Si rrjedhojë e dredhive që përdornin, armiqtë e fesë shpesh shkaktonin fitne, ndiznin zjarrin e përçarjes, thellonin mospajtime midis muslimanëve, ngjallnin krenarinë për hir të prejardhjes dhe nxirrnin fjalë të shërbetosura për nacionalizmin.

Si rrjedhojë e dredhive që përdornin kundër muslimanëve dhe Islamit, ishte nxjerrja e haditheve të trilluara, të sajuara, të cilat u përhapën si përralla nga çifutët dhe nga të tjerët në përgjithësi.

Enver el-Xhundi thotë: “Pjesa dërmuese e studiuesve mbështesin mendimin se shumica e haditheve të trilluara janë të bëra me qëllim, planifikim, armiqësi dhe dredhi. Ky është një faktor i rëndësishëm në konflikte ideologjike. Me këtë mjet u vërsulën fillimisht çifutët, e pastaj edhe ekstremistët e grupimeve tjera të sajuara. Të gjitha këto i përdornin me të gjitha metodat e punës fshehurazi, vazhdimësisë në të dhe maskimit, me qëllim të copëtimit të bashkimit dhe unitetit të muslimanëve, lajthitjen e tyre nga feja e drejtë dhe shkapërderdhjen nga rruga e vërtetë.

Disa studiues, këtë dukuri nuk e përshkruajnë ndryshe, përpos se si luftë reale kundër Librit të Allahut. Ata dëshirojnë që çdokush që lexon komentimin e drejtë të fjalëve të Allahut, ta braktisë atë lexim e të fillojë dëgjimin e përrallave, çudirave dhe tregimeve, me të cilat mashtrohen shumë njerëz të thjeshtë. E kur të nguliten thellë këto përralla në ata shpirtra, atëherë doemos do të kundërshtojnë thirrjen për të menduar shëndoshë”.[1]

Nga ky lloj mashtrimi është edhe përkthimi i librave të filozofisë, librave të feve të shtrembëruara dhe politeiste, si dhe përkthimi i librave të etikës nga ata. Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“…Allahu nga drita e pejgamberisë nxori një diell, i cili mori dritën e të gjitha yjeve. Në atë dritë jetuan ato gjenerata për një kohë të caktuar e pastaj u fsheh një pjesë e asaj drite të pejgamberisë. Gjatë pushtetit të abasidëve, u përkthyen disa libra të huaj, të filozofëve romakë, persianë dhe indianë. Në kohën e Me’munit u kërkuan të gjitha librat e tyre nga shteti romak dhe u përkthyen. Njerëzit filluan të mësojnë nga ato libra dhe si rezultat, u përhapën ato bidate që u përhapën”.[2]

Një pjesë e studiuesve bashkëkohorë përkrahin mendimin se përkthimi i filozofisë greke ishte një ndër faktorët e dobësimit të shtetit Islam dhe disfatës ushtarake përballë armiqve të fesë. Njëri nga ata thotë: “Unë dua të shtoj – si lexues dhe specialist në filozofinë Islame[3] – se përkthimi i filozofisë greke, e cila arriti të pushtojë kulmin e udhëheqësve në kohën e Me’munit[4], është një ndër faktorët e disfatës kulturore, madje, edhe të disfatës ushtarake”.

Kjo ndërlidhje midis përkthimit të filozofisë dhe disfatës kulturore e ushtarake është një realitet për të cilin nuk ka dyshim. Këtë e themi sepse jemi të bindur se sekreti i triumfit dhe përforcimit të Islamit në tokë ishte të përmbajturit në fenë e pastër dhe ndjenja e mospasjes nevojë për kulturat e padijes. Pastaj, pas atij përkthimi ndodhën edhe gjëra tjera – në të cilat aludoi Ibën Tejmije – sikurse bidatet[5], që në garniturë me të vijnë edhe mospajtimi, përçarja dhe humbja e fuqisë. Kështu, u dobësua shkaku me të cilin triumfonin muslimanët dhe kjo ishte nga shkaqet më kryesore për të pësuar ushtarakisht.

Po ashtu, pranimi i këtyre filozofive dhe përdorimi i tyre për të shtjelluar çështjet e besimit ishte dëshmi se ato filozofi janë të shëndosha. Ky fakt, e rriste edhe më tepër çështjen e asaj filozofie dhe, ndërkohë, jepte të kuptohet se muslimanët kanë nevojë dhe janë të varfër për filozofi. Kjo ishte një disfatë kulturore, edhe pse Islami nuk ka aspak nevojë për atë lëmi. Nuk kanë nevojë për të dhe as për ndonjë tjetër lëmi për ta njohur fenë.

Sikur të ndalonin këto lëmi logjike në shpjegimin e kërkesave materiale, në industri, mjekësi etj., kjo do të ishte shumë e qëlluar.

Ndërsa pretendimi se ato lëmi janë metodë për njohjen e besimit dhe moralit është gabim i madh dhe shkak prej shkaqeve të dobësimit dhe pësimit të muslimanëve.

Madje, disa publicistë perëndimorë përkrahin edhe mendimin se zhytja e filozofisë greke në këto çështje (besim, moral) ka qenë shkak për ngecjen e zhvillimit të vetë grekëve. Njëri nga ata thotë: “Filozofia, e cila zhytet në çështjet pasnatyrës dhe në çështjet e moralit, do të ketë pasoja, njëlloj siç e pengoi përparimin e zhvillimit të vjetër grek”.[6]

Dredhitë e ziliqarëve nuk ndaluan deri aty, ata bënë edhe një sulm kundër të gjitha themeleve dhe parimeve Islame. Dëshiruan shkatërrimin e çështjeve të besimit, braktisjen e ligjeve fetare dhe çdo gjë që ishte në të mirën e Islamit.

Në pjesën e fundit të gjeneratës së sahabëve, u shfaq kundërshtimi i kaderive në çështjen e kaderit. Këtë mësim, Ma’bed el-Xhuheni[7] e mori nga i krishteri Susin[8], i cili u shtir se është musliman e pastaj prapë u bë i krishterë. Nga Ma’bedi këtë mësim e trashëgoi Gajlan ed-Dimeshki[9] dhe Xha’d b. Dirhem[10].

Pas tyre erdhi Xhehëm b. Safuan[11], i cili fryu te disa njerëz idetë e shtrembëruara, të cilat relativisht, i përqafuan shumë grupe që thirren se janë muslimanë.

Ai përhapi idenë se krijesat nuk kanë mundësi zgjedhjeje (xhebër), se Allahu nuk është i cilësuar me cilësi përkatëse, përhapi idenë e irxhasë[12], duke thënë se iman (besim) është vetëm njohja e Allahut, ndërsa kufër (mosbesim) është mosnjohja e Allahut. Ai thoshte se Kur’ani është i krijuar[13], si dhe shumë fjalë tjera të ndyta, që kanë shkaktuar polemika dhe përçarje, kