të cilën u morën vesh dhe dhanë fjalën, se çdo komshi dhe vizitor është i shpëtuar.

Me këtë, e detyruan Asin që të paguajë mallin e blerë.

Kjo lidhje e tyre dhe ky bashkëpunim ishte aleancë njerëzore, ku ndjenjat humane vet thërrasin për t’i dalë në ndihmë njerëzve të dëmtuar dhe tu mbrohet e drejta.

Këtë rast, i Dërguari, alejhi salatu ue selam, asnjëherë nuk e harroi, ai gjithashtu ka thënë:

ما أحب أن لي به حمر النعم، ولو دعيت به في الإسلام لأجبت

“Atë mundësi nuk do e kisha ndërruar as me devetë e kuqe, sikur të ftohesha aty edhe pas Islamit, do të përgjigjesha”.

Ai vërtetë qëndronte larg adhurimeve që bënin ata për putat dhe kjo gjithherë i pengonte por në aktivitetet humane asnjëherë nuk u vonua: ai mori pjesë në një betejë që atëherë u quajt Harbul Fuxhar – Lufta kundër të prishurve; pati rol vendimtar për të shuar kacafytjet me rastin e rindërtimit të Qabesë etj. Dashuria dhe emocionet për të vërtetën si dhe kujdesi për të realizuar drejtësinë ishte rruga e tij, të cilën nuk e ndryshoi kurrë dhe të njëjtën e pasuan të gjithë ndjekësit e tij të vërtetë.

Tash, nëse sot të mundësohen pjesëmarrje të këtilla a duhet akoma të kesh dyshim për pjesëmarrje apo duhet të shpejtosh tu bashkëngjitesh?!

Për shembull, nesër (24.01.2015) në qytetin tonë (Linz) organizohet një marsh i përbashkët edhe me njerëz të feve tjera dhe me organizata e shoqata të ndryshme kundër terrorit dhe kundër islamofobisë. Marsh kundër terroristëve të ISIS-it, kundër sulmeve ndaj xhamive, kishave dhe sinagogave në Evropë, kundër ofendimeve ndaj pejgamberëve dhe kundër paragjykimeve ndaj muslimanëve në Austri. Kundër shumë padrejtësive.

Ky marsh do të jetë një demonstrim i qetë, pa bërtima dhe pa provokime, në të cilën unë do të marr pjesë familjarisht dhe e thërras çdo dashamir të hairit të merr pjesë ashtu si na ka hije.