Kemi folur për mendimin e mirë për Allahun, pastaj për pejgamberët porse nuk duhet të harrojmë se edhe mendimi i mirë për njerëzit ka një rëndësi të madhe në jetën tonë imanore por edhe në atë fizike (materiale). Kjo e fundit është më e vështirë se dy të parat porse nuk është e pamundshme.

Për njerëzit duhet pasur mendim të mirë në përgjithësi e sidomos mes bashkëshortëve. Xhelozia mes tyre është e mirë derisa shpie në shtim të dashurisë dhe respektit por bëhet e keqe kur shndërrohet në supozime, vesvese dhe spiunim.

Mendimi i mirë ka disa shenja, le t’i kërkojmë sinqerisht ato në vetet tona! Nëse pyetjeve të mëposhtme i përgjigjemi me “po”, atëherë është vërtetë lajm i mirë për ne:

  • A je i qetë plotësisht në qëllimet e tua se janë sigurisht të mira?
  • A e flet në shumicën e rasteve vetëm të vërtetën?
  • A vepron në shumicën e rasteve vetëm punë të mira?
  • A ke aftësi të gjesh arsye për të tjerët?
  • A bën kujdes që njerëzve tu bësh dobi?
  • Nëse nuk ke mundësi tu bësh dobi, a bën kujdes të mos i dëmtosh?
  • A bën kujdes t’i gëzosh njerëzit?
  • A bën kujdes t’i lëvdosh (inkurajosh) njerëzit?
  • A bën kujdes së paku të mos i lëndosh?

Mendimi i mirë shëron zemrën dhe shtrëngon lidhjet e afërsisë dhe dashurisë mes anëtarëve të një shoqërie, duke mos pasur mes vete urrejtje dhe zili. Asisoj zbatohet porosia profetike:

إياكم والظن؛ فإن الظن أكذب الحديث، ولا تحسسوا، ولا تجسسوا، ولا تنافسوا، ولا تحاسدوا، ولا تباغضوا، ولا تدابروا، وكونوا عباد الله إخوانًا

“Kujdes nga supozimet sepse supozimet janë fjala më e rrejshme! Mos kërkoni lëshime, mos spiunoni, mos u shtyni mes vete, mos kini zili mes vete, mos u urreni, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe bëhuni robër të Allahut të vëllazëruar mes vete!”

Kur bijtë e një shoqërie i përmbahen këtij standardi islam, atëherë armiqtë e tyre nuk shpresojnë se mund t’u bëjnë diçka, nuk do kenë mundësi të realizojnë politikën e njohur: Përçaj dhe sundo!

Hapa konkretë drejt mendimit të mirë:

  1. Lutja Allahun që të na jep zemër të shëndoshë, lutje të cilën e bënte edhe vet Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.
  2. Punët e mira. I Dërguari, alejhi salatu ue selam, thuhet se ka thënë:

“الكيس من دان نفسه وعمل لما بعد الموت، والعاجز من أتبع نفسه هواها، وتمنى على الله الأماني”

“I mençur është ai që llogaritë veten dhe punon për pas vdekjes kurse i paaftë është ai që ia dorëzon veten qejfeve dhe shpreson shpresa të kota”.

Pra, ai ka në kontroll vetveten dhe nuk lejon të dobësojë rrugëtimin e tij me mendime që e ndalojnë apo e tërheqin mbrapa. Në këtë rrugëtim nuk ka hapësirë për mendime të këqija, sepse nuk arrin që të vazhdosh pastaj. Hasan Basriu ka thënë: “Besimtari pati mendim të mirë për Allahun prandaj punoi mirë kurse i prishuri mendoi keq për Allahun prandaj punoi keq”.

  1. Stërvitja për të pasur mendim të mirë:

Pra, të mësohesh se si mendohet mirë, njëjtë sikur shënimi i Buhariut për një person, i cili erdhi te Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, me supozimin për zina: Gruaja ime ka lindur një djal të zi!

  • A ke deve?, pyeti Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem.
  • Po, tha ai.
  • Çfarë ngjyre kanë?
  • Të kuqe, tha ai.
  • A ka mes tyre ndonjë të zezë?
  • Po, tha ai.
  • Si ndodhi ashtu?
  • Me siguri nga ndonjë gjen paraprak, tha njeriu.
  • “Edhe këtu është ashtu”, e bindi Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Siç vërehet, I Dërguari, alejhi salatu ue selam, e mori në një trajnim praktik personin derisa hap pas hapi e mësoi se si të ketë mendim të mirë.

