Zemërimi i jomyslimanëve të Mekës nuk shuhej assesi, nga disfata që kishin pësuar prej myslimanëve në Bedër, ku u vranë shumë burra dhe trima të tyre. Shumë zullumqarë pësuan nga majat e shigjetave dhe shpatave të myslimanëve. Andaj, me padurim prisnin ndonjë rast që të hakmerreshin kundër Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, dhe shokëve të tij, me shpresë që t’u shkaktonin humbje dhe në atë mënyrë të largojnë turpin dhe nënçmimin që e kishin fituar nga disfata e madhe në Bedër.

Ky rast iu mundësua atyre në luftën e Uhudit, sidomos kur shigjetarët nuk respektuan urdhrin e Resulullahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, duke u larguar nga pozicioni i tyre në kodër. Halid b. Velidi atëbotë ishte në krye të kalorësve të Kurejshëve dhe kjo ishte një gjendje e përshtatshme për të që t’i rrethonte myslimanët dhe t’u shkaktonte disfatë. Ai arriti të ngjitet në kodër dhe të vriste shigjetarët e mbetur aty, pastaj e befasoi ushtrinë myslimane me sulm të ashpër. Kjo vërtet ishte një sprovë e rëndë, e cila shkaktoi humbje të dhimbshme, edhe pse gjatë luftimit u treguan të qëndrueshëm dhe trima. Sidoqoftë, befasia ishte e rëndë dhe e ktheu fitoren në anë të jomyslimanëve.

Myslimanët u kthyen në Medinë për të shëruar plagët e luftës dhe dëshpërimin e humbjes. Por, dhembjet e të plagosurve dhe qarjet e nënave as që krahasoheshin me të hidhurën e disfatës dhe me rënien e flamurit të myslimanëve në këtë betejë me mushrikët.

Kjo disfatë shkaktoi uljen e autoritetit të myslimanëve në Medinë karshi çifutëve dhe mushrikëve të tjerë, të cilët me shumë kujdes prisnin të gëzoheshin me zhdukjen e shtetit të myslimanëve në Medinë. Mirëpo, sërish nuk kishin guxim t’i shprehnin këto ndjenja dhe këtë armiqësi para myslimanëve.

Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, mjaft mirë e vërente këtë mërzi dhe ndjenjat e mposhtjes në gjokset e besimtarëve. Edhe pse, Allahu kishte zbritur ajetin: “Në qoftë se juve u goditi çka u dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pat prekur një dhembje si kjo e juaja (në Bedër). Këto janë vetëm ditë, që i ndërrojmë mes njerëzve, për t’u njohur tek Allahu ata që i besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (shehida). Allahu nuk i do zullumqarët”. (Alu Imran 140). Mirëpo, zemrat dhe ambiciet e besimtarëve dëshironin të liroheshin nga kjo mërzi dhe ta tejkalonin këtë mposhtje duke e shfaqur forcën dhe duke nxjerrë në pah krenarinë e tyre kundër armiqve në përgjithësi. Qofshin ata të brendshmit (në Medinë) apo të jashtmit (Kurejshët dhe fiset tjera arabe që ishin mushrikë).

 

Fushatat e çifutëve dhe tradhtia e marrëveshjes me të dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të

Dëshirën që kishin besimtarët e kishte edhe i dërguari i Allahut, t’i bindin armiqtë e tyre se myslimanët ishin ende të fuqishëm dhe mbanin ende krenarinë për të rikthyer pozitën dhe namin që kishin tek arabët tjerë dhe te çifutët.

Mes myslimanëve dhe çifutëve që banonin në Medinë kishte marrëveshje, në të cilën u pajtuan të dy palët që nga hyrja e parë e Resulullahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, në Medinë. Ajo marrëveshje siguronte lirinë e besimit dhe të adhurimit për të dy palët. Po ashtu, me anë të asaj marrëveshjeje, gjithë banorët e Medinës detyroheshin ta mbronin qytetin në rast të çdo rreziku apo sulmi.

Mirëpo, ëndja e çifutëve për ta pat Medinën të tyren dhe edukata e tyre plot dredhi, tradhti dhe mashtrime, bëri që ata të organizohen kundër të dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të.

