Secilin njeri Allahu e dalloi me aftësinë e të menduarit nga gjallesat tjera. Kjo është një dhunti madhështore, që nuk mund të fitohet me as me ar dhe as me argjend, as me trashëgimi dhe as me përpjekje. Për këtë dhe të gjitha dhuntitë e tjera mirënjohja i takon vetëm Krijuesit Perfekt.

Ka njerëz që këtë dhunti nuk e respektojnë fare, madje krijojnë pengesa të shumta për të penguar mendimin dhe logjikën e shëndoshë. Me ato pengesa nuk arrijnë të kuptojnë drejtë as edhe Fjalën më të drejtë – Kuranin, e paramendo fjalët e dikujt tjetër. Ato pengesa pengojnë edhe zhvillimin shkencor, kulturor dhe teknologjik.
Pengesat e atilla janë të shumta, por nga më të përhapurat janë:

IMITIMI
Kur njeriu vendosë të imitojë dikë, ai automatikisht i ka ndaluar vetvetes funksionimin e të menduarit.
Imitimi dallon krejtësisht nga pasimi, sepse pasimi nënkupton përdorimin e logjikës për të gjetur një shembull që do ta ndjekësh, kurse imitimi është një pasim i verbër, pa përdor këtu aftësinë e logjikës.

Duke u mbështetur në imitimin e paraardhësve, njerëzit e Mekës refuzonin ta pranojnë Islamin. Ja çfarë na tregon Allahu në Kuran:

وَإِذَا قِيلَ لَهُمُ اتَّبِعُوا مَا أَنزَلَ اللَّـهُ قَالُوا بَلْ نَتَّبِعُ مَا أَلْفَيْنَا عَلَيْهِ آبَاءَنَا ۗ أَوَلَوْ كَانَ آبَاؤُهُمْ لَا يَعْقِلُونَ شَيْئًا وَلَا يَهْتَدُونَ ﴿١٧٠﴾
„E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): „Pranoni atë që Allahu e shpalli!“ Ata thonë: „Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë!“ Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t’i pasonin)?” – Sure El-Bekare: 170.

Të pranosh pa asnjë rezervë mendimin e paraardhësve dhe të insistosh ta ruash atë me fanatizëm d.m.th mohim i të qenit krijesë racionale, mohim i të qenit njeri. Me të vërtetë, kjo është e papranueshme.

SHTYPJA SHOQËRORE
Presioni shoqëror e ndoshta edhe pushteti shoqëror luan një rol të madh në pengimin e të menduarit të drejtë.
Kur bëhen bashkë katër, pesë apo më shumë persona në një mendim, atëherë secili që do del me një mendim ndryshe do të konsiderohet menedjelehtë, pse nuk po mendon sikur ata; e nëse ai insiston në mendimin e vet, atëherë do të shihet si i rrebeluar kundër tyre. Ashtu që, dita ditës do të fillojnë të marrin masa kundër tij derisa të kthehet në mendimin e shumicës.

Njerëzit kanë nevojë tu tërhiqet vëmendja nga kjo pengesë, në mënyrë që të fillojnë të mendojnë pastër dhe pa ndikim nga shoqëria. Ashtu e urdhëroi Allahu i Lartësuar Muhamedin, alejhi salatu ue selam, që tu thotë Mekasëve të çlirohen nga presioni shoqëror dhe të logjikojnë në mënyrë të pavarur. Kështu i tha Allahu:
قُلْ إِنَّمَا أَعِظُكُم بِوَاحِدَةٍ ۖ أَن تَقُومُوا لِلَّـهِ مَثْنَىٰ وَفُرَادَىٰ ثُمَّ تَتَفَكَّرُوا ۚ مَا بِصَاحِبِكُم مِّن جِنَّةٍ ۚإِنْ هُوَ إِلَّا نَذِيرٌ لَّكُم بَيْنَ يَدَيْ عَذَابٍ شَدِيدٍ ﴿٤٦﴾

