Në të dielën që vjen, në Austrinë e Epërme (Oberösterreich) ka zgjedhje republikane dhe komunale, dhe si duket mjaft të rëndësishme për banorët e kësaj republike në veçanti dhe për Austrinë në përgjithësi.
Lidhur me dispozitën se muslimanët që kanë drejtë votimi këtu, a lejohet të votojnë ose jo, dua vetëm të këshilloj dhe jo gjerësisht të shpjegoj sepse ai që kupton, kupton me pak fjalë kurse ai që nuk kupton, zaten ai s’ka nevojë asgjë t’i shpjegoj.
Shkurtimisht:
Çështja e votimeve varet se ku po bëhet:
1. Nëse bëhet në një vend ku qeveriset me ligj islam, s’ka dyshim se votimet lejohen, normalisht me ca dallime por jo dhe aq thelbësore.
2. Nëse bëhet në një vend ku qeveriset me ligj joislam, atëherë parimisht votimet nuk lejohen, sepse muslimani nuk dëshiron të merr pjesë në kultivimin e asaj që është joislame, por nëse nga çështja e votimeve varen shumë gjëra konkrete sikurse: dëbimi i të këqinjve, pakësimi i të keqes, të drejtat njerëzore, në rend të parë ato islame, mundësia për shfaqjen e të vërtetës apo shfaqja e një pjese të së vërtetës, atëherë në konsultim me dijetarët dhe hoxhallarët e atij vendi vlerësohet dobia e pjesëmarrjes në ato votime apo jo. Duke u nisur nga kjo edhe Jusufi, alejhi selam, kërkoi që të bëhet përgjegjës i pasurisë (ministër i financave) së Egjiptit gjersa Egjipti po qeverisej nga njerëz jomuslimanë, madje mushrikë (politeistë).
Duke vërejtur situatën e këtyre ditëve këtu në Austri, ku po vërehet ngritja e zërave dhe kërcënimeve të disa partive kundër të huajve në përgjithësi dhe kundër muslimanëve në veçanti dhe dita ditës po arrijnë të përfitojnë sa më shumë votues, unë mendoj që pjesëmarrja në këto votime nuk lejon aq shumë debat, sepse situata është shumë e qartë dhe muslimani kur ka mundësi ta largojë një të keqe, fillimisht e bën me dorë. Votimi është një mundësi e mirë për këtë.
Debat të vërtetë kërkon gjendja jonë e mjeruar, pse nuk arrijmë të kemi një zë të fortë tonin, qoftë në nivel fetar e qoftë në atë kombëtar, në mënyrë që Po-ja e jonë të dëgjohet dhe Jo-ja e jonë të ketë ndikim.