Tema e seksualitetit në Islam nuk është tabu, mirëpo në trajtimin e tij kanë një rëndësi të veçantë konceptet e turpit dhe të nderit, sepse „ndjenja e turpit është pjesë e imanit“ (Buhariu, 24). „Sa të mira ishin gratë nga Medina! Ato nuk i pengonte turpi për ta mësuar fenë“ (Muslimi, 322) – shprehej gruaja e Profetit, Ajsha, Zoti qoftë i kënaqur prej saj.

Përderisa në kulturat perëndimore i jepet rëndësi të dukshme që organet gjenitale të emërtohen pa pardon kur është nevoja, në gjuhën arabe ka afër 900 fjalë, sinonime me të cilat shprehet marrëdhënia intime (akti seksual). Disa nga ato fjalë përmenden edhe në Kuran, sikurse nikāḥ, zinā, fāḥisheh, farğ, mubasherah, lems, rafaṯ, biġā dhe mu`asherah.

Të rëndësishëm e konsideroj faktin se urdhëresat dhe ndalesat te tema e seksualitetit vlejnë sikur për femrat ashtu edhe për meshkujt. „Dhe nuk është e lejuar është për besimtarin dhe besimtaren kur Allahu dhe i Dërguari i Tij e caktojnë një gjë, ata të bëjnë zgjedhje në atë gjë. Kush e kundërshton Allahun dhe Pejgamberin e Tij, ai me siguri ka humbur.“ (Kuran, 33:36).

Në këtë kontekst dua të ndërlidhem me debatin rreth edukatës seksuale si lëndë fetare nëpër shkolla fillore dhe të mesme. „Gjykimi ndaj diçkafit është degëzim i konceptimit të tij“ na thotë rregulla fetare. Prandaj, përpara se lëndën e edukatës seksuale ta quajmë haram ose thirrje në shfrenim, duhet ta mësojmë se çfarë synohet me të. Shumë prindër druajnë se në atë lëndë vetëm rreth aktit seksual flitet.

Në Zvicrën gjermanishtfolëse, edukimi seksual zhvillohet gjatë shkollimit të detyrueshëm, dhe ka këto qëllime edukative:

  • Trajtimi i ndjenjave dhe nevojave të gjinive të kundërta.
  • Orientimi se një djalë ose vajzë ku ka mundësi të merr ndihmë nëse ka probleme.
  • Shprehja e arsyeshme gjuhësore për çështjet seksuale.
  • Të drejtat e barabarta të gjinive.
  • Koncepti i familjes në raport me individin dhe shoqërinë.
  • Njohja me karakteristikat e trupit dhe funksionet e trupit mashkullor dhe femëror, me zhvillimet në pubertet, me pjellorinë dhe shtatzëninë si dhe me mundësitë për parandalimin e një shtatzanie të padëshiruar.
  • Nxënësi mund të njeh sulmet seksuale dhe dhunën seksuale qartësisht dhe di se si të mbrohet.
  • Sqarimi i koncepteve miqësi, dashuri, martesë dhe partneritet.
  • Vlerat dhe standardet në bashkëjetesën mes njerëzve në përgjithësi dhe mes gjinive në veçanti.
  • Njohja e përgjegjësisë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.
  • Respektimi i formave të ndryshme të bashkëjetesës.
  • Njohja me rreziqet dhe simptomat e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe mbrojtja e vetes nga ato.

Tani, nevoja që shumicën e këtyre synimeve ta arrijnë edhe fëmijët myslimanë për mua si hoxhë dhe si mësues i lëndës fetare islame është shumë e qartë. Duke marrë parasysh faktin se as imamët nëpër xhami dhe as prindërit nëpër shtëpi nuk i shpjegojnë këto tema, atëherë mundësia më e mire do të ishte që këto tema të mësoheshin nga pedagogë/e specialistë dhe nuk guxojmë që fëmijët të lihen në fatin e tiktokut, instagramit dhe burimeve tjera të pafrena.

Dikush mund të më qortojë lidhur me disa nga synimet e lartpërmendura, por do t’i them se ato ishin vetëm një shembull nga shkollat zvicerane. Sigurisht që, gjatë hartimit të kurrikulave ato synime mund të përpunohen tutje dhe të përshtaten me nënqiellin shqiptar, ku tradita dhe edukata fetare nuk duhet lënë anash. Lënda e edukatës fetare do sillte një gërshetim kuptimplotë në këtë kuptim; p.sh. nëse në lëndën e edukatës seksuale e mësojnë si të mbrohen nga shtatzania e padëshiruar, në lëndën fetare islame do ta mësojnë se akti seksual nuk lejohet në asnjë mënyrë para se të ndodh martesa. Gjithashtu lëvizjet qytetare duhet të kenë zërin e tyre me nënshkrime e protesta që në kurrikulat përkatëse të mos lihen anash edhe vlerat tradicionale, si p.sh. promovimi i familjes, shumimit, nderit, turpit e të ngjashmeve. Një mësuese zvicerane shprehet përafërsisht: “Kur temat janë “hot” atëherë ne e mbajmë mësimin ndaras, vajzat veç dhe djemtë veç”.

Unë do dëshiroja që ajo lëndë të mësohet nëpër shkolla kurse për ato pika që mendojmë se duhet korrigjuar ose plotësuar, do të na duhet të riaktivizohen derset e fikhut nëpër xhami dhe mektebe, ku ato tema që në shekujt e parë të Islamit janë shpjeguar, madje me imtësi.

Omer Berisha, 18.05.2021

Burime:

  • Kurani Famëlartë
  • Muhammad ibn Ismail Al-Buḫārī, 2001, al-Ṣaḥīḥu l-Ǧāmi`
  • Muslim ibn Ḥaǧǧaǧ an-Naysābūrī, al-Musnad as-Ṣaḥīḥ al-Muḫtaṣar
  • Roswitha Bardy, Überkommene Sexualmoral auf dem Prüfstand: Tendenzen unter jungen Musliminnen und Muslimen (PDF)
  • SZIG-Papers 3, 2018, Islam, Gender und Sexualität (PDF)