“Thuaj, unë ju këshilloj vetëm me një gjë: për hir të Allahut të angazhoheni sinqerisht dy nga dy ose një nga një, e pastaj të mendoni thellë (që ta kuptoni) se shoku juaj (Muhammedi) nuk ka ndonjë çmenduri. Ai nuk është tjetër vetëmse që t’ju tërheq vërejtjen për një dënim të ashpër (nëse nuk besoni)”. Sebe, 46

Qëndrimet që mban publiku, edhe nëse janë të gabuara nuk ka efekt pozitiv nëse kundërshtohen haptas në publik, porse duhet bërë thirrje që secili le të mendojë individualisht ose të organizohen grupe të vogla ku është e mundshme të këmbehen mendime dhe të trajtohen çështjet pa zhurma dhe pa keqkuptime.

Shfrenimi nëse gjendet te publiku, ai pengon fort funksionimin e logjikës dhe të të menduarit. Në fakt, atyre nuk u intereson asgjë përveç plotësimit të epshit, prandaj çdo zë kritikues do ta kritikojnë, madje do ta luftojnë.

Allahu në Kuran thotë:
إِذَا تُتْلَىٰ عَلَيْهِ آيَاتُنَا قَالَ أَسَاطِيرُ الْأَوَّلِينَ ﴿١٣﴾ كَلَّا ۖ بَلْ ۜرَانَ عَلَىٰ قُلُوبِهِم مَّا كَانُوا يَكْسِبُونَ ﴿١٤﴾
“Kur atij i lexohen ajetet tona, thotë: Përralla të vjetra! Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan”. Mutaffifin: 14
وَقَالُوا قُلُوبُنَا فِي أَكِنَّةٍ مِّمَّا تَدْعُونَا إِلَيْهِ وَفِي آذَانِنَا وَقْرٌ وَمِن بَيْنِنَا وَبَيْنِكَ حِجَابٌ فَاعْمَلْ إِنَّنَا عَامِلُونَ ﴿٥﴾
“Ata thanë: zemrat tona janë të mbyllura nga ajo që ti na thërret dhe në veshët tanë kemi shurdhim, kështu që ndërmjet nesh dhe teje ekziston një perde, prandaj ti vepro sipas tëndes e ne vazhdojmë tonën!” Fussilet, 5.

Mendimi publik mund të jetë shumë i fortë dhe ndikues, aq sa edhe shumë njerëz të mençur në lëmenj të ndryshëm dhe shumë njerëz të sinqertë në jetën e përditshme të ndikohen, së këndejmi të stopojnë funksionimin e logjikës së tyre për një problem të caktuar.

Ilaçi kryesor qëndron në faktin se njerëzit duhet të lirohen nga ajo varësi. Nëse njeriu çdoherë pret që publiku t’ia miratojë qëndrimet e tij, ai nuk do arrijë asnjëherë të thotë çfarë mendon ai vet. Ai që brengoset dhe hutohet nga reagimi i publikut, ai nuk do të mund t’i sjellë asnjë të mirë vetvetes, e sigurisht as publikut.

PARAGJYKIMI
Me paragjykim nënkuptojmë qëndrimin negativ ndaj një dukurie a personi pa pasur ndonjë mbështetje apo argument. Megjithëse këtu vërehet një përpjekje për të menduar, por në fakt të menduarit që nuk mbështetet në asnjë argument quhet vetëm supozim dhe paragjykim.

E keqja e paragjykimit është se edhe pasi të takojë argumentet, ai nuk i lejon vetes të ndryshojë mendimin që ka formuar në bazë të paragjykimit; kurse nga ai mendim me paragjykim vijnë pastaj edhe të këqija të tjera.

Prandaj, kjo e keqe u ndalua rreptësisht në fenë islame:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيراً مِنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ وَلا تَجَسَّسُوا وَلا يَغْتَبْ بَعْضُكُمْ بَعْضاً أَيُحِبُّ أَحَدُكُمْ أَنْ يَأْكُلَ لَحْمَ أَخِيهِ مَيْتاً فَكَرِهْتُمُوهُ وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ تَوَّابٌ رَحِيمٌ ) الحجرات/12 .

