Pyetje: Hoxhë i nderuar, desha të pyes kur fillojnë tre muajt e mëdhenj sivjet, në cilën datë? Allahu ju shperbleftë!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Viti i ka dymbëdhjetë muaj, prej të cilëve katër janë të shenjtë, tre janë radhazi: Dhuk Kade, Dhul Hixhe dhe Muharem ndërsa Rexhebi është vet, midis Xhumade Thani dhe Sheval”.[1] Në këto muaj është i ndaluar fillimi i luftës si dhe gjynahet që bëhen në këto muaj janë më të rënda sesa në muajt e tjerë.

Ndërsa në popullatën tonë është e njohur shprehja “muajt e mëdhenj” me të cilën kanë për qëllim muajt: Rexheb, Shaban dhe Ramazan. Në këto muaj te populli jonë shtohet agjërimi, sidomos i ditëve të hëna dhe të enjta, por sa është i saktë ky veprim?

Emërtimi i këtyre tre muajve si “të mëdhenj” është i pambështetur në argumente nga Kurani apo Suneti, ndërsa duhet sqaruar dhe dalluar mirë se:

– Agjërimi i ditëve të hëna dhe enjta është i preferuar gjatë tërë vitit pa bërë dallim nga një muaj dhe tjetri, ngase Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:“Veprat shfaqen tek Allahu ditën e hënë dhe ditën e enjte, e unë dua që veprat e mia të shfaqen derisa jam agjërueshëm”[2].

– Muaji Rexheb nuk ka ndonjë veçori për sa i përket agjërimit, agjërimi në të është sikur në muajt e tjerë. Muaji Rexheb është muaj i shenjtë së bashku me muajt Dhul Kade, Dhul Hixhe dhe Muharem, kurse futja e muajit Rexheb në një emërtim të ri “muajt e mëdhenj” së bashku me muajt Shaban dhe Ramadan ka nevojë për mbështetje nga tekstet fetare, gjë që realisht nuk e ka.

– Në fakt përmenden shumë hadithe për vlerën e muajit Rexheb por që nuk i gjen dot as në koleksionet e haditheve të sajuara dhe të rrejshme, kurse sa i përket hadithit aq të përhapur se “kur hynte muaji Rexheb, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, lutej: O Allah na beko në Rexheb dhe Shaban dhe na bëj ta arrijmë Ramazanin” është hadith që e kanë shënuar imamët: Ahmedi, Taberani, Bejhekiu dhe Ebu Nuajmi me zinxhir nga Enes ibën Maliku, radijallahu anhu, por imamët e hadithit si Neveviu në librin El-Edhkar (fq.189), Ibën Rexhebi në librin Letaiful Mearif (fq.121) dhe Albani në librin Daiful Xhamië (nr. 4395) kanë thënë se hadithi është i dobët.

– Në muajin Shaban është e pëlqyer të agjërojmë sa më shumë, ngase nëna Ajshe, radijallahu anha, ka thënë: “Nuk e kam parë Pejgamberin asnjëherë të agjërojë në ndonjë muaj më shumë sesa agjëronte në Shaban, ai e agjëronte tërë Shabanin, ai e agjëronte tërë Shabanin përveçse pak”.[3]

Këtë vit, ky muaj (Shaban) do të fillojë inshallah më 18 Prill 2018 dhe mund të agjërojmë sa më shumë, përveçse një apo dy ditë para se të fillojë Ramazani, nuk guxojmë të agjërojmë sepse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem“ndaloi të agjërohet një ditë para Ramazanit, dita e Kurban Bajramit, dita e Fitër Bajramit dhe ditët e teshrikut”[4]. Ditët e teshrikut janë tre ditët pas ditës së parë të Kurban Bajramit për ata që janë në Haxh.

Allahu na ndihmoftë që sa më shumë ta përmendim dhe sa më mirë ta adhurojmë.

[1] Buhariu (nr.4662) dhe Muslimi (nr.1679)

[2] Sahihu Tergib (nr.1041)

[3] Sahihu Muslim (nr.1156)

[4] Sahihul Xhami (nr.6964)