Kështu në këtë gjendje, “shiizmi i parë” ishte i përshtatshëm për secilin që dëshironte shkatërrimin e Islamit. Pikërisht këtë e përdorte secili që kishte armiqësi me Islamin, secili që ndjente neveri ndaj tij, secili që dëshironte të fusë mësimet e të parëve çifut, krishterë apo hindus dhe secili që dëshironte të pavarësohet dhe shkëputet nga shteti Islam.

Të gjithë këta, shfrytëzonin dhelpërish “dashurinë ndaj familjes së ndershme” si mbulesë për të gjitha planet dashakeqe që kishin”.[1]

I pari i këtyre çrregulluesve ishte Abdullah b. Sebe el-Humejri, i cili themeloi sektin Sebeije. Madje, të gjitha sektet e shiave ndodhën si rrjedhojë e ideve të tij. Ai është i pari që pretendoi se Aliju, Allahu qoftë i kënaqur me të, është ai që duhet të udhëheqë dhe se ai do të rikthehet para se të përfundojë kjo botë.

Ai është i pari që përhapi besimin në reinkarnacionin[2] (mishërimin) e një pjese të Zotit te Aliju e pas tij, edhe te imamët. Ibën Sebe po ashtu ishte prej atyre që iniciuan rebelimin e disa njerëzve kundër Othmanit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Bidati i këtij[3] shiizmi ishte çelësi kryesor i derës së idhujtarisë dhe respektimit ekstrem të personaliteteve, adhurimit të tyre dhe kërkimit të bekimit te varret e tyre.

Ibën Tejmije thotë: “Nëpërmjet tyre dyfytyrëshit futën në Islam atë që deshën, sepse i pari që shpiku fenë e shiave ishte çifut i pabesë, që shfaqte Islam ndërsa fshehte mosbesim, me qëllim që hilet e tij të kenë sukses në shtrembërimin e fesë së myslimanëve. Ai përdorte të njëjtat dredhi që Pali[4] i përdori kur bëri shtrembërimin e fesë së krishterëve. Ky, Bin Sebe, ndikoi në futjen e kallave saqë u vra Othmani, radijallahu anhu, ndërsa për fat të keq, ne mesin e myslimanëve çdoherë ka të atillë që u përgjigjen ftesave të dyfytyrëshve. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur të kishin dalë me ju, ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshin. Por Allahu i njeh mirë keqbërësit”. (Teube 47).

Pastaj, kur u përça ummeti, në dogmën e veçantë të tyre, që njihet si el-imame (imamllëk) shpiku se imamët (udhëheqësit) janë të caktuar me tekst dhe të pagabueshëm, më pas shfaqi fjalët e ndyta kundër Ebu Bekrit dhe Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me ata dy. Këto fjalë zunë vend në disa zemra të mbushura me padrejtësi dhe mosdije, edhe pse fillimisht ishin myslimanë. Tanimë u shfaq shiizmi, i cili hapi derën e idhujtarisë.

Kur këta të pabesë, u forcuan në pushtet, urdhëruan ndërtimin e vendeve të “shenjta” dhe anashkalimin e xhamive, me pretekst se namazi me xhemat falet vetëm pas personave të pagabueshëm.

Për ndezjen e qirinjve dhe lutjen në ato vende të shenjta, si dhe madhërimin e tyre, kanë rrëfyer gënjeshtra të tilla, që nuk i kam hasur as te gënjeshtrat që i kanë bërë çifutët apo krishterët… dhe gënjyen në emër të Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, dhe familjes së tij, gënjeshtra me të cilat e ndërruan këtë fe, por edhe këtë ummet krejtësisht. Shpikën idhujtarinë që ndeshet direkt me njësimin e Allahut (teuhidin), dhe ashtu bënë tubimin mes idhujtarisë (shirkut) dhe gënjeshtrës.

Ende pa përfunduar shekulli i parë, mundi i këtyre çrregulluesve ziliqarë dha frytet e tij, u përhapën shumë sekte të lajthitura shiite, me të cilët u mashtruan shumë myslimanë. Të gjithë ata ishin prijësit e ideologjive shkatërruese dhe besimeve të kota. U shpërndanë anekënd botës Islame dhe arritën të kenë thirrës dhe pseudodijetarë të mësimeve të tyre, të cilët shkatërronin trupin e ummetit nga brendia.

Karshi shiave, të cilët e tepronin në “respektin” ndaj Alijut, radijallahu anhu, u shfaq edhe sekti i havarixhëve[5], i cili u themelua mbi baza tërësisht të kota: mbi gjykimin e Othmanit dhe Alijut se janë kafira (jobesimtarë), mbi gjykimin e secilit që bën mëkat të madh si kafir dhe besimi se është i detyrueshëm rebelimi ndaj çdo udhëheqësi të padrejtë.

Këtë situatë (me havarixhët) e shfrytëzuan ziliqarë tjerë, të cilët kur panë se këto lloj dredhi kanë sukses, morën edhe një hov kundër ehli sunetit. Këta filluan të shfaqen nëpërmjet sufizmit dhe asketizmit të shtrembëruar, fillimi i të cilit doli në pah, në fillim të shekullit të dytë nga hixhreti. 

Themelet më të rëndësishme të këtij sekti ishin: të qenit sa më asket në dije dhe sa më të angazhuar me dhikër (përmendje e Allahut) dhe adhurim – sipas supozimeve të tyre.

Kjo është një tjetër asfiksi e madhe dhe plus një tjetër vrimë e rrezikshme për veprimtaritë e ideologjive shkatërruese.

Ky sekt kishte një zbrazëtirë të rrezikshme, ajo është: anashkalimi i metodologjisë së pasuesve të hadithit në perceptimin e dijes, që do të thotë praktikisht ndarje e dukshme ndërmjet urdhëresave Kur’anore dhe sunetit te pejgamberit paqja dhe bekimi qoftë mbi të. Ata, për të marrë njohuri mbështeten në shije, pëlqim, ndjenja, mahnitje me hallet e njerëzve dhe pamjen e personave. Këtu, ata kanë ngjashmëri të madhe me shiitët. 

Kjo është gjendje që u pëlqen shumë djajve, madje ua mundëson edhe veprimet e mallkuara.

Ibnul Xheuzi, duke i përshkruar këta njerëz dhe formën e mashtrimit të tyre nga ana e djajve, qofshin ata djaj njerëz apo xhind, të cilët ndikuan në prishjen e mendimeve dhe besimit të tyre, thotë: “Thelbi i mashtrimit të tij ishte pengimi nga nxënia e dijes duke i bindur se qëllimi kryesor është vetëm veprimi. Pasi që u shuajt qiriu i dijes te ata, filluan të shkojnë kuturu nëpër errësira, ashtu që dikujt iu duk se qëllimi kryesor është largimi i plotë nga të mirat e kësaj bote dhe refuzuan çdo të mirë për trupin e tyre… këta njerëz, qëllimet i kishin të pastra, mirëpo nuk e kishin të qëlluar metodën; dikush tjetër për shkak dijes së cekët që kishte vepronte sipas transmetimeve të trilluara, duke mos ditur se janë të trilluara; pastaj u paraqitën të tjerë, të cilët filluan të trumbetojnë rreth urisë, varfërisë, vesveseve, mendimeve… e më vonë erdhën të tjerë, të cilët edhe më e zhvilluan shkollën e tesavvufit (sufizmit, asketizmit), duke i dhënë veçori me të cilat do të dallohet, sikur: veshja e rrobave të trasha, argumentimi me shije, vallëzimi tek ata, fishkëllima…

…Çështja merr një shtrirje të mëtejshme, ndërsa shehlerët e tyre hartonin për ta gjithçka që donin dhe flisnin çka dëshironin. Por, a pajtoheshin të gjithë ata në faktin se janë larg dijetarëve? Jo, madje ata ishin të mendimit se zotërojnë shkencën më madhështore, të cilën e quajtën “dija e brendshme-ilmul batin”, ndërkohë që dija tjetër fetare, sipas tyre, është vetëm dije e jashtme. Disa prej tyre madje, arritën deri në fantazi të shfrenuara dhe të prishura, saqë pretendonin se vetëm ata zotërojnë të vërtetën. Të gjithë këta gjenden mes kufrit dhe bidatit.

…Më vonë u degëzuan edhe më shumë, duke shpikur lloj-lloj tarikati ndërsa besimi i tyre shtrembëroi krejtësisht. Ashtu që disa prej tyre besojnë se Allahu mishërohet në trupin e ndonjërit prej njerëzve, apo te të gjithë krijesat e Tij. Kështu iblisi, nëpërmjet llojeve të bidatit i udhëheq ata nga të dojë ai”.[6]

Këto fjalë madhështore nga ky dijetar shumë i zgjuar na e bëjnë të qartë si bashkëpunojnë djajtë, njerëz qofshin apo xhind, në lajthitjen e njerëzve. Na e bëjnë të qartë se si ata plotësojnë punën e njëri tjetrit. Xhindët fusin vesveset dhe dyshimet nëpër zemra, ua zbukurojnë të shtrembëtën derisa t’i mahnitin. Pastaj, djajtë njerëz, vijnë me pamje të besimtarit, asketit dhe devotshmërisë, a në realitet ata janë thirrës në fenë e shejtanit. Ata përziejnë të vërtetën me të shtrembëtën dhe arrijnë të bëhen shëmbëlltyrë në veprimin e asaj, që djajtë paraprakisht e kanë hijeshuar në zemrat e njerëzve. Këta përfitojnë dhe vazhdimisht kanë sukses për të tërhequr pas vetes njerëzit naivë, që më vonë i nxjerrin nga imani, për t’i hedhur më pas në errësirat e të kotës. Këta njerëz mashtrues, krahas të tjerave, mendojnë edhe se janë duke vepruar mirë.

Sufizmi pra, pas shiizmit, u bë dera e dytë nëpër të cilën hynë armiqtë e Islamit për ta luftuar dhe shembur Islamin përbrenda.

Ihsan Dhahir, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Sufizmi u shfaq me pamje të një medhhebi të veçantë dhe me njerëz të veçantë. Këtë e përqafuan njerëz dhe persona të ulët dhe të thjeshtë, që nuk mendonin thellë dhe seriozisht. Ata mashtroheshin me asketizmin e tyre dhe metodën e afrimit për nga Allahu. Por, as nuk dinin themelet mbi të cilët u bazua ky fetarizëm dhe as rregullat me të cilat u ndërtua ky medhheb. Ata përqafonin këto ide me një naivitet të paparë. Mirëpo kishte të tjerë, të cilët përqafuan këtë medhheb, sepse duke u fshehur me mbulesën e medhhebit në fjalë, do të kenë mundësi shkatërrimin e Islamit dhe rregullave të tij, do të krijonin mundësi që në Islam të fusin idetë e judaizmit dhe krishterimit, nga njëra anë, dhe idetë zjarrputiste me ato antiarabe në anën tjetër. Po ashtu nuk harronin edhe përhapjen e ideve dhe besimeve të hindusëve, budistëve dhe filozofëve të Greqisë. Të gjitha këto, me synimin që të arrijnë rrëzimin e shtyllave të Islamit, fshirjen e mësimeve të Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, zhdukjen e Islamit dhe shfuqizimin e sheriatit. Këtë e zbukuronin me tingujt e panteizmit[7], bashkimin e besimeve (feve), dhënien përparësi “evliave” para pejgamberëve, kundërshtimin e diturisë, pretendimin e dallimit mes sheriatit dhe hakikatit, thurjen e përrallave dhe tregimeve të mbushura me mrekulli të jashtëzakonshme, si dhe shumë besëtytni dhe çmenduri tjera”.[8]

Ashtu siç Ibën Sebe dhe thirrës të tjerë nga batinijtë[9], kalëruan me shiizmin për të përhapur ideologji shkatërruese, ashtu edhe sufizmi ishte një mejdan për të bërë mashtrime dhe shtrembërime më të mëdha dhe më të ndyta.

Halaxhi[10] përhapi idenë e panteizmit në shumicën e tarikateve të sufizmit, të cilat u bënë pjesë e rëndësishme në mësimet e tyre. Ai zgjodhi një terminologji tashmë të pranuar në kokat e atyre e njerëzve, në mënyrë që ta ketë më lehtë përhapjen e ideve të injorancës dhe mosbesimit.

Këtë e pasoi Ibën Arabiu[11] i cili përhapte idenë se Allahu është mishëruar në trupat e të gjitha krijesave (vahdetul vuxhud). Ai shkroi libra që përmbajnë kufër të qartë, ai mohon se Allahu ekziston me Qenien e Tij, mohon se është i ndarë nga krijesat dhe i njësuar më cilësitë e plota. Me ato libra, ai dëshiron të shembë themelin kryesor, mbi të cilin ndërtohet Islami. Ai themel është Teuhidi (njësimi i Allahut në zotërim, adhurim, në emrat dhe cilësitë e Tij).

Këta dy i pasuan edhe shumë prishës të mëvonshëm. Me mendimet e tyre shumë njerëz gabuan rrugën.

Në shekullin e shtatë nga Hixhreti, ideologjia sufiste tashmë ishte bërë moçal i të gjitha ideve të këqija dhe shtrembërimeve të rënda, të cilat u importuan nga medhhebet dhe fetë tjera. Në shumë sekte të sufijve nuk mund të hasësh asgjë të fesë Islame, përpos emra, të cilat janë njollosur me të tilla baza të injorancës.

Prej metodave të shiave dhe sufijve për shtrembërimin e të vërtetës, është edhe ndryshimi i kuptimeve të teksteve, pretendimi i diturisë së jashtme dhe asaj të brendshme. Këto rregulla i shfrytëzuan për të lozur me tekstet e Kur’anit sipas dëshirës, ku futën çdo pikëpamje të keqe dhe ideologji shkatërruese, duke i komentuar tekstet, sipas kuptimit dhe dijes së brendshme (të fshehur – ilmul batin).

Me këto rregulla të vendosura prej tyre (interpretim përmes dijes së brendshme), ata ndër të tjera, patën sukses edhe për t’iu shmangur pyetjeve direkte që bëheshin lidhur me mësimet e tyre, të cilat duken fare qartë se janë shtrembërime të qarta dhe shumë larg Islamit.

 

Përktheu: Omer Berisha

(publikuar në revistën Albislam, nr. 47,  1. Qershor 2007)

 

[1]  Shih: Fexhrul Islam, nga Ahmed Emin, fq. 276

[2]  Reinkarnacion quhet pretendimi se pas vdekjes së njeriut, shpirti shpërngulet dhe lind në trup tjetër.

[3]  Bidat d.m.th. risi në fe. Bidati i shiizmit ishte animi i tepruar nga ana e familjes së Resulullahut, salallahu alejhi ue selem.

[4]  Pali apo ndryshe Shauli ishte çifut që kishte armiqësi të madhe me pasuesit e Isait, alejhi selam. Ai kishte rol kyç në përndjekjen dhe vrasjen e tyre. Pas ngritjes së Isait, alejhi selam, ai u “konvertua” në fenë e Isait, madje u bë një personalitet i dalluar i kësaj feje. Ai shtrembëroi fenë e Isait dhe e futi idhujtarinë (politeizmin). Thelbet kryesore që i shpiku ai, të cilat vonë u bënë edhe themele të krishterimit janë: feja e krishterë është për të gjithë, triniteti si teori e formësimit të Zotit prej Atit – Birit (Isait) dhe shpirtit i shenjtë, përhapja e besimit se Isai është bir i Zotit, se ai është kryqëzuar me qëllim që t’i falen mëkatet të gjithë krishterëve dhe se Isai qëndron ulur nga e djathta e babait të tij. I Lartësuar dhe i Pastër është Zoti prej këtyre fjalëve. (shih: el-mesihije D-r. Ahmed Shelebi fq. 104-115)

[5]  Havarixh quhen ata që u rebeluan kundër udhëheqësit të drejtë, Alijut, radijallahu anhu. Më pas, u ndanë edhe në shumë nënsekte. Këta ekzistojnë edhe sot, prej sekteve të tyre është sekti ibadijeh (ky i fundit është i përhapur në Oman). Të gjithë sektet e tyre pajtohen se çdo mëkat i madh është kufër (mosbesim) dhe vepruesin e atij mëkati Allahu do ta dënojë përhershëm. Këtë e kundërshton vetëm sekti nexhdat. (shih: el-ferku bejnel firek fq. 72 etj).

[6]  Shih: Telbis Iblis, nga Ebul Ferexh b. Xhevzi, fq. 163-64.

[7]  Panteizmi apo vahdetul vuxhud quhet mendimi i atyre që thonë se gjithësia dhe Zoti janë një, i Lartësuar është Allahu nga këto fjalë. Ata besojnë se çdo gjë është Allahu, se gjithësia është shfaqje e Qenies së Allahut dhe besojnë ekzistimi i gjërave është vetë ekzistimi i Allahut. I Pastër dhe I Lartë je Allahu im, këto janë shpifje të rënda.

[8]  Et-tesavuff – elmensheë uel mesadir, Ihsan Ilha DHAHIR, fq. 45.

[9]  Batinij është emër përmbledhës për të gjitha sektet që pretendojnë se ka dije të brendshme (fshehur) dhe të jashtme. Me këto pretendime janë të njohur të gjitha sektet e shiave dhe sufijve.

[10]  Emri i tij i plotë është: Husejn b. Mensur Halaxh. Ka prejardhje persiane, u shfaq para njerëzve me asketizëm dhe devotshmëri. Shprehu panteizmin si besim, foli fjalë shumë të këqija dhe të fëlliqura, ai thoshte: Unë jam Haku (i Vërteti d.m.th. Allahu). Dijetarët dhanë feta se ai është kafir dhe duhet të vritet. U bë mirë dhe ky i pacipë u vra me urdhër të Muktedir el-Abbasi në vitin 309 H.

[11] I humburi, jobesimtari, mësuesi i sufive ekstrem, Muhamed b. Alij b. Muhamed et-Tai, i njohur si Ibën Arabi. Shumë dijetarë kanë dhënë fetvanë se ky njeri është jobesimtar.