Bismilahi Rrahmani Rrahim

Të gjitha fetë me prejardhje qiellore pajtohen njëzëri se puna me kamatë është punë e ndaluar, por megjithatë pati nga ata që me padrejtësi e lejuan atë, siç na tregon Zoti i Lartësuar për hebrenjtë: “për shkak të zullumit që bënë hebrenjtë, Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të shijshme, të cilat ishin të lejueshme për ta dhe për shkak se i penguan shumë njerëz nga udha e Allahut, dhe për shkak se ata morën kamatë, duke qenë e ndaluar për ta (Nisa 160-161). Kur këta ia lejonin vetes marrjen e kamatës, thoshin se kjo lejohet mes nesh dhe johebrenjve, duke u arsyetuar me fjalët: “Ne nuk kemi kurrfarë përgjegjësie ndaj analfabetëve” (Ali Imran 75).

Në shtetet e krishtera respektohej kjo ndalesë derisa nuk ndodhi Revolucioni Francez në vitin 1789 dhe lejoi formën e fajdeve nga huatë në sasi të kufizuara, që pastaj nga kjo ndalesë të shkohet drejt formave moderne, të sjella nga Napoleoni në vitin 1804 për të vazhduar edhe sot në atë mënyrë.

Tash, ne muslimanët që jetojmë në vendet perëndimore joislame nuk kërkohet prej nesh që të bëjmë edhe jetën joislame. Kamata vazhdon të jetë gjë e ndaluar islamikisht dhe muslimani nuk duhet t’ia lejon vetes ta shpërfillë këtë gjë edhe nëse sfidat janë të mëdha.

Prej sfidave më të shpeshta që përmendet është blerja e vendbanimit, qoftë banesë apo shtëpi me kontrata huamarrjeje nga bankat, hua të cilat duhet të shlyhen me përqindje të shtuara, përqindje të cilat mund të arrijnë ndonjëherë dyfishin apo trefishin e huasë së pranuar.

Disa dijetarë bashkëkohorë, Allahu i ruajttë dhe i udhëzoftë, në kushte, rrethana, rregulla dhe këshilla përkatëse kanë lejuar një kontraktim të atillë duke u mbështetur kryesisht në disa rregulla fikhore te tema e gjërave të nevojshme për jetë normale dhe në mendimin e imam Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, i cili lejon marrjen e kamatës nga armiku në shtet të armikut.

Duke parë se praktikisht rrallëkush i përmbahet fetvasë së atyre dijetarëve sepse pakkush nga ata lexojnë dhe i përmbahen kushteve dhe rregullave që kanë përmendur ata dijetarë. Duke parë se sot ka muslimanë, madje edhe organizata islamike në Evropë të cilët pa asnjë ngurrim kontraktojnë me banka konvencionale për blerjen e banesave për t’i dhënë me qira, blerjen e objekteve për të hapur xhami apo klub, huazimin për të filluar një biznes etj., vendosa të jap kontributin tim në këtë drejtim pasi kam lexuar material të shumtë në këtë temë dhe materialin në vijim që do ta lexoni kryesisht e kam përfituar nga studimi shkencor krahasues me titullin “Fikhu i çështjeve të reja për pakicat muslimane” nga Dr. Muhamed Jusri Ibrahim, Allahu e ruajttë.

Siç përmenda, lejuesit e këtyre lloj kontratave mbështeten në disa rregulla fikhore dhe në mendimin e Ebu Hanifes. Në vijim do t’i përmend ato, argumentimin me to dhe kundërpërgjigjen ndaj tyre.

  1. Rregulli fikhor: “Nevoja mund të merr pozitën e domosdoshmërisë”.[1]

Ata argumentojnë duke thënë se nevoja për banim është nevojë e madhe dhe lejimi i kësaj kontrate largon vështirësi të madhe, kryen nevojë të përgjithshme dhe mbron nga dëme reale apo të pritshme.

Rregulli i lartpërmendur është i vërtetë por si duket atyre u iku fakti se nevoja njerëzore nuk ka ndikim mbi atë ndalesë që është vërtetuar me argumente të forta. Ndalesa e kamatës është nga ndalesat më të qarta dhe më të kërcënuara si në Kuran ashtu edhe në Sunet. Ndalesa e kamatës është e vërtetuar dhe e njohur në Fe sikur ajo kurvërisë, vrasjes, pirjes së alkoolit, ngrënies së cofëtinës, gjëra të cilat askush prej muslimanëve nuk i lejon në rast nevoje.

