I Dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

(المسجد بيت كل تقيّ وتكفل الله لمن كان المسجد بيته بالروح والرحمة والجواز على الصراط إلى رضوان الله إلى الجنة)

“Xhamia është shtëpi e çdo të devotshmi. Allahu ka garantuar që kush e ka xhaminë shtëpi t’i jep ndihmë, mëshirë dhe kalim mbi urën e Siratit drejt kënaqësisë së Allahut në xhenet”.
Përderisa xhamia është një shtëpi për njerëz të veçantë, atëherë duhet të kemi kujdes që edhe sjellja jonë të jetë e veçantë, njëjtë sikur kemi kujdes kur vizitojmë ndonjë shtëpi apo pallat të ndonjë personi të veçantë.

Edukatën që duhet ta përvetësojmë lidhur me xhaminë mund ta përmbledhim me këshillat në vazhdim:
1. Që nga nisja për në xhami apo për diku tjetër duhet filluar me duanë e daljes nga shtëpia, e që është:

بسم الله توكلت على الله ولا حول ولا قوة إلا بالله

“Me emrin e Allahut, u mbështeta tek Allahu. Nuk ka lëvizje dhe as forcë pa Allahun”.
2. Përgatitja me pastërti, abdes dhe rroba të pastra nga shtëpia. I dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

من تطهر في بيته ثم مضى الى بيت من بيوت الله، ليقضي فريضة من فرائض الله، كانت خطواته إحداها تحطّ خطيئة والأخرى ترفع درجة

“Kush merr abdes në shtëpinë e tij dhe pastaj shkon në ndonjë prej xhamive për të falë ndonjë prej farzeve, të gjitha hapat që do t’i bëjë: një do t’i fshijë një të keqe e tjetri do ta ngrejë një shkallë”.

3. Kujdesi për të qenë i pranishëm në xhami sa më shpesh edhe nëse me vendbanim je larg. Ebu Musa përcjellë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

إن أعظم الناس أجرا في الصلاة أبعدهم إليها ممشى فأبعدهم، والذي ينتظر الصلاة حتى يصليها مع الإمام أعظم أجرا من الذي يصليها ثم ينام

“Njerëzit me shpërblime më të mëdha në namaz janë ata që duhet të ecin prej më së largu. Ai që e pret ta falë namazin me imam ka shpërblim më të madh sesa ai që e falë dhe bie në gjumë”.

4. Është sunet që gjatë hyrjes në xhami, të hyjë me këmbën e djathtë dhe të thotë duanë e hyrjes në xhami, nga të cilat është edhe:

بسم الله اللهم صل على محمد اللهم افتح لي أبواب رحمتك

“Me emrin e Allahut. O Allahu im bekoje Muhamedin, o Allahu im m’i hap dyert e mëshirës Sate!” kurse gjatë daljes nga xhamia është sunet të bëjë këtë lutje:

بسم الله اللهم صل على محمد اللهم افتح لي أبواب فضلك اللهم اعصمني من الشيطان الرجيم

“Me emrin e Allahut. O Allahu im bekoje Muhamedin, o Allahu im m’i hap mua dyert e mirësive Tua! O Allahu im më ruaj nga shejtani i mallkuar!”

5. Pasi të hyjë dhe shehë njerëz që rrijnë, është sunet i fortë t’i përshëndesë me përshëndetje islame, por nëse janë të angazhuar me lexim Kurani, dëgjim ligjërate, falje namazi apo dëgjim hutbeje atëherë nuk është mirë, madje gjatë hutbes as që lejohet.
E nëse nuk ka asnjeri, disa dijetarë kanë thënë që ta thotë këtë përshëndetje:

السلام علينا وعلى عباد الله الصالحين

“Paqja qoftë me ne dhe me robërit e mirë të Allahut”.

6. Është e pëlqyer (sipas disa dijetarëve: vaxhib) t’i falë dy rekate përshëndetëse për xhaminë saherë që të shkojë në xhami, sepse Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka porositur:

إذا دخل أحدكم المسجد فليركع ركعتين قبل أن يجلس

“Kur dikush prej jush hyn në xhami, le t’i falë dy rekate përpara se të ulet”.

Këtu, dijetari i madh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka dhënë një vërejtje me vend, e cila thotë: Ky sunet vlen vetëm për xhami dhe jo për objekte të caktuara si faltore d.m.th. nëse një objekt nuk është xhami por është vetëm një lokal i përkohshëm që përdoret si xhami, atëherë ky sunet nuk vlen. Allahu e di më së miri.

7. Lejohet haja, pija dhe fjetja në xhami, Ibën Omeri, radijallahu anhu, ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ndodhte që të flemë në xhami”. Por, më e mira është që asnjëra nga këto të mos praktikohet brenda xhamisë.

8. Faculetat apo parfumet që vendosen në xhami janë vakëf për në xhami d.m.th. përdorimi i tyre është i dedikuar për në xhami, kështu që duhet të jemi ekonomik në ato dhe nuk është e lejuar t’i marrim jashtë xhamisë apo të parfumosemi përpara daljes nga xhamia.

9. Muslimani duhet të ketë kujdes të madh që para xhematlive të tjerë të mos pastrojë hundën apo fytin, sidomos kur xhamia është e vogël dhe zëri i tij do të shqetësojë dhe gërditë një pjesë të xhematit.
Po ashtu kur i vije të teshtijë apo të kollitet duhet të mbulojë hundën gjegjësisht gojën në mënyrë që të mos shqetësojë askënd.

10. Secili prej nesh duhet të kujdeset për pastërtinë e xhamisë duke mos shkaktuar papastërti me faculeta, me qime flokësh, me çorape kundërmuese etj.

11. Secili duhet të kujdeset që të ze safin e parë në xhami, e pastaj ashtu me radhë për shkak të vlerës së madhe që ka. Nëse tashmë ka ardhur në xhami, si ka mundësi të lejojë t’i ikë një shpërblim i caktuar për të cilin nuk ka asnjë lodhje?!

12. Prezenca e fëmijëve ndër moshën shtatë vjeçare apo e njerëzve me të meta psikike në xhami duhet të minimizohet aq sa ka mundësi.

13. Biseda para dhe pas namazit në xhami për çështje të dynjasë nuk është e lejuar, përveç kur njeriu është i detyruar d.m.th. nëse xhamia nuk ka oborr apo hapësira tjera të caktuara.

14. Besimtari duhet të dojë për vëllanë e vet atë që e do për vete. Nëse e sheh ndonjërin duke bërë një gabim duhet të kontribuojë që ta përmirësojë me dashamirësi dhe sinqeritet, e assesi ta nënçmojë dhe t’ia bëjë me dije se ky po di e ai nuk po di.

15. Ulja e zërit gjatë bisedave apo edhe gjatë leximit të Kuranit në përgjithësi e pas thirrjes së ezanit në veçanti. Saib ibën Jezid radijallahu anhu tregon: Duke ndenjur në xhami më preku dikush dhe kur ktheva kokën e pashë që ishte Omer ibën Hattabi, i cili më tha: Pa mi thirr ata dy persona! Kur i thirra, i pyeti: Prej nga vini ju? “Nga Taifi”- i thanë ata. Sikur të kishit qenë nga Medina do hanit dajak, si mund ngreni zërin në xhami?!

16. Në xhami shkohet për t’iu bind Allahut dhe për të fituar shpërblime kështu që, gjithë së bashku, imami, muezini dhe xhemati duhet të kontribuojnë që sa më mirë ta realizojnë këtë qëllim madhështor dhe t’i flakin të gjitha shkaqet që çojnë drejt mospajtimeve, konflikteve dhe përçarjeve. Duhet të jenë të një fjale kur bëhet fjalë për organizime të mësimit të Kuranit apo mësimeve tjera fetare. Asnjëri nuk duhet ta harrojë hadithin:

(من يرد الله به خيرا يفقه في الدين)

“Kujt Allahu ia do të mirën, ia mundëson ta kuptojë Fenë”.

17. Qenia aktiv në gjithçka që i kthehet xhamisë me dobi. Të kontribuosh me të holla dhe me trup që xhamia të ndërtohet, të shtrohet, të zbukurohet dhe të mirëmbahet tregon për dashurinë tënde ndaj këtij vendi të adhurimit dhe të mundëson fitimin e shpërblimit. Enes ibën Malik, radijallahu anhu, ka thënë: “Kush dhezë një qiri (për ndriçim) në xhami, nuk do të ndalen melaiket duke kërkuar falje për atë person derisa të bëjë dritë ai qiri”.

Allahu na i mundësoftë realizimin e kësaj sjellje dhe na bëftë njerëz të xhamisë!

(hutbe më 8 Maj 2015 në xhaminë Bujaria, Linz)