Zgjedhjet ose ndryshe ndërrimi apo rrëzimi i pushtetarëve me vota të të gjithë njerëzve mbesin mundësi e lehtë dhe e padhunshme për të bërë punë të mëdha, porse njerëzit përballë këtij shansi, nga pikëpamja ime, mund t’i ndajmë në tri kategori:
1. Ata që përpara interesit personal nuk nxjerrin asgjë, së këndejmi, interesi i tyre është ai që do u jep sugjerimet se për kë do të votojnë. Shumëkush, këta i konsideron gabim por unë nuk u vë faj çdoherë, sidomos në raste kur nuk ka oferta të mirëfillta politike, me plot kuptimin e fjalës. Këta nuk pajtohen me arsyetimin: Hajt t’i provojmë këta të tjerët!
2. Ata që e kanë kuptuar peshën e votës, se vota është “një plumb” që duhet shfrytëzuar për ta larguar të keqin ose më të keqin apo për ta përkrahur më të mirin ose më pak të keqin. Këta mund të kenë edhe shpërblim te Zoti nëse kanë synim zbatimin e fjalës profetike: “Kush prej jush sheh një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorë…”. Sipas meje, këta janë kategoria që meritojnë të lëvdohen.
3. Ata që kanë të drejtë vote dhe nuk votojnë. Shumë nga këta shtiren si apolitikë, mbipolitikë, supermuslimanë etj., porse duhet ta dijnë se edhe këta zgjedhin, edhe këta numërohen si përqindje, edhe këta ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve, prandaj, le të vendosin a do të jenë votues aktiv apo votues pasiv. Gabimi i mosvotimit është gjë serioze, ku i arsyetuar mund të jetë vetëm injoranti ose ai i cili nuk ka mundësi fizike.
Për fund: Kategoria e parë do të ishte mirë të hapin sytë e zemrës, kategoria e dytë le të konsultohet me njohës të situatës për të mos shkuar mundi huç kurse kategoria e tretë do bënte mirë të zgjohej nga gjumi dhe të shihte se çfarë efekti mund të ketë “plumbi” i tij”.