Tentuan ta vrasin dhe të lirohen nga ai dhe thirrja e tij. Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, mori vesh për këtë fushatë që udhëhiqej nga fisi Beni Nadir (fis çifut) dhe atë, me lajmërim nga Allahu i Lartësuar.

Prandaj, Resulullahu paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, dha urdhër që fisi Benu Nadir ta braktisin Medinën menjëherë, me qëllim që në qytet të rikthehej siguria dhe qetësia. Kështu myslimanët shpëtuan nga dredhitë dhe fushatat e çifutëve dhe patën fatin t’i gëzojnë pasuritë dhe kopshtet e çifutëve.

Ndërkohë, u mor vesh se edhe mushrikët e Mekës kishin vendosur të ndesheshin me myslimanët me një ushtri të madhe. Andaj, edhe i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, i bëri gati afër 1000 kalorës dhe doli sërish në Bedër për t’u ndeshur me ta, ndërsa në Medinë la përgjegjës Abdullah b. Abdullah b. Ubej b. Selul. Mekasit u nisën nën udhëheqjen e Ebu Sufjanit me afro 2000 kalorës. Mirëpo, pasi bënë një udhëtim dy ditësh Ebu Sufjani vendosi të kthehet së bashku me shokët e tij, ndërsa Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, dhe shokët e tij qëndruan duke pritur tetë ditë me radhë, ku kohë pas kohe bënë disa aktivitete tregtare dhe fituan mjaft pasuri. Pastaj u kthyen në Medinë, ku kishte ardhur lajmi se Mekasit ishin tërhequr dhe kishin ikur nga ballafaqimi me myslimanët në Bedrin e dytë. Çka u ktheu myslimanëve vetëbesimin dhe qetësinë, dhe solli, po ashtu, krenarinë e dikurshme dhe ngriti personalitetin e tyre te të tjerët.

 

Rreziku që po vjen nga veriu

Nuk shkoi shumë kohë, dhe lajmi se fiset e vendit “Deumetul Xhendel” ishin tubuar që të përgatiten për luftë kundër myslimanëve mori dhenë. Në fakt, edhe kohë më parë, syresh sulmonin karvanët që kalonin pranë tyre, keqtrajtonin ata që u afroheshin tokave të tyre, pengonin tregtinë, grabitnin pasurinë dhe vrisnin këdo që i kundërshtonte. Ata u bënë rrezik serioz për karvanët e tregtarëve që vinin në Medinë, të cilët ishin mjaft të rëndësishëm për atë vend.

Andaj, Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, dha shenjë se besimtarët duhet të mblidheshin për t’i luftuar këto fise, me qëllim që të ndalnin të tjera zullume, duke synuar të eliminonin rreziku që po i kanosej Medinës. U bënë 1000 myslimanë dhe u nisën për në Deumetul Xhendel, ndërsa në Medinë përgjegjës u caktua Sibaë b. Urfuta el-Gifari.

Ishte rrugë e gjatë dhe e rëndë, shkretëtirë e thatë dhe shumë e nxehtë. Duhej të udhëtonin afër 300 km për të arritur në Deumetul Xhendel, në veri të Gadishullit Arabik. Për këtë rrugë i dërguari i Allahut zgjodhi edhe një udhëheqës rruge nga familja Adhra, i cili quhej Medhkur. Ai kishte mençuri të dalluar, shkathtësi të paparë, përvojë të madhe dhe njohuri për kushtet, rrugët e fshehta dhe vështirësitë e shkretëtirës.

Vazhduan rrugëtimin nëpër shkretëtirën e thatë dhe të rëndë, nuk ia venin veshin vështirësive dhe problemeve të rrugës, duronin temperaturën e lartë, thatësinë dhe mungesën e ujit. Nuk u interesonte a do të vdesin apo do të mbijetonin; besimi i tyre në Allahun dhe të dërguarin e Tij ishte shtytës për tejkalimin e të gjitha vështirësive. Këtë e bënin në respekt për Allahun dhe përgjigje ndaj kërkesës së Resulullahut, salallahu alejhi ue selem. Besimi i fortë i tyre i lëvizte drejt triumfit dhe fitores.

Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, me shokët e tij rrugëtonin gjatë natës ndërsa ditën fshiheshin, që të mos vëreheshin nga mushrikët (idhujtarët), çka mund t’i ndihte fiset e Deumetul Xhendel të kuptonin se ai ishte nisur drejt tyre. Qëllimi ishte të arrinin atje përpara se armiku të përgatitej për betejë. Kjo arritje do t’i siguronte realizimin e elementit të kapjes në befasi të armikut.

