Deri te mbesat e Esmasë nga nderi e pastërtia… deri te ndjekëset e rrugës së Ajshës, Hafsës dhe Sumejës… deri te të pastrat, më të pastrat, të devotshmet dhe të ndershmet…

Deri tek ato që mashtrohen me stolitë e përkohshme të perëndimit apo të lindjes… deri tek ato që mahniten me qytetërimin e të prapambeturve…

Deri te secila që ka bërë mëkat ndaj Zotit dhe ka braktisur mbulesën për të dalë nga shtëpia e veshur, e zhveshur, e lakuar, e dredhuar, provokuese dhe e provokuar.

Po dërgoj zërin qortues dhe paralajmërues…

Pëshpëritja e parë: O motër besimtare, o ti, që Allahu të begatoi me shëndet, o ti, që Allahu të nderoi me Islam, falënderoje Allahun e lartësuar dhe lavdëroje, afrohu kah Ai dhe respektoje, sepse respekti ndaj Tij është lumturia e dunjasë dhe ahiretit dhe afrimi kah Ai mëton të sjellë krenarinë. I Lartësuari thotë: “Kush e respekton Allahun dhe të Dërguarin, ai veçse ka arritur fitoren madhështore”.

Pëshpëritja e dytë: Kujdesu për mbulesën dhe nderin tënd, sepse mbulesa është pastërti dhe nder. Allahu thotë: “O i Dërguar, thuaji grave tuaja, bijave e grave të besimtarëve që të lëshojnë vellon mbi ta, kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen dhe të mos ngacmohen nga të tjerët…”

Po pra, është zbukurim dhe simbol i femrës së pastër dhe të ndershme. Si të mos jetë, ndërsa mbulesa është argument i turpit të saj, simbol i pastërtisë dhe është mburojë për të nga djajtë njerëz dhe xhinde.

Andaj – Allahu të mëshiroftë – kujdesu për mbulesën tënde, se aty gjendet edhe sekreti i lumturisë për ty.

Pëshpëritja e tretë: Kujdes nga thirrësit e jombulesës dhe lakuriqësisë, ata duan sherrin për ty. Ti bëhu një pengesë e fortë përballë ideve që përhapin dhe mburojë ndaluese përballë epsheve që duan të kënaqin. Po, o  motër, ata shqetësohen dhe assesi nuk mund të durojnë nderin dhe turpin tënd, ndaj dëshirojnë t’i bashkohesh karvanit të perëndimoreve të prishura. E gjithë kjo, me qëllim që ata të kënaqin epshin dhe të realizojnë ëndjet e tyre. Kujdes nga ata, unë sinqerisht po të këshilloj.

Pëshpëritja e katërt: Mbroje gjuhën nga përgojimi dhe futja e kallave, sepse ato fshijnë sevapet dhe hanë shpërblimin e punëve të mira. Allahu thotë: “Të mos e përgojojë askush dikë tjetër, mos vallë dëshiron dikush të hajë mishin e vëllait të vdekur, ndërsa e urreni…”.

Larg atyre mexhliseve, ku ndodhin këso lloj gabime dhe mëkate. Allahun përkujtoje sa më shumë dhe lexo Kur’an më tepër, sepse këto të dyja janë shpëtim prej atyre gabimeve.

Pëshpëritja e pestë: Mundohu – Allahu të ruajttë – që t’i kuptosh dispozitat e fesë dhe çështjet e besimit. Të këshilloj lexim të librave të dobishëm dhe këshillave përmbledhëse, nga librat e dijetarëve dhe hoxhallarëve tanë. Mos harro të jesh e pranishme në mexhliset e dijes, sepse aty mund të arrish dijen e kërkuar.

Përkujto fjalën e të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem: “Kush ecën një rruge për të kërkuar dije, Allahu ia lehtëson rrugën për në xhenet”.

