Dikush më pyeti: Hoxhë, nëse shoh lagështi në rrugën nga po ec, sidomos këtu në Evropë, a është farz të bëj një hap të gjerë duke kërcyer që ta kapërcej mirë, pa shkelur aty fare? Pse? – i thashë me habi. Po ndoshta ndonjë qen aty ka kryer nevojën – mu përgjigj ai, i habitur me paditurinë time.

Ky nuk është rast i izoluar. Dëgjojmë, shohim dhe lexojmë shpeshherë të këtillë, që i stërhollojnë gjërat, me qëllim për të zbuluar „mëkate“ të reja. Qëllimi i tyre, në rastin më të mirë është gatishmëria për të heq dorë nga gjithçka që është mëkat; të këtillët sfidojnë vetveten deri në skajshmëri që të tjerëve ndoshta as që u bie ndërmend. Nga kjo shtresë e njerëzve ka edhe mjaft qëllimkëqinj, të cilët synojnë gjykimin e të tjerëve për mëkatarë dhe asisoj të ndihen superiorë kundrejt të gjithëve. Këta shkaktojnë dëme të mëdha sociale dhe psikike në shoqërinë muslimane. Ky grup përbëhet në përgjithësi nga njerëz të rinj, jo të rinj në moshë por të rinj në fe.

Grupi tjetër ekstrem janë ata që gjithashtu duan të mos bëjnë mëkate, jo vetëm personalisht, por kanë dëshirë që asnjë njeri ta shohin duke bërë mëkate. Për dallim nga të parët, këta thirren në dije dhe në shkencë, porse, për çudi, nuk i stërhollojnë gjërat por i shohin ato me këndvështrime si vijon: „Allahu i do krijesat e Tij“; „ato gjëra të vogla nuk gjenden në Kuran“; „ka edhe mendime të tjera“; „hadithet janë vetëm transmetime jo doemos të vërteta“; „shkencërisht nuk mund të vërtetohet“ si dhe arsyetime tjera të ngjashme. Arsyetime këto, që rezultojnë me dobësimin e religjiozitetit deri në atë shkallë që, do të shpreheshin: i vetmi mëkat që ekziston është mohimi i ekzistencës së Zotit, gjë që shumë pak njerëz e bëjnë. Këta janë në gjendje të mohojnë gjithçka, vetëm e vetëm që të mos e quajnë një vepër mëkat ose një njeri mëkatar.

Ajo çfarë të dyja ato grupe ekstreme i bashkon është mosnjohja e teksteve fetare dhe e praktikës së muslimanëve të parë si dhe vullneti i zjarrtë për të mos bërë mëkate fare.

Mesataria islame na mëson se çështja e mëkatit është më se normale për llojin e njerëzimit. Allahu i Lartësuar thotë: „dhe pendohuni tek Allahu të gjithë ju o besimtarë, në mënyrë që të shpëtoni“, pra, edhe besimtarët bëjnë mëkate, prandaj duhet të pendohen. I Dërguari ﷺthotë: „Sikur ju të mos mëkatonit, Allahu do t’ju zhdukte dhe në vend tuajin do sillte njerëz që mëkatojnë dhe pastaj pendohen.“ Mesataria islame na mëson se mëkatet janë të qartësuara me Kuran dhe Sunet dhe me kuptimet e shumanshme që japin ata për ata që logjikojnë deri në Ditën e Kiametit. Mesataria islame na mëson se Allahu nuk e shpalli këtë Fe për të na krijuar vështirësi. Mesataria islame na mëson se mëkati është personal dhe se një njeri që bën mëkat nuk është doemos i keq, aq më pak i kërcënuar me xhehenem. E jona është këshilla ndaj njëri-tjetrit por jo gjykimi, sidomos gjykimi për në botën tjetër. „Një njeri kish pas thënë: Pasha Zotin: Zoti nuk do ta fal filanin. Kurse Allahu kishte shpall: Kush është ky, i cili dëshiron të bëhet zot mbi Mua? Unë atij filanit ia fala ndërsa këtij ia zhduka veprat“. (Muslimi 2621)

Për fund, po ju lë të reflektojmë së bashku nga një tregim nga historia islame:

Poeti abasid Ebu Nevas thuhet se ishte i njohur me mëkate, paturpësi dhe pirje të alkoolit, aq sa i kishin dhënë llagapin „poeti i dehjes“.

Ndër vargjet e tij qenë:

Lëri xhamitë për ibadetçorët, le të shkojnë

Duku nga ne, pranë kamarierit, le të na shërbejë,

Zoti askund nuk tha: mjerë për ata që dehen

Porse në Kuran tha: „mjerë për ata që falen“.

Kalifi Harun Rashid për shkak të këtyre lloj vargjeve deshi t’i heq qafën, por ai shpëtoi kur e preku kalifin me ajetin: “poetët… thonë gjëra që nuk i veprojnë“ (Shuara 226). Kur poeti vdiq, imam Shafiu nuk deshi t’ia falte namazin e xhenazes, mirëpo kur morën ta lajnë, gjetën tek rrobat e tij një letër me këto vargje:

O Zot, nëse mëkatet e mia janë të mëdha dhe të shumta

ajo është sepse qeshë i bindur se falja Jote është më e madhe.

Nëse shpresë te Ti do mbante vetëm bamirësi

ku do strehohet vallë keqbërësi?!

Të lutem o Zot me përgjërim, ashtu siç ke urdhëruar

nëse Ti më refuzon, kush ka për të më mëshiruar?!

Përveç shpresës në Ty, unë nuk gjej derman

por dhe butësisë Sate ndaj meje, që jam musliman.

Pasi e kish lexuar imam Shafiu këtë, kishte qarë fort dhe ish ngritur së bashku me të gjithë muslimanët t’ia falin xhenazen.