  1. Hulumtimi i arsyetimeve. Një nga dijetarët bashkëkohorë thotë: Kërko për vëllain tënd gjashtëdhjetë arsyetime, e nëse nuk bindesh, thuaji vetes: Mos u bëj i poshtër, ai t’i dha gjashtëdhjetë arsye, e ti ende nuk po i beson?!

Nëse këtë nuk e mësojmë atëherë le ta dijmë se do mbizotërojë mendimi i keq mes njerëzve dhe ashtu ftohen raportet dhe krijohet kaos qoftë në familje, në ndonjë organizatë, në popull apo edhe në gjithë Umetin.

  1. Edukimi për të pasur mendim të mirë. Ngulitja e kësaj në vetet tona fillon duke e pyetur secili prej nesh vetveten: Pse unë qenkam i mirë e të tjerët të akuzuar? Allahu ka thënë:

﴿هُوَ أَعْلَمُ بِكُمْ إِذْ أَنشَأَكُمْ مِنْ الأَرْضِ وَإِذْ أَنْتُمْ أَجِنَّةٌ فِي بُطُونِ أُمَّهَاتِكُمْ فَلا تُزَكُّوا أَنفُسَكُمْ هُوَ أَعْلَمُ بِمَنْ اتَّقَى ﴾ (النجم،(32)

“Ai ju njeh shumë mirë juve prej se ju ka krijuar prej dheut dhe qysh kur ishit embrion në barqet e nënave tuaja. Prandaj mos mburreni fort me vetveten. Ai e di më mirë atë që ruhet”.

Derisa njëherë Abdullah ibën Mubareku kishte vizituar një xhami në Irak dhe njëri prej adhuruesve në xhami nuk e përshëndeti fare, pastaj shkoi pas tij dhe i tha: Më fal, se nuk të kam njohur por kam dëgjuar për ty… Ibën Mubareku ia ktheu: “Nuk është i mirë ai i cili nuk mendon se çdokush tjetër është më i mirë se ai”.

  1. Mendo pozitivisht! Kjo duket kështu:
  • Prit të mira nga çdo njeri
  • Shpreso të mira për çdo njeri
  • Çliroji gjërat e mos i ngushto
  • Kurrë mos e mbyll derën e shpresës

Mos gjyko nijetet! Kjo është nga gjërat më të rëndësishme që të ndihmojnë të kesh mendim të mirë për njerëzit. Pra, mësoje veten se gjërat e zemrës i di vetëm Allahu e nuk na urdhëroi ne që t’ua çajmë njerëzve gjokset për të parë se çfarë ka në zemrat e tyre.

Të kemi mendim të mirë për njerëzit është nga shkaqet që na çojnë në xhenet.

Enes ibën Maliku, radijallahu anhu, përcjellë: Ishim ulur së bashku me Resulullahun, alejhi salatu ue selam, kur tha: “Tani do të paraqitet një prej xhenetlive” dhe ja, erdhi një burr prej ensarëve, me mjekër që i pikonte ujë nga abdesi dhe po mbante këpucët në dorë të majtë. Të nesërmen tha të njëjtë gjë dhe u paraqit i njëjti burr. Ditën e tretë po ashtu. Kur u shpërndamë, Abdullah ibën Amër ibnul Asi, ndoqi atë burr dhe i tha: Jam grindur me babain tim dhe jam betuar që nuk do ta shoh për tre ditë, a ke mundësi të më bësh konak për aq ditë? Ai i kish thënë: Po.

Abdullahu ka treguar pastaj se kishte bujtur tek ai person tre net, por nuk e kish vërejtur se falej natën. Më e shumta që bënte, e përmendte Allahun kur lëvizte gjatë gjumit dhe ngrihej për sabah duke madhëruar Allahun. Kur fliste, fliste vetëm mirë.

Kur kaluan tre net, desh e nënçmova punën e tij, por i thash: O burr i mirë, mes meje dhe babait tim s’pati asgjë por unë e dëgjova Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, duke thënë tre ditë me radhë: “Tani do të paraqitet një prej xhenetlive”, dhe ishe ti ai që paraqiteshe, prandaj, desha të fle në shtëpinë tënde, për të të parë se çfarë punë bën, që t’i bëj edhe unë. Por, nuk të pashë se po bëje diçka shumë. Më trego, si e mbërrive atëherë atë shkallë?

Ai i tha: Puna ime është ajo që pe. E kur desha të largohem, më tha: Puna ime është që pe, përveç edhe ajo se në shpirtin tim, për asnjë musliman nuk ka urrejtje e as zili kundër ndonjë të mire që i ka dhënë Allahu.

Abdullahu i tha: Kjo qenka ajo me çka paske fituar dhe kjo është ajo që shumëkush nuk e bën dot. (Ahmedi)

përgatiti: Omer Berisha