Pëshpëritja e gjashtë: O besimtare, vazhdimisht nga historia lexojmë biografitë e grave të mëdha, të cilat kanë sakrifikuar mundin dhe kohën për të edukuar trima dhe njerëz të mëdhenj, kanë marrë pjesë në përgatitjen e shëmbëlltyrave ndriçuese. Për këtë ka folur bota, madje është thënë:

“Pas çdo edukimi madhështor, fshihet një grua madhështore”.

Pra, a do gdhendësh edhe ti emrin tënd në murin e kohës, a do pikturosh veprën tënde në pllakën e historisë, duke prodhuar një gjeneratë të dalluar dhe të veçantë, ku do mbjellësh dashurinë ndaj fesë dhe umetit dhe ku do vendosësh shpirtin e sakrifikimit?!

Fillo që tani, o motër, se nuk të shkon mundi kot dhe puna nuk të humbet. Allahu thotë: “Thuaj: Punoni, se Allahu do të shohë punën tuaj, e po ashtu edhe i Dërguari dhe besimtarët”.

Pëshpëritja e shtatë: E nderuar, shtoji adhurimet vullnetare, jep vazhdimisht mund dhe sadaka dhe bëhu e para në këtë garë… që përfundon në xhenetin e gjerë sa toka dhe qiejt. Allahu ka thënë: “Bëni gara drejt faljes së Zotit tuaj”, dhe ka thënë: “dhe në të, le të garojnë ata që dëshirojnë garën”.

Urdhëro, pra, o motër, se mejdani është i gjerë dhe rruga është e gjatë. Furnizohu me furnizim të besimit, armatosu me armën e respektit ndërsa… takimi është në xhenet.

Pëshpëritja e tetë: E nderuar, a e ke dëgjuar tregimin e gruas Umu Salih?

Ajo ishte një grua plakë që kishte dëgjuar për vlerën dhe shpërblimet e mëdha nga thirrja në rrugë të Allahut, kështu që, me familjen e saj, u vendos në një fshat, për t’i mësuar, këshilluar dhe ndihmuar grave të atij fshati. I lumtë! Ku janë ato që do të marrin këtë shembull?!

Allahu ka thënë: “Le të ketë nga ju, që do të thërrasin në mirësi, do porosisin në të mira dhe do largojnë nga të këqijat”. A do t’i nënshtrohesh kësaj thirrjeje të Zotit dhe a do marrësh mësim nga kjo këshillë e Allahut të madhëruar? Shpresoj se po…

Pëshpëritja e nëntë: O besimtare, shumë prej grave janë të mallëngjyera që brengat t’i ndajnë me dikë, mërzitë dhe dhembjet t’i përgjysmojnë me dikë… ato kanë nevojë për gra të mira si ti. Andaj, shpejto – Allahu të ruajt – të qëndrosh afër motrave të tua dhe bëhu ndihmë për ta që ta respektojnë Allahun edhe ato.

Madje, udhëzoji ato në mirësi dhe shpëtim, sepse – shpresoj – ti je e aftë për këtë dhe vazhdimisht përkujtoje fjalën e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem: “Vallahi, të udhëzojë Allahu ndonjë person duke qenë ti shkak, është më mirë për ty, sesa të posedosh devetë e kuqe (pasuri e jashtëzakonshme për atë kohë)“.

Pëshpëritja e dhjetë: Të këshilloj leximin e biografive të grave të mira nga e kaluara, të cilat dhanë shembuj të paparë si shëmbëlltyra të rralla dhe të veçanta. Vërtetë, në biografitë e atyre grave ka këshilla dhe mësime, margaritarë dhe xhevahire.

Po të kisha më shumë hapësirë, do të përmendja disa shembuj ndriçues dhe fotografi nga lajmet dhe gjurmët e tyre. Shpresoj ta bëj këtë në ndonjë temë të ardhshme, me lejen e Allahut. Sidoqoftë, unë të referoj në librat e historisë, se aty ka edhe më shumë…

Allahu të marrtë në kujdesin e Tij, të bëftë të lumtur dhe të ruajt…

 (botuar në revistën Albislam nr.49)

Përktheu: Omer Berisha