Imamët Buhariu dhe Muslimi përcjellin nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

“Vërtetë Allahu ka 99 emra, njëqind pa një, nuk ka kush që i mëson ato e të mos hyjë në xhenet. Ai është tek dhe e do tekun”.

Nga emrat e tij të bukur është edhe emri “el-Aziz” që d.m.th. krenar, i paarritshëm.  Ibën Kethiri ka thënë: El-Aziz d.m.th. Ai është krenar mbi gjithkënd dhe gjithçka, ka bërë gjithkënd të nënshtruar dhe nuk mund të arrihet në asnjë mënyrë për shkak të krenarisë, madhështisë dhe lartësisë së Tij”.

Ibnul Kajimi thotë se krenaria e Allahut përfshin këto tre lloje:

  1. Krenaria e fuqisë, që aludon edhe në emrin tjetër el-Kavijj.
  2. Krenaria e paarritshmërisë. Pra, Ai vet është i Pasur, nuk ka nevojë për asgjë; robërit nuk mund të arrijnë t’i bëjnë dëm dhe nuk mund të arrijnë t’i bëjnë mirë. I vetmi që sjell dëmin dhe dobinë është vetëm Allahu.
  3. Krenaria e nënshtrimit dhe mposhtjes të të gjitha krijesave. Të gjitha krijesat janë të mposhtura dhe të nënshtruara para Allahut, të gjitha janë të varura nga vullneti i Tij. Nuk ka mundësi të lëvizë askush pa mundësinë dhe fuqinë që ia jep Allahu. Disa kanë përmendur se emri El-Aziz në Kuran është përmendur 92 herë. Allahu ka thënë:

 “Mësoje se Allahu është Krenar dhe i Urtë”.

 “Ai është përcaktimi i Krenarit, të Gjithëdijshmit”.

 

Njohja e këtij emri të Allahut, duhet të jep këto efekte:

Një: Besimi në Allahun e lartësuar se një nga emrat e Tij është El-Aziz, i Cili nuk mposhtet e as arrihet duhet të ndikojë të kemi vetëbesim dhe trimëri të dalluar.

Sepse besimtari i këtij emri e di se Zotin askush nuk mund ta pengojë, askush nuk mund t’ia kthejë urdhrin, çka të dëshiron Ai bëhet edhe nëse njerëzit nuk duan, çka nuk dëshiron Ai nuk bëhet edhe nëse dikush do. Ai që mediton në historitë e pejgamberëve do ta vërejë qartë këtë realitet.

Le të meditojmë pak rastin e Musait, alejhi selam, kur Faraoni me atë fuqi të pakrahasueshme ndër njerëz vendosi të pengojë djemtë e porsalindur dhe urdhëroi që të gjithë të vriten, sepse ishte paralajmëruar se dikush nga këta djem do t’ia rrëzojë pushtetin. Por, ja që el-Azizi vendosi që urdhrin e Vet ta çojë në vend edhe pse mohuesit nuk duan. U lind Musai, alejhi selam, shpëtoi nga vrasja, madje u rrit dhe u mbikëqyr në pallatin e vet Faraonit. E Kur në fund deshi ta vret Musain, Allahu e shkatërroi atë së bashku me gjithë njerëzit e vet.

Dy: Krenar në dynja dhe ahiret mund të jetë vetëm ai që El-Azizi e ka bërë krenar. Allahu ka thënë:

 “Thuaj: “O Allahu im, Zotërues i gjithë pushtetit! Ti i jep pushtetin kujt të duash, dhe Ti ia heq dorësh pushtetin kujt të duash; Ti e bën krenar kë të duash dhe e poshtëron kë të duash. E mira është në dorën Tënde! Ti me të vërtetë, për çdo gjë je i Plotëfuqishëm”.

Kush dëshiron të jetë krenar le ta kërkojë nga Zoti i krenarisë:

“Kush është që do krenarinë, Allahut i takon e gjithë krenaria” pra, kush dëshiron të jetë krenar në dynja dhe ahiret, le t’i përmbahet bindjes ndaj Allahut, sepse vetëm ashtu ia arrin synimin, sepse vetëm Allahu është Pronari i dynjasë dhe i ahiretit, Atij i takon e tërë krenaria.

Allahu i ka qortuar disa njerëz që e kërkuan krenarinë diku tjetër, duke u bërë bashkë me mohuesit, me mendimin se ajo është rruga e krenarisë:

“Ata që u bënë miq me mohuesit e jo me besimtarët. A tek ata po kërkojnë krenarinë, kurse e gjithë krenaria është e Allahut?!”

