Pyetje: Dua t’i kem frikë Allahut, më ndihmoni?

Përgjigje: Pyetjen që ke bërë është e shkurtë dhe e mirë, kjo është nga pyetjet më madhështore që mund t’i bëjë njeriu. Është pyetje për diçka që ta rregullon fenë dhe jetën tënde, sepse kush arrinë frikën ndaj Allahut, ai shpëton në dynja dhe ahiret. Allahu ka thënë: “Kush bën vepra të mira qoftë mashkull apo femër duke qenë besimtar, ne do t’i japim atij një jetë të mirë dhe gjithsesi do t’ua japim shpërblimin më të mirë për shkak të asaj që kanë vepruar”.

Nëse dëshiron t’i kesh frikë Allahut, kujdes për dy gjëra themelore!

Gjëja e parë: Të veprosh në bindje ndaj Allahut, pra duke zbatuar farzet dhe duke ikur nga haramet. Gjithçka që e di se është haram, largoju! Gjithçka që e di se është detyrim, bëje! Duke dhënë maksimumin që mundesh, siç ka thënë Allahu: “Kini frikë Allahun aq sa mundeni”.

Gjëja e dytë: Ta ruash atë frikë ndaj Allahut, pra devotshmërinë. Nuk mjafton thjeshtë arritja e devotshmërisë, por është e domosdoshme bërja e shkaqeve që të ndihmojnë ta ruash atë. Këtu duhet ta kesh të qartë se puna e mirë, ashtu siç kërkon ambicie dhe vendosmëri për ta bërë gjithashtu kërkon ambicie dhe vendosmëri për ta ruajtur. Në këtë kuptim është fjala pra, se devotshmërinë duhet ta ruash duke u larguar nga shkaqet që të çojnë ty drejt rënies në haram.

Për shembull, kur dëshiron ta ruash shikimin nga harami, nuk mjafton ulja e shikimit (mbyllja e syve), por doemos duhet t’u ikësh vendeve që të çojnë drejt atij shikimi si dhe t’u ikësh vendeve që ta nxisin dëshirën drejt haramit. Me fjalë të tjera: T’i bësh farzet dhe gjithçka që të çon nga farzet dhe t’u lagohesh harameve dhe gjithçka që të çon nga haramet. Krejt kjo, konsiderohet frikë prej Allahut.

Këtu duhet të përmendim edhe kujdesin për tu shoqëruar me njerëz të mirë. Nga gjërat më të mëdha që të ndihmojnë dhe të përqendrojnë në frikën ndaj Allahut është shoqëria e mirë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, na ka mësuar se njeriu është në fenë e shokut. Ai, gjithashtu na ka thënë: “Mos u shoqëro përveçse me besimtarin dhe ushqimin tënd të mos e hajë askush përveç të devotshmit”. (Tirmidhiu)

Në këtë kuptim është edhe fortifikimi i vetvetes nga harami me bashkëshort/e besimtar/e, siç na ka porositur Pejgamberi, alejhi salatu ue selam: “O të rinj, kush prej jush ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse më lehtë e ruan shikimin dhe e ruan organin”. (Buhari dhe Muslimi)

Ti pra, do të kujdesesh për këto dy gjëra themelore, të cilat nëse i realizon do t’i kesh frikë Allahut.

Po ashtu, devotshmëri është të mësosh përpara se të punosh. Doemos duhet dija dhe kuptimi përpara fjalës dhe punës, në mënyrë që të kesh frikë nga Zoti me dritë (dituri) dhe udhëzim. Nëse këtë e bën, ti ke arritur fitoren në dynja dhe ahiret, ke gjetur rrugëdaljen në të dyja botët dhe ke shpëtuar në të gjitha çështjet. Allahu ka thënë:

“Kush i ka frikë Allahut, Ai i jep rrugëdalje dhe i jep risk prej nuk e mendon”

“Kush i ka frikë Allahut, Ai i jep lehtësim në çështjet e tij”

“O ju që besuat, nëse i keni frikë Allahut, Ai do t’jua jep dallimin” dallimin e qartë mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

“Allahu është me ata që i kanë frikë Atij dhe që janë bamirës”.

Allahun e lusim që neve dhe ty, të na bëjë nga të devotshmit, të ta zgjerojë gjoksin dhe të ta lehtësojë çështjen në dynja dhe ahiret.

Suksesi është në duar të Allahut!