“O ju që keni besuar, largohuni shumë nga supozimet, sepse një pjesë e tyre janë mëkat, mos hulumtoni të këqijat dhe mos përgojoni njëri-tjetrin; mos vallë ndonjëri nga ju dëshiron të hajë nga mishi i vëllait të vdekur ndërsa atë e urreni?! Kini frikë Allahun, vërtetë Allahun pranon pendimin shumë dhe është Mëshirues”

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, përcjellë se i Dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë:
( إياكم والظن ، فإن الظن أكذب الحديث )

“Kujdes nga supozimet, sepse ato janë biseda më e rrejshme”

Këtë të keqe besimtari mund ta shërojë nëse i pranon këto këshilla:
1. Preokupimi me të këqijat personale dhe përpjekja për t’i flakur ato. Kur ta sheh sa vërejtje paska ndaj vetes, çdokush tjetër do t’i duket më i mirë dhe më i lartë.
2. Kujtimi i argumenteve të Fesë kundër kësaj të keqe.
3. Gjetja e të mirave të shumta që i bëjnë njerëzit. Bëhu i drejtë edhe me “armikun” dhe të mirën vlerësoja si të mirë e mos u përpiq t’ia fshish.

PËRGJITHËSIMI
Kur njeriu pretendon se i di të gjitha, ai kurrë nuk mund të mësojë më shumë. Madje, shpirtërisht kjo sjellje mund ta shkatërrojë njeriun, sepse ky nëse mendon se dikush është i mirë do ta mbështesë pa asnjë rezervë, kurse nëse mendon se dikush është i keq do ta luftojë në çdo mënyrë.

Besimtarët e edukuar me mësimet islame nuk veprojnë ashtu. Ja p.sh. Aliu, radijallahu anhu si na paralajmëron kundër këtij gabimi, duke thënë: „Duaje mikun tënd me masë, sepse një ditë mund të bëhet armiku yt; urreje atë që të ka ofenduar me masë, sepse një ditë, ai njeri mund të bëhet i dashur për ty“.

Të menduarit e atillë nuk le hapësirë për rishikim, përmirësim, dialog apo ndryshim. Ai thjeshtë arsyetohet: mendimi i sigurtë duhet të mbetet i sigurtë. Ky mund të quhet thjesht një fanatik ekstrem.
Nëse i referohemi kolosëve të Islamit, do të mund të shohim qartësisht se si duhet të sillet njeriu me të menduarit e tij. Ja p.sh. Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, fjalët e të cilit shpeshherë janë edhe argumente ndihmëse në shumë çështje fetare, ai ka thënë: “Unë konsideroj mendimin tim si të vërtetë, por unë pranoj mundësinë se mund të jetë edhe gabim. Unë konsideroj që mendimi tjetër është gabim, por unë pranoj mundësinë se mund të jetë edhe i vërtetë”.

EMOCIONET

Aftësia e të menduarit konsiston mbulimin e të këqijave shtazarake që gjenden te çdo njeri.

Ndjenjat e bëjnë njeriun të pakontrolluar prandaj kjo është arsyeja pse Pejgamberi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për të, ka thënë:
لا يَقضِيَنَّ حَكَمٌ بينَ اثنينِ وهو غَضبانُ
“Të mos gjykojë gjykatësi mes dy personave kur është i zemëruar”

Njeriu duhet të hulumtojë vetveten dhe t’i gjejë pengesat, t’i largojë dhe të fillojë të mendojë i lirë dhe i pavarur. Pengesat e të menduarit janë dryna për zemrën, që nuk e lejojnë të merr frymë lirisht. Allahu ka thënë:
أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَىٰ قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا﴿٢٤﴾
“A nuk e studiojnë me vëmendje Kur’anin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet?” (Muhamed, 24)
Allahu e çliroftë çdo zemër nga dryna të atillë dhe ia mundësoftë të dallojë të vërtetën nga e pavërteta.

(frymëzuar nga një shkrim i Shejh Dr. Selman el-Audes)