Sa më shumë që i bindemi Allahut, aq më shumë shtohet krenaria, prandaj njerëzit më krenarë ishin pejgamberët e pastaj besimtarët më të mirë pas tyre.

Fahrudin Raziu ka thënë: Krenaria e gjithkujt varet nga lartësia e shkallës së tij në Fe, pra, sa më e plotë të jetë kjo cilësi tek ai, aq më të rrallë do të jenë njerëzit si ai dhe kështu do jetë më krenar, më i lartë”.

Prandaj, Allahu tha:

“Krenaria i takon vetëm Allahut, pejgamberit dhe besimtarëve”. Po ashtu, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u pati thënë banorëve të Medinës:

“A nuk qetë të poshtëruar, e Allahu ju bëri krenarë?!”

Emirul Muminin Omer ibën Hattabi tha: “Ne jemi një popull që Allahu na krenoi me Islam, e kurdoherë që kërkojmë krenarinë diku tjetër, Allahu ka për të na poshtëruar”.

Pra, kush i bindet Allahut, ai do të jetë krenar. Kush bën mëkate, ai do të jetë i poshtëruar. Prandaj, Pejgamberi, sal’lallahu alejhi ue selem, tha: “Allahu e bëri poshtërimin dhe vogëlsinë për ata që kundërshtojnë mesazhin tim”.

Tre: Lutja Allahun dhe përgjërimi tek Ai me këtë emër. Tirmidhiu shënon nga Enesi, radijallahu anhu, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kur të kesh ndonjë dhimbje, vendose dorën aty ku ke dhimbje dhe thuaj:

“Me emrin e Allahut, kërkoj strehim te krenaria dhe fuqia e Allahut nga sherri i kësaj që po ndjej prej kësaj dhimbje” pastaj, hiqe dorën, e pastaj përsërite me numër tek” (Sahih Sunen Tirmidhi nr. 2838).

Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Ibën Abasi, radijallahu anhuma se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, lutej me këto fjalë:

“O Allahu im, strehohem te Krenaria yte, Ti je Ai që nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Teje nuk ka, që mos të më devijosh. Ti je i gjalli që nuk vdesë kurrë, kurse njerëzit dhe xhindet vdesin”.

Katër: Nga shkaqet e krenarisë dhe lartësise është falja dhe modestia. Muslimi shënon nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

“Lëmosha nuk e pakëson pasurinë, me falje Allahu nuk i shton robit përveçse krenari dhe saherë që dikush është modest Allahu e ngre atë”. (nr. 2586).

Pra, kush falë dikë duke pasur mundësi të hakmerret ai do të rritet në zemrat e të gjithëve në dynja, kurse në ahiret Allahu ia rritë shpërblimin. Po ashtu edhe modestia është ngritje në dynja dhe ahiret.

Pesë: Krejt ajo dobësi, ai poshtërim, nënçmim dhe prapambetje që i ka goditur muslimanët në këto kohë, është rezultat i mëkateve dhe i largimit nga feja. Sikur të kapeshin për këtë fe dhe të punonin sipas saj, Allahu do t’i bënte krenarë dhe do t’i ndihmonte ndaj çdo kundërshtari. Ashtu do të bëheshin zotërinjtë e botës dhe udhëheqësit e njerëzve, njëjtë sikur u ndodhi sahabëve, të cilët arritën të çlirojnë njerëzit nga robëritë e ndryshme, që nga lindja e në perëndim. Allahu thotë:

“Allahu u ka premtuar disave prej jush, që kanë besuar dhe që punojnë vepra të mira – se do t’i bëjë zëvendës në Tokë, ashtu, si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur, dhe që do t’ua shndërrojë atyre – pas frikës, sigurinë. Ata, më adhurojnë Mua, e nuk më bëjnë shok asgjë. E, kush bën mohim pas kësaj, ata janë ngatërrestarë të vërtetë”.

Imam Ahmedi ka shënuar nga Temim ed-Dari se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

“Gjithsesi kjo fe do të arrijë aty ku ka arritur nata dhe dita. Nuk do mbetet shtëpi nga guri apo nga lloçi e që Allahu të mos e fusë aty këtë fe, duke e krenuar krenarin dhe duke e poshtëruar të poshtrin. Krenari me të cilën do ta krenojë Allahu Islamin dhe poshtërim me të cilin do ta poshtërojë mohimin (kufrin); Temimi, radijallahu anhu, thoshte: Këtë e vërtetova në familjen time, krejt që e pranuan Islamin e fituan hairin, nderin dhe krenarinë kurse ata që nuk e pranuan i goditi poshtërimi, nënçmimi dhe xhizja”.

I gjithë lavdërimi dhe falënderimi i takon vetëm Allahut!

Shqipëroi: Omer Berisha