Ky lloj rrugëtimi po ashtu u siguronte mbrojtje nga temperaturat e larta dhe nxehtësia e rërës, që të mos takohen me armikun me fuqi të harxhuar, të lodhur nga rruga dhe klima e nxehtë.

 

Fitore pa luftë

Kur u afruan myslimanët në Deumetul Xhendel, udhëheqësi i rrugës u tregoi se aty pranë kishte deve e dhen që kullosnin; ishin të disa njerëzve nga fisi Temim. Kështu që, shkuan dhe arritën të zinin disa kafshë, ndërsa shumica e kafshëve ikën dhe u shpërndanë në çdo anë.

Nga kjo, banorët e Deumetul Xhendel kuptuan se kanë ardhur myslimanët dhe shpejtuan për t’u arratisur, duke lënë shtëpitë dhe pasuritë, që të shpëtonin nga myslimanët.

Atëherë, Resulullahu salallahu alejhi ue selem, hyri në qytet dhe nuk gjeti askënd. Aty u ndal disa ditë dhe vazhdimisht dërgonte ekspedita për të hulumtuar në çdo anë, mirëpo nuk gjenin asnjë njeri. Përveç një person, të cilin e kishte zënë Muhamed b. Mesleme dhe e solli te i dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të. Ku i ke shokët – e pyeti. Kanë ikur dje – u përgjigj. Resulullahu salallahu alejhi ue selem, i ofroi që ta pranonte Islamin dhe ai e pranoi.

Pasi qëndruan disa ditë atje, në datën 20 Rebiul Evvel, viti i 5 (18 Shtator 626 G) u kthyen në Medinë.

Shumë ushtarakë bashkëkohorë këtë ngjarje e quajtën operacion sulmues mbrojtës për shtetin Islam në Medinë. Sepse, Resulullahu, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, nuk priti që armiqtë ta befasonin me sulm kundër Medinës, përkundrazi, shpejtoi kundër tyre posa kuptoi për planet e këqija.

Kjo betejë synonte të arrinte disa qëllime; ajo shëroi shpirtin e dobësuar të myslimanëve dhe nënçmimin që gati i goditi kur e humbën betejën në Uhud, ndihmoi të lirohen nga gjurmët e disfatës që pësuan, ndikoi në ngritjen e moralit dhe kthimit të vetëbesimit si dhe njëherazi shkatërroi moralin luftarak të ushtrisë armike.

Kjo betejë edhe më tepër i ngjau shfaqjes së fuqisë së shtetit Islam, gjë e cila do t’i shkatërronte dëshirat e armiqve kundër myslimanëve, duke i bashkëngjitur kësaj edhe shkatërrimin e projekteve grabitqare të armiqve dhe privimin e tyre nga realizimi i elementit të befasimit.

 

Zgjuarsia ushtarake e komandantit Pejgamber

Aftësia dhe zgjuarsia ushtarake e Resulullahut, salallahu alejhi ue selem, nga kjo ngjarje shihet prej disa aspekteve:

–     kujdesi paraprak nga rreziqet dhe njoftimi me lëvizjet, aktivitetet dhe planet ushtarake të armikut.

–     Mosnënçmimi i armikut, përgatitja e mirëfilltë për betejë dhe kërkimi i ndihmës nga njerëzit me përvojë dhe kompetentëve në artet e luftës dhe kushtet e shkretëtirës.

–     Sekreti i plotë dhe fshehja e përsosur që bëri duke rrugëtuar gjatë natës dhe nëpër rrugë jo të zakonshme dhe duke pushuar dhe u fshehur gjatë ditës.

–     Kujdesi për të vërtetuar mbisundimin dhe për të lajmëruar fitoren pasi të ikin armiqtë, çka e bëri duke qëndruar një kohë më të gjatë në vendbanimet e armiqve që kishin ikur.

–     Praktikimi i elementit të zënies në befasi të armiqve, duke i sulmuar në vendin e tyre dhe para se të përgatiten. Gjë e cila ndikon në arritjen e fitores.

 

Përktheu: Omer Berisha