Njerëzit e mirë, nxënësit dhe hoxhallarët vizitohen shumë, por a thua çfarë ndodhë në ato takime individuale? A këshillohen? A ia thotë shoku shokut të metat dhe vërejtjet që ka për të?

Në fakt, ajo është nga gjërat më të rënda për ta. Shumë nga ata nuk arrijnë të lëvizin buzën për të shprehur ndonjë vërejtje, ndonjë të metë, lëshim apo gabim që mendon se shoku përballë e ka. Krejt ajo, nga frika e prishjes së raporteve, prishjes së qejfit, mendimit të keq apo rrëzimit të respektit te ky shok për të. E kur e vendosë të shprehë diçka të atillë, ia fillon me ndonjë metodë aq të largët sa ndoshta shoku nuk e merr mbi vete ose nuk ia kupton këndvështrimin.

Atëherë pra, çfarë ndodhë në ato ndeja bilaterale?

Zakonisht fillojnë me këmbime lëvdatash për njëri-tjetrin. Secili shpërblen tjetrin me të mira dhe e lutë Allahun që tu jep sinqeritet dhe kërkon falje. Pastaj nis biseda, secili fillon dhe prezanton punët bamirëse dhe ato në davet që i bën, ndonjëherë e shfaqë edhe ndonjë vepër që ka pasur ndërmend ta mbajë fshehur, pasi që të dy duan të stolisen para njëri-tjetrit duke prezantuar punën, sakrificën dhe mundin që japin për veprat bamirëse dhe ato të davetit. Ndodhë gjithashtu nga disa prej tyre, të fusin shtesa e stolisje në ato vepra me qëllim që të dalin me petk të përshtatshëm që do të rezultojë pëlqim në shpirtin e shokut përballë. Normalisht, gjatë gjithë kohës nuk harrojnë fjalën sinqeritet dhe ‘estagfirullah’.

O vlla fisnik që ia do vetes të mirën: Ishin ulur njëherë Sufjan Theuriu dhe Fudajl ibën Ijadin në një ndejë përkujtimi e llogarie. Kur përfundoi ndeja, Sufjani ndjeu një karikim imanor nga ai mexhlis dhe iu drejtua Fudajlit: Sa të bukura që janë këto ndeja!

-Jo, por sa të këqija janë këto ndeja! Zgjodha fjalët më të ëmbla që kisha dhe t’i shpreha; zgjodhe fjalët më të bukura që kishe dhe m’i shprehe. Ndenjëm sa për sy e faqe!! – ia ktheu Fudajli.

Të mos harrojmë se ndeja e tyre ishte me përkujtime e këshilla e nuk ishte ndejë e prezantimit të punëve të mira dhe përpjekjeve të hairit në sferën e përmirësimit.

Dr. Jahja el-Jahja, Medinë

Përktheu: Omer Berisha