Ka mundësi të habiteni nga titulli por habia do t’ju zhduket pasi ta sqaroj qëllimin. Këtë do ta kuptoni nga tregimi në vazhdim:

Imam Maliku qe ulur si zakonisht në xhaminë profetike për të transmetuar hadithe nga Profeti, alejhi salatu ue selam. Nxënësit e kishin rrethuar për të dëgjuar nga ai. Ndërkohë, dikush thirri me zë të lartë: „Në Medinë paska ardhur një elefant i madh!“ Banorët e Medinës nuk kishin parë elefant para këtij rasti ndoshta, meqë Medina nuk është vend ku jetojnë elefantë. 

Pas atij lajmi, të gjithë nxënësit me vrap dolën për të parë elefantin dhe e braktisën Malikun. Me përjashtim të Jahja ibën Jahja el-Lejthi-ut.

Pse nuk dole me të tjerët? – e pyeti imam Maliku.

Udhëtova deri këtu për të dëgjuar Malikun dhe jo për të parë elefantin – tha Jahjai.

Kur meditojmë rreth tregimit, gjejmë se vetëm njëri nga të pranishmit e dinte pse kish ardhur dhe çfarë qëllimi kishte. Nuk u shpërqendrua dhe nuk derdhi mundin e tij djathtas-majtas. Kurse të tjerët, dolën për tu shëtitur. Shihni pra se çfarë dallimi pati mes tyre!

Prandaj është e qartë se ai që cakton qëllimin e tij dhe kërkon ndihmë nga Zoti për ta realizuar atë, do ta arrijë gjithsesi. Jo rastësisht, transmetimi i librit el-Muvatta’ të Imam Malikut nga Jahja el-Lejthiu mbeti transmetimi më autentik. E ata nxënësit që vrapuan pas elefantit, nuk i përmend fare historia.

Elefantë sikur ai, kemi edhe sot por me forma dhe metoda të llojllojshme. Sidomos në Ramazan.

Njerëzit gjatë Ramazanit janë dy lloj:

a. ai që ka caktuar qëllimin e tij, që e di se çfarë dëshiron nga Ramazani dhe cilat fryte do t’i përfitojë nga ky muaj.

b. ai që është i shkujdesur, i shpërqendruar dhe që humb kohën kot, të cilin e mashtrojnë „elefantët“ e ndryshëm.

Kanalet televizive janë një elefant;

serialet dhe filmat janë një elefant;

muzika, përgojimi dhe të ngjashmet janë një elefant;

Fejsbuku, Vatsapi, Instagrami etj. janë një elefant i kësaj kohe.

Kujdes nga çdo elefant, sepse mund të ta prish kohën më të mirë të vitit!

Caktoji qëllimet e tua në Ramazan, kërko përkrahjen nga Allahu, mos u bëj dembel dhe mos u shpërqendro!

Vërtetë, i privuari është ai që privohet nga sevapet në muajin e sevapeve. 

Të mashtruarit janë ata që shesin mallin e shtrenjtë për ndonjë çmim të ulët.

E lusim Allahun të jemi fitimtarë dhe të pranuar, në Ramazan por dhe jashtë tij! Amin

#përkthimOB