Është diçka interesante: ne që jemi më të rregulltë në xhami çdoherë kemi çfarë tu tregojmë personave që më pak i vizitojnë xhamitë lidhur me fenë në përgjithësi, përveç kur janë “netët e mëdha”, në kësi raste ata na tregojnë kur janë dhe çfarë duhet të bëjmë! 

Pse ndodhë kjo? A thua janë më të kujdesshëm të gjejnë ndonjë moment për ta fituar amnistinë e Allahut apo thjeshtë duan edhe ata të bëjnë diçka për fe, për të vërtetuar se edhe ata janë muslimanë? Sidoqoftë përgjigjja, nuk dyshoj aspak në qëllimin e mirë të tyre, porse i kujtoj ata se jo çdoherë qëllimi i mirë ta mundëson arritjen e të mirës. Feja bazohet mbi dituri të Kuranit dhe Sunetit dhe pa këtë dituri asgjë nuk mund të jetë e qëlluar dhe e mirë. 

Muaji Rexheb është muaji i shtatë me radhë nga muajtë e Hixhretit dhe është një nga muajtë e shenjtë. Argument për këtë është hadithi: 

السنةُ اثنا عشر شهرًا ، منها أربعةٌ حُرُمٌ ، ثلاثةٌ مُتوالياتٌ : ذو القَعدةِ وذو الحِجَّةِ والمُحرَّمُ ، ورجبُ مُضر ، الذي بين جُمادى وشعبانَ 

“Viti i ka dymbëdhjetë muaj, prej të cilëve katër janë të shenjtë, tre janë radhazi: Dhuk Kade, Dhul Hixhe dhe Muharem ndërsa Rexhebi është vet, midis Xhumade Thani dhe Sheval”.1  Në këto muaj është i ndaluar fillimi i luftës si dhe gjynahet që bëhen në këto muaj janë më të rënda sesa në muajt e tjerë. 

Mirëpo ndër njerëz, lidhur me këto muaj, sidomos me muajin Rexheb, ekzistojnë shumë bidate të cilat duhet të flaken, sepse çdo bidat ndikon në humbjen e sunetit, madje edhe në luftimin e sunetit. 

Nga ato bidate janë: 

  1. Nata apo namazi i Regaibit.

Këtë e besojnë në natën e xhumasë së parë të muajit Rexheb, pra pas agjërimit të ditës së enjte dhe e falin mes akshamit dhe jacisë. Imam Neveviu ka thënë: “Namazi i njohur me emrin namazi i Regaibit, pra 12 rekate në natën e xhumasë së parë nga muaji Rexheb mes akshamit dhe jacisë, e po ashtu edhe në natën e 15 të këtij muaji 100 rekate janë dy namaze bidat, janë të këqija të qarta; nuk guxon të mashtrohet asnjëri pse janë përmendur në ndonjë libër, ngase ato namaze janë të kota”. Ky namaz ka filluar të falet më së pari në Bejtul Mekdis, në vitin 480 nga Hixhreti. 

  1. Hadithet që flasin për vlerën e ditës së mesme të muajit Rexheb janë të pavërteta. Këtë e thonë dijetarët e këtij lëmi.
  2. Festimi i natës së 27 të Rexhebit me qëllim se në këtë natë ndodhi Israja dhe Miraxhi është veprim i gabuar, sepse I Dërguari, alejhi salatu ue selam, asnjëherë nuk e festoi natën e Miraxhit e po ashtu nuk ka asnjë argument se ajo natë ndodhi me datën e lartpërmendur.
  3. Përhapet një mendim se të bësh Umre në muajin Rexheb fiton shpërblim të madh, por nëse e vërejmë praktikën e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, e shohim se të gjitha Umretë që i bëri, i bëri në muajin Dhul Kade, përveç atë që e bëri në Haxh, pra në muajin Dhul Hixhe. Dmth, asnjë Umre nuk e bëri në Rexheb.
  4. Në kohën e injorancës, arabët e kishin një zakon të therin një kurban në muajin Rexheb dhe këtë e quanin el-Atira, me të cilën synonin të afroheshin tek idhujt e tyre. Kur erdhi Islami kjo traditë u shfuqizua dhe u bë e lejuar që të theret kafshë në çdo kohë, pa e dalluar muajin Rexheb. Kurse therja e veçantë u bë vetëm në ditët e Kurban Bajramit.
  5. Duaja e përhapur:

اللهم بارك لنا في رجب و شعبان و بلغنا رمضان 

“O Allah na beko neve në Rexheb dhe Shaban dhe na mundëso ta arrijmë Ramazanin” nuk ka bazë në hadithet e vërteta të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam. Këtë e ka theksuar Ibnul Haxheri dhe dijetarë të tjerë. 

  1. Hadithet që flasin për vlerën e agjërimit veçanërisht në Rexheb nuk janë hadithe të vërteta. Vlera e agjërimit në këtë muaj nuk dallon nga muajtë para tij, pra, njeriu vazhdon njëjtë me agjërimin që ka bërë: e hënë, e enjte apo ditët e bardha.
  2. Ka edhe një namaz tjetër, i ashtuquajtur namazi i Umu Davudit, që falet gjithashtu në natën e 15 të muajit Rexheb, porse është namaz i kotë, i pavërtetuar në fe të Allahut.
  3. Ka të tjerë që këtë muaj e bëjnë të veçantë për sadaka në emër të të vdekurve. Gjithashtu ky veprim nuk ka mbështetje në Sunetin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam. Veprat e mira dhe lutjet tona për të vdekurit tanë vazhdojnë të kenë vlerë sikur çdoherë, pa u dalluar muaji Rexheb.
  4. Lutjet e përhapura që thuhen veçanërisht në këtë muaj, të gjitha janë të pavërtetuara në hadithet e Profetit, alejhi salatu ue selam.
  5. Varrezat duhet vizituar gjithherë, por nuk ka asnjë argument se në muajin Rexheb ka ndonjë shpërblim më të madh, siç e besojnë disa njerëz.
  6. Ka një grup njerëzish që besojnë se dhënia e Zekatit në këtë muaj është më e shpërblyer sesa në muajtë e tjerë, por gjithashtu edhe kjo nuk ka ndonjë mbështetje në Kuran apo në Sunet.
  7. Disa përpiqen ta dallojnë këtë muaj me ndodhi kinse të veçanta dhe madhështore. Disa e mendojnë se lindja e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ishte në këtë muaj etj.
  8. Vizita e xhamisë së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, gjithherë është e lëvduar, kurse ka disa njerëz që mendojnë se në muajin Rexheb vizita e qytetit të Medinës është me rëndësi të veçantë. As kjo nuk ka ndonjë mbështetje fetare.
  9. Disa njerëz besojnë se bërja e Itikafit në muajin Rexheb është shumë sevap, por kjo nuk është e vërtetë.

Qëllimi i kësaj hutbe ishte vetëdijesimi i njerëzve ndaj Sunetit dhe tërheqja e vërejtjes nga bidatet. Sikur gjithë këto veprime të ishin sunet, njerëzve do tu dukeshin të shumta dhe të lodhshme, por pasi që janë bidate, shejtani ua hijeshon me qëllim që t’i largojë nga praktika më e mirë, rruga e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam. 

 

(thelbi i kësaj hutbe është një këshillë që shejh Muhamed el-Hebdan që e ka postuar në Twitter)