  1. Rregulli fikhor: “Ajo që është ndaluar për mbyllje të shtigjeve (Seddu Dheraië) lejohet në rast nevoje, kurse ajo që është ndaluar në thelb lejohet në rast domosdoshmërie”.[2]

Ata argumentojnë duke thënë se ngrënia (marrja) e kamatës është e ndaluar në thelb kurse dhënia e kamatës apo evidentimi i kamatës janë ndaluar për të mbyllur shtigjet drejt haramit të kamatës, prandaj në rast nevoje themi që lejohet.

Kundërpërgjigjja:

  1. Te çështja e kamatës, ajo që u ndalua për të mbyllur shtegun drejt haramit është Riba-el-Fadl (kamata me shtim)[3] dhe jo Riba-en-Nesieh (kamata me vonim)[4], sepse Riba-en-Nesieh është ajo kamata e qartë dhe ajo qe qëllimi i Islamit, pra, të ndalohet në thelb, por u ndalua edhe lloji i kamatës me shtim, me qëllim për të mbyllur shtegun drejt kamatës me vonim. Pra, me këtë rregull do të mund ta lejonim në rast nevoje vetëm kamatën me shtim dhe jo atë me vonim, sepse kjo e fundit (Riba-en-Nesieh) është kamata e xhahilijetit, e cila nuk mund të lejohet në rast nevoje.

Prandaj, Konferenca e Asamblesë së Hulumtimeve Islamike në Kairo, në vitin 1385H konstatoi:

“Dhënia e huasë me kamatë është haram që nuk e lejon dot nevoja dhe as domosdoshmëria. Po ashtu edhe marrja e kamatës është haram, mëkat i cili nuk mund të hiqet përveç në rast domosdoshmërie. Secili njeri lihet në ndërgjegjen e tij fetare për të vlerësuar domosdoshmërinë personale”.

  1. Gjithashtu, duke theksuar se kamata me vonim është i ndaluar në thelb i referohemi teksteve fetare, të cilat nuk bëjnë dallim mes atij që e merr apo e jep kamatën. Lexo hadithin ku Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, mallkoi marrësin e kamatës, dhënësin e kamatës, evidentuesin e kamatës dhe dëshmitarët e kamatës, dhe tha: “ata janë njëjtë”.[5]

 

  1. Rregulli fikhor: “Largpamësia për të ardhmen dhe marrja parasysh e rezultateve të veprimeve tona”.[6]

Ata argumentojnë duke thënë se pronësimi i banesave dhe shtëpive ka dobi të madhe për të ardhmen sepse arrihen mundësi të shumta financiare dhe shoqërore: zvogëlohen tatimet, forcohen qendrat financiare të muslimanëve, u jepet mundësia të blejnë banesa a shtëpi afër xhamive dhe qendrave islamike etj.

Kundërpërgjigjja:

  1. Dobi quhet ajo në të cilën ka aluduar feja kurse krejt tjerat, të cilat nuk realizojnë objektivat islame, pra, ruajtjen e Fesë, jetës, mendjes, familjes dhe pasurisë, ato nuk mund të quhen dobi. Është e vërtetë se ka mundësi që të kenë ndonjë dobi sikurse “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to për njerëz” (Bekare 219); porse dobia në fjalë, nuk i bën hallall këto dyja. Dobia nuk lidhet kryekëput me çështje materiale, por është për qëllim dobia që të siguron amshimin “ahireti është më i mirë dhe është i përhershëm” (A’la 17). Kështu që, dobitë që u përmendën nga huamarrja me kamatë duhet të hidhen në peshoren e fetvave të dijetarëve muslimanë përgjatë historisë dhe të kuptohet njëherë e mirë se dobitë e atilla, të papërkrahura nga sheriati nuk merren në konsideratë. Besoni se këto lloj dobi të përmendura nuk dallojnë shumë nga trumbetimet e disa laikëve në shtetet islame, të cilët kërkojnë lejimin e shitjes së alkoolit, lejimin e lakuriqësisë në vende publike dhe hapjen e restoranteve gjatë muajit të Ramazanit me qëllim të dobisë së shtimit të turizmit dhe forcimit të ekonomisë së atyre shteteve.
  2. Shumë nga ato dobi që u përmendën janë paksa të hiperbolizuara sepse në fakt gjendja faktike ndryshon: shumë prej tyre që kanë bërë kontrata me kamatë kanë vështirësi më të mëdha në shlyerjen e kësteve se sa ata tjerët në shlyerjen e qirasë, po ashtu nuk vërehet ndonjë dallim i madh mes atij që jeton me qira dhe atij që pronëson një banesë a shtëpi përveçse në fushën e luksit. Kurse në gjërat tjera që u përmendën, nuk vërehet ndonjë dallim i dukshëm. Allahu na ka quajtur Umeti më i mirë por askund nuk përmendet se shkaku i asaj mirësie është pronësimi i vendbanimeve, por si shkak përmendet imani dhe daveti, lexo ajetin 110 nga sureja Ali Imran!

 

  1. Mendimi i imam Ebu Hanifes, Muhamed ibën Hasen Shejbanit, Sufjan Theuriut, Nahaiut, Abdulmelik ibën Habibit dhe një mendim nga imam Ahmedi[7] thotë se “marrja e kamatës nuk është e ndaluar në shtet të armikut (Daru Harb)”. Thuhet se këtë mendim kish edhe Ibën Tejmije.[8]

Në fakt, mbështetja më e fortë e lejuesve të huamarrjes me kamatë është pikërisht te kjo fetva e këtyre imamëve të mëdhenj dhe qëllimi kryesor i këtij punimi është kundërpërgjigjja ndaj kësaj mbështetjeje dhe jo ndaj kësaj fetvaje. Argumentimi me këtë fetva nuk qëndron, dhe atë nga disa këndvështrime:

  1. Lejuesit e kësaj kamate dhe as shkruesi i këtyre rreshtave nuk pajtohet që këto shtete të perëndimit të quhen shtete të armikut (Daru Harb), madje ka prej tyre që nuk pranojnë t’i quajmë këto shtete as Daru Kufr (shtete të mohuesve), edhe pse termi Daru Kufr është më i gjerë se sa Daru Harb.

Nëse do përcillnim përshkrimin për një Daru Harb në fjalët e fukahave (juristëve islamë) do të gjenim dy atribute kryesore të atij vendi:

Një: Sundimi dhe pushteti në atë vend të jetë sipas dispozitave joislame.

Dy: Ai vend të jetë në gjendje lufte aktuale apo të pritshme me shtet(e) islam(e).

Sipas kësaj, në atë shtet ku gjendet atributi i parë do të quhet Daru Kufr, e nëse i bashkëngjitet edhe atributi i dytë, atëherë do të quhet Daru Harb.

  1. Arsyeja (el-menat) që përmendet në mendimin e Ebu Hanifes është tërësisht inekzistent në formën për të cilën po flasim. Lejuesit bashkëkohorë ndalojnë atë që thonë hanefijtë se pasuritë e jomuslimanëve në Daru Harb janë të lejuara nëse ke mundësi t’i marrësh, domethënë, nëse futesh në një shtet Daru Harb – sipas Ebu Hanifes – me vizë dhe me sigurim, pasuritë e atyre jomuslimanëve nuk janë të garantuara edhe pse ata detyrohen që pasurinë e muslimanit ta respektojnë dhe të mos e prekin pa të drejtë ligjore. Sipas kësaj, është gabim të merret mendimi i Ebu Hanifes në këtë rast, përndryshe pasojat do të ishin të rënda dhe jo në përputhje me sheriatin. Një ahmakllëk të atillë do ta bënin vetëm teoricientët e tekfiristëve të cilët fshehtas u shpallin luftëra shteteve ku jetojnë sa për t’ia lejuar vetes vjedhjen dhe mashtrimet siç të dëshirojnë.
  2. Mendimi i Ebu Hanifes thotë se lejohet kontraktimi me kamatë edhe me muslimanin që ka pranuar Islamin në Daru Harb dhe që nuk ka bërë hixhret në Daru Islam. El-Kasani, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Nëse një musliman hyn në Daru Harb dhe tregton atje me një musliman, që e ka pranuar Islamin në Daru Harb por që nuk është shpërngulur në Daru Islam, duke i shitur një dërhem me dy dërhemë apo duke kontraktuar kontrata tjera të palejueshme në Daru Islam; ato lejohen sipas Ebu Hanifes kurse te ata dy (nxënësit e tij) nuk lejohen”.[9] Të njëjtën e përmend edhe El-Hasfeki në librin ed-Dur’rul Muhtar.[10] Atëherë pyesim: Lejuesit bashkëkohorë, a i përmbahen këtij mendimi që të thonë pastaj se lejohet për muslimanin të bashkëpunojë me kamatë dhe me kontrata tjera të ndaluara me vëllezërit e tij muslimanë që pranuan Islamin në ato shtete?! Me siguri, nuk ka asnjë i cili do merrte guximin ta thoshte një gjë të atillë dhe as të merrte përgjegjësinë e pasojave të këtij mendimi.
  3. Mendimi i hanefijve gjithashtu thotë se lejohet shitja e alkoolit, cofëtinës dhe derrit jomuslimanëve në Daru Harb me qëllim për t’ua marrë pasurinë, e cila quhet se është hallall në thelb.

Pra, ky mendim nuk shikon kontratën në vete si kontratë, sepse kontratat e këtilla janë vetëm metodë për të pronësuar pasuritë e atyre njerëzve, të cilat pasuri nuk janë të garantuara. Pra, këto kontrata do të jenë vetëm lloje të hiles që ta mundësojnë marrjen e pasurisë së jomuslimanëve në mënyrë paqësore.

Es-Serhasi thotë: “Ai që jeton me sigurim në shtetin e tyre nëse tregton me ta një dërhem për dy dërhemë apo tregton me ta alkool, cofëtinë apo derra, kjo nuk prishë punë sipas Ebu Hanifes dhe Muhamedit, kurse këto gjëra rreptësisht i ndalon Ebu Jusufi”.[11]

Lejuesit bashkëkohorë a i përmbahen edhe këtyre pasojave të rrezikshme në këto shoqëri?!

  1. Imamët e përmendur me emra nën pikën 4. e kanë lejuar marrjen e kamatës nga armiku (el-harbij) por jo edhe dhënien e kamatës; kurse ajo për çka po flasim është vetëm dhënia e kamatës, jo marrja.

Kjo shihet qartas në thënien e dijetarit hanefij El-Kasani: “Pasuria e armikut nuk është e garantuar, përkundrazi, është e lejuar, porse muslimani që jeton atje me sigurim, e ka të ndaluar ligjërisht t’ia merr pasurinë pa pëlqimin e tij, sepse do quhej tradhtar dhe mashtrues. Por, nëse gjen mënyrë që me liri dhe pëlqim t’ia merr të njëjtën atëherë shpëton nga kuptimi i keq. Pra, kjo bëhet për ta marrë në posedim një pasuri të lejuar por jo të pronësuar. Kjo është e lejuar dhe ta mundëson pronësimin”.[12]

Nga e tëra kjo mund të konstatohet se mendimi i Ebu Hanifes nuk i ndihmon fare lejuesve të huamarrjes me kamatë. Po ashtu, as rregullat fikhore që i përmendëm.

Punoi: Omer Berisha

04.03.2017

Linz, Austri

[1] El-Eshbahu uen Nedhair, Ibën Nuxhejm fq. 100

[2] Zadul Mead, Ibnul Kajjim vll.3 fq.488

[3] Kur dy vetë këmbejnë dy mallra të llojit të njëjtë por për ndonjë arsye, njëri jep më pak për të marrë më shumë, si p.sh. i ndërron 100 kg grurë me 120 kg grurë.

[4] Kur njëri i jep hua dikujt dhe ky i fundit detyrohet t’ia kthejë më shumë se sa ka marrë, si p.sh. ia jep 100 euro të cilat pas një jave duhet t’i kthejë, por 120 euro.

[5] Sahihu Muslim nr. 1598

[6] El-Muvafekat, Shatibi vll.4 fq.194

[7] Hashijetu Ibni Abidin (7/422), Bedaiu Sanaië, nga el-Kasani (7/132), el-Mubdië, nga Ibën Muflih (4/157)

[8] El-Insaf, nga El-Merdavi (5/41-42); El-Furuë, nga Ibën Muflih (6/292)

[9] Bedaiu Sanaië, el-Kasani (5/192)

[10] 5/423

[11] El-Mebsut, nga Serhasiu (10/95)

[12] Bedaiu Sanaië, nga el-Kasani (5/192)