Të nderuara zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra,

Të nderuar hoxhallarë dhe xhematlinj,

ESSELAMU ALEJKUM UE RAHMETULLAHI UE BERAKATUHU

Mirë se keni ardhur në këtë takim, e lus Allahun t’ju shpërblejë me të mirat e Tij të pakufishme!

Biseda për tema të këtilla: toleranca ndaj tjetrit, bashkëjetesa dhe integrimi, ka mundësi të duken si tema të imponuara të kohës moderne, porse gjeneratat e para të muslimanëve, jo vetëm që kanë biseduar për këto tema, por madje kanë gjetur edhe zgjidhje për ato, sepse mësimet e nxjerra nga ajetet që u lexuan më herët, nga hadithi i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam: “Kudo që gjendet butësia aty zbukurohet dhe kudo që gjendet vrazhdësia aty shëmtohet” si dhe nga shumë tekste tjera fetare na garantojnë që jotoleranca dhe armiqësimi me gjithçka të huaj si dhe jointegrimi me shoqërinë ku jeton janë probleme të kapërcyeshme dhe të lehta, nëse vërtetë duam zgjidhje.

Gjatë historisë së lavdishme islame, muslimanët sikundërse ndaj vëllezërve të fesë, po ashtu gjithherë edhe ndaj njerëzve të feve tjera janë sjellur në formën më të mirë, me butësi, me bukuri dhe me drejtësi, sepse pejgamberi i Mëshirës i mësoi se Allahu e ka bërë farz bamirësinë ndaj gjithçkafit.

Ky i Dërguar, Muhamedi, alejhi salatu ue selam, u dërgua për gjithë njerëzimin si pejgamber që d.m.th. të gjithë njerëzit në tokë janë umeti i tij, umet i cili ndahet në dy grupe: umeti që i është përgjigjur thirrjes së tij, pra muslimanët dhe umeti tjetër, jomuslimanët, të cilët duhet të ftohen në këtë rrugë, pra vetëm të ftohen dhe asgjë më shumë. Allahu ka thënë:

فَذَكِّرْ إِنَّمَا أَنْتَ مُذَكِّرٌ * لَسْتَ عَلَيْهِمْ بِمُصَيْطِرٍ

“Përkujto, sepse ti je vetëm përkujtues, e nuk je mbi ta zotërues”.

Toleranca, bashkëjetesa dhe integrimi janë gjëra të mira dhe faktorë stabiliteti e mirëqenieje dhe gjithashtu të mbështetura në fenë tonë, por këtu nuk guxojmë ta perziejmë me asimilimin, sepse asimilimi synon zhdukjen e çdo dallimi dhe çdo të dalluari dhe kësisoj shkakton armiqësi dhe konflikte të pafundme.

Njerëzit e integruar në shoqëri që janë tolerantë ndaj tjetrit dhe në paqe bashkëjetojnë janë sikur sallata me perime të llojllojshme, ku secila ka ruajtuar karakteristikat e veta dhe është shumë e lezetshme dhe gjithashtu e shëndetshme. Izolimi i njerëzve pengon shijimin e llojllojshmërisë së vendit. Kurse asimilimi të pamundëson të ruash vlerat tua dhe të vëresh vlerat e tjetrit. Le të bëjmë së bashku diçka të shijshme dhe me shumë vlerë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë!