(Këtë intervistë e kam zhvilluar në verën e 2008, dhe është botuar në Gusht të atij viti në revistën Albislam)

Albislam: Dijetar i nderuar, kjo intervistë është pjesë e përpjekjeve tona për t’i paraqitur lexuesit të revistës tonë dijetarë që shquhen për njohjen e Kur’anit dhe Sunnetit. Mes hoxhallarëve dhe talebeve ju jeni tashmë i njohur, porse në këtë intervistë do të donim që t’i paraqiteshit vetë lexuesve tanë. Kështu që, fillimisht, do të donim të na flisnit pak për veten dhe për veprat tuaja të hershme dhe të vonshme.

El-Mahmud: Në emër të Allahut, Atij i takon tërë lavdërimi dhe falënderimi, ndërsa paqja dhe mëshira qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, po ashtu edhe mbi familjen e tij dhe mbi tërë shokët e tij. Unë jam vëllai juaj Abdurrahman b. Salih el-Mahmud. Kam studiuar në institutin shkencor në Saudi; është një institut shkencor fetar, aty përfundova filloren dhe të mesmen, pastaj studiova në fakultetin e sheriatit në Rijad. U diplomova në vitin 1395 H. Në të njëjtin vit kur u diplomova, u themelua Universiteti Islamik Muhamed b. Suud, në Rijad. Në fakultetin e sheriatit fillova po ashtu studimet pasuniversitare. Mirëpo, më vonë, u themelua fakulteti i Usulu Din, në Rijad, dhe unë u transferova aty për të përfunduar magjistraturën, pastaj doktoraturën në degën e akides (besimit). Pastaj u caktova si ligjërues në këtë universitet, në degën e akides. Këtë detyrë jam duke e kryer edhe sot. Kam botuar disa libra, sikurse temën e magjistraturës, me titullin: “Kadaja dhe Kaderi sipas Kur’anit dhe sunetit dhe drejtimet e njerëzve në këtë çështje”. Po ashtu, kam botuar edhe temën e doktoraturës: “Qëndrimi i Ibën Tejmijes ndaj esh’arijve”. Kam botuar edhe tituj të tjerë, si: Shpjegues i librit Lum’atul i’tikad, Kadaja menhexhije ue akadije dhe të tjera.

Albislam: Nga shumë besimtarë dëgjojmë fjalën: duke qenë se ne jetojmë në Evropë s’mund të jemi të përpiktë në fe. Çfarë mendoni ju, a mund të vazhdojmë jetesën në këto vende dhe të jemi realisht të përpiktë në fe?

El-Mahmud: Po, nëse mbajmë parasysh rregullin: “Allahu s’ngarkon askënd përtej mundësive” dhe të jemi të vetëdijshëm se Allahu s’i ka detyruar muslimanët të shkojnë tej mundësive që kanë. Muslimanët në Meke ishin muslimanë, edhe pse dispozitat e sheriatit ende nuk ishin ligjësuar. Pastaj zbritën dispozitat një pas një, i Dërguari paqja dhe bekimi qoftë mbi të, u shpërngul në Medinë dhe u plotësua feja. Pra, Islami tashmë është i plotë dhe mbetet detyrë që secili musliman të praktikojë të gjitha gjërat e ligjësuara nga Allahu; askush nuk guxon t’i anashkalojë këto. Bëhet fjalë për diçka të njëjtë me studimin dhe thellimin e besimit dhe njësimit të Allahut, që është detyrë për secilin musliman. Po ashtu, namazi, agjërimi, zbukurimi me moral Islam etj. – janë gjëra që muslimani nuk guxon t’i braktisë.

Mirëpo, ka dispozita të sheriatit, të cilat njeriu mund të qëllojë të mos i praktikojë gjatë jetës. Kështu, për shembull, një besimtar mund të jetojë dhe të vdesë pa e dhënë zeqatin asnjëherë, sepse nuk e ka arritur sasinë e caktuar, sikundërse mund edhe të mos ketë shkuar në haxh, sepse gjatë gjithë jetës nuk i është dhënë mundësia etj.

Pra, kur të shikojmë rastin e muslimanëve në këto vende, me sprova të ndryshme dhe situata të cilat i kanë në dorë jomyslimanët me ligjet dhe rregulloret e tyre, vërejmë pa dyshim se ka gjëra të cilat muslimani do të dëshironte t’i praktikojë ashtu siç ka urdhëruar Allahu. Por, nëse nuk ka mundësi, atëherë i kthehemi rregullit: “Allahu s’ngarkon askënd përtej mundësive”.

Në këtë rast, do të doja të tërhiqja vëmendjen lidhur me një gjë: paragjykimin, që rreh ta bindë shpirtërisht besimtarin se nuk mund të jetë i përpiktë në fe. Ky paragjykim krijon problem, madje, një problem vërtet të madh. Është njëlloj si t’i thuash atij që mundohet të jetë i përpiktë: këtu nuk ke gjasa të jesh i përpiktë, andaj duhet t’i braktisësh shumë detyra fetare. Është gabim; përkundrazi, duhet këshillë dhe udhëzim nga e mira; muslimani duhet të jetë i vendosur. Pastaj, nëse nuk ka mundësi t’ia dalë mbanë, le të kërkojë falje tek Allahu, duke iu drejtuar me vetëdijen se “Allahu s’ngarkon askënd përtej mundësive që ka”. Prandaj, edhe një herë dëshiroj t’i mëshoj fort kësaj pike. Besimtarëve që jetojnë në këto vende duhet t’u themi se ekziston mundësia që njeriu të jetë besimtar i mirë dhe i përpiktë, ndërsa Allahu e drejton dhe i ndihmon.

Albislam: Për aq sa ne praktikojmë këtë fe, si duhet t’i bindim edhe të tjerët se kjo është feja e vërtetë dhe se i gjithë njerëzimi e ka për detyrë të ndjekë të njëjtën rrugë?

El-Mahmud: Sa i përket njerëzve në përgjithësi, përpara teje ke dy grupe njerëzish: grup që, më së pari, s’janë muslimanë, siç është rasti i të krishterëve, çifutëve etj. Për t’i thirrur këta në fe ka mjaft metoda, andaj unë i këshilloj thirrësit që të marrin mësim prej përvojave të atyre që janë marrë më shumë me thirrjen e këtij grupi të njerëzve. Nga metodat më të afërta është ndikimi yt, që dikush prej tyre të pyesë veten: ç’është ky islam, çfarë janë këta muslimanët? Këto pyetje i hapin më pas horizontin që të bëjë edhe pyetje tjera, derisa, ndoshta, me lejen e Allahut, i bëhet e qartë e vërteta dhe hyn në Islam.

Ndërkaq, sa i përket grupit tjetër, të cilët janë muslimanë, por kanë mangësi, bidate etj, atëherë realisht them se duhet të ketë këshilla të sinqerta, me metodë të bukur. Unë këshilloj që thirrësit të kenë moral të lartë, sjellje të këndshme dhe le t’u bëjnë mirë të tjerëve. Le t’u bëjnë mirë, sepse bamirësia i zotëron zemrat. Këto janë nga metodat më të rëndësishme.

Albislam: Të gjithë muslimanët ankohen dhe pyesin veten pse muslimanët janë të përçarë mes njëri-tjetrit; cili është ilaçi që do të këshillonit?

El-Mahmud: S’ka dyshim, se përçarja e muslimanëve është një gjë që na mërzit dhe kjo e gëzon armikun. Drejt kësaj dukurie duhen ndjekur hapat që vijojnë:

Një: Këshilla mes njëri-tjetrit dhe bashkimi në një fjalë: ehli sunetin. Vetëm kështu mund të jenë së bashku në të vërtetë dhe të gjithë së bashku të thërrasin nga e vërteta.

Dy: Tërë muslimanët, e në mënyrë të veçantë thirrësit, s’duhet të heqin lehtë dorë nga takimet dhe këshillimet, sepse mungesa e takimit rezulton në egërsi dhe kjo pastaj i shton akuzat, supozimet e këqija etj., ndërkohë që, nga ana tjetër, është vërejtur se takimi dhe qëndrimi së bashku, sidomos kur këto zgjaten në kohë dhe aty hanë së bashku, rezulton të jetë një veprim efikas dhe sheshon shumë gjëra që kanë mes njëri-tjetrit. Pra, këshilloj që të shpeshtohen takimet.

Tre: Duhet të kemi shumë kujdes që të mos i hiperbolizojmë gjërat; secilën gjë ta vlerësojmë aq sa është dhe, nëse vërejmë se një hoxhë bën ndonjë gabim, ne duhet ta ndihmojmë që edhe ai të arrijë tek e vërteta, e jo të ndihmojmë gabimin dhe të pavërtetën, që ai të thellohet edhe më tepër në atë gabim, madje, ndoshta, edhe të shtojë ndonjë gabim tjetër.

Pra, nëse vëllain tënd e sheh në një gabim, ndihmoje kundër shejtanit, mos ndihmo shejtanin kundër tij. Këtë rregull të gjithë thirrësit duhet ta kuptojnë mirë.

Katër: Të gjithë thirrësit në rrugë të Allahut duhet ta dinë se, fillimisht, duhet të punojnë, secili prej tyre të jetë praktik si dhe thelbi i thirrjes së tyre duhet të jetë ndërtimi. Nëse ndodh të ndeshen me gabime dhe të pavërteta, mundohen t’i përmirësojnë, mirëpo thelbi i veprimtarisë së tyre duhet të jetë ndërtimi i të vërtetës te njerëzit, duke i thirrur në këtë fe dhe duke përhapur Islamin. Të angazhohemi me ndërtim e jo me vëllezërit tanë dhe me të tjerët. Përpos kësaj, lipset shtuar se, ndërmjet muslimanëve në përgjithësi duhet të ketë sjellje me butësi dhe mëshirë, kështu që secili thirrës duhet të jetë dritë që ndriçon.

Nëse prej tij nuk arrin te njerëzit ndonjë e mirë, së paku të mos arrijë e keqja, kjo është shumë me rëndësi.

Këtë këshillë ia drejtoj vetes dhe të gjithë vëllezërve të mi, thirrësve dhe nxënësve të dijes, që nëse s’arrijnë të bëjnë ndonjë të mirë për të tjerët, atëherë le të kenë kujdes, shumë kujdes, që mos të shkaktojnë të këqija. Mirëpo, nëse ndodhin mospajtime në çështje ku lejohet hulumtimi, atëherë sërish këta thirrës duhet të takohen, ta këshillojnë njëri-tjetrin dhe t’i parashtrojnë argumentet. Nëse nuk pajtohen në një mendim, le ta arsyetojnë njëri-tjetrin, d.m.th., për çështje në të cilat lejohet hulumtimi, atëherë kur të dy janë të kapur për argumentet bazë, mirëpo rezultatet i nxjerrin të ndryshme.

Albislam: Dëshirojmë një këshillë për nxënësit e ri të dijes, të cilët marrin guximin të japin fetva për çështje të mëdha, sikundërse xhihadi, politika, kufri, imani, suneti dhe bidati.

El-Mahmud: Këshilla që kanë dhënë dijetarët dhe imamët qysh herët, por edhe tani, është që nxënësi i dijes të mos shpejtojë, as në shkrime autoriale, para se të piqet, as në marrjen e qëndrimeve për situata të mëdha, të cilat ndonjëherë kanë nevojë për tubim të dijetarëve.

Arsyeja për këtë është e qartë. Njeriu në fillim të kërkimit të dijes ka nevojë për thellim në dije dhe shtim të njohurive, në mënyrë që t’i përkryejë shkencat e duhura. Kjo s’do të thotë se talebet e rinj nuk duhet të japin ndihmën e tyre, sepse mund të ndodhë që ndonjëri prej tyre të jep një mendim më të qëlluar sesa dikush që është më i vjetër se ai me vjet apo me përvojë. Qëllimin e kemi që ai të mos tregohet i rrëmbyer, sidomos kur në mesin ku jeton ai, ka hoxhallarë dhe dijetarë të cilët janë kompetentë për çështje të tilla.

Prandaj, talebet e rinj i këshilloj që t’i kenë frikë Allahut për çfarë janë duke bërë me veten dhe me muslimanët, le ta njohin veten, le të jenë modestë dhe t’i ruhen mendimit se, po e diti mirë një çështje, është edhe më i dituri i shekullit.

Ka mundësi që njeriu ta njohë mirë një çështje, mirëpo të jetë krejtësisht i paditur në shumë kapituj të fesë. Ky njeri duhet të njohë vetveten. Për fat të keq, disa talebe (nxënës dije) dinë përmendësh një çështje, dy apo më shumë, së bashku me mendimet e ndryshme, argumentet e tyre, përgjigjet ndaj argumenteve dhe insiston që për këtë çështje të marrë fjalën në çdo mexhlis. Edhe pse ky vetë, ndoshta, për shumë kapituj të fesë është xhahil.

O nxënës i dijes, mundohu t’i plotësosh njohuritë, lexo dhe mëso përmendësh nga shkencat e ndryshme të dijes, fillo mësimdhënien pak nga pak, bëhu modest me të tjerët përreth dhe me dijen në përgjithësi dhe bëje moton tënde: “Nëse dikush tjetër merr përsipër t’u japë fetva njerëzve, unë do të jem i shpëtuar”. Gjeneratat e para ngurronin të jepnin fetva, edhe pse ishin dijetarë të mëdhenj, ndërsa nxënësit e rinj, kur rrinin me dijetarët e mëdhenj, rrinin me edukatë dhe dëgjonin me kujdes, nëse debatonin për ndonjë çështje, debatonin me shumë edukatë. Kjo është këshilla ime për nxënësit e dijes, le të njohin vetveten dhe le të mundohen të përfitojnë sa më shumë dije, sepse ardhmërinë e kanë përpara – nëse Allahu u jep jetë më të gjatë – dhe doemos do të bartin përgjegjësi, sepse kjo botë është rrotull dhe këta hoxhallarë që janë tani, s’do të jenë përgjithmonë. Këshilloj që të kenë durim, të mos shpejtojnë dhe le të jenë të edukuar me çështjet e mëdha fetare dhe me hoxhallarët e tyre.

Albislam: Na dëshpërojnë lajmet që vijnë nga dy vendet e shenjta, më saktësisht, na dëshpërojnë lajmet për ballafaqimet e disa njerëzve me qeverinë atje, eksplodimet dhe tekfiri i shpeshtë. A mund të na sqaroni kush janë ata njerëz dhe a kanë ndonjë referencë dije ku i mbështesin aktivitetet e tyre?

El-Mahmud: Pa dyshim se këto janë gabime të mëdha, fatkeqësisht, ata i bëjnë këto gabime dhe me këtë i kanë bërë keq vetvetes, dijes dhe vendit të tyre. Janë shpejtuar në shumë dispozita, madje, edhe në rezultatet e atyre dispozitave. Nuk kanë ndaluar vetëm teorikisht në këto rezultate, por, për fat të keq, këto i kanë vënë edhe në praktikë, me eksplodime etj. E lus Allahun që t’i drejtojë ata dhe gjithë rininë islame në përgjithësi.

Albislam: Për herë të parë ishit në Kosovë dhe qëndruat afërsisht tre ditë me thirrësit e Kosovës e Maqedonisë. Çfarë përshtypjeje ju lanë dhe çka shpresoni prej tyre?

El-Mahmud: Të them të drejtën, jam shumë i lumtur që u takova me këta thirrës, i pashë se janë të ngritur në nivel të lartë dhe kanë interesim të madh për punë në rrugë të Allahut. Po ashtu – e falënderoj Allahun – vërejta një vetëdije të madhe. Ajo që shpresoj është që të gjithë të jenë të një fjale fillimisht, në të gjitha vendet, e po ashtu edhe në këto vende.

I këshilloj të punojnë, të thërrasin në rrugë të Allahut, të angazhohen me ndërtim dhe secili ta pyesë veten: Çfarë kam bërë, çfarë të mire i solla besimtarëve, çka i ofrova popullit tim?!

Pastaj, duhet të ketë gara dhe dëshirë në kërkimin e dijes, sepse nxënësi i dijes çdoherë duhet të mbetet nxënës i dijes, derisa ta takojë Allahun e madhëruar.

Së fundmi, i thërras të gjithë që të njohin sfidën me të cilën po përballet umeti islam. Të gjithë duhet të jenë të njohur mirë me atë sfidë dhe le të jenë të bindur dhe të përgëzuar se Allahu do ta ndihmojë këtë fe, atëherë kur përgjegjësinë e saj e bartin burra të sinqertë. Lus Allahun t’u japë sukses, ndërsa unë realisht jam shumë i lumtur që kam qëndruar me ata. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe gjithë shokët e tij.

Albislam: Allahu ju shpërbleftë me të mira dhe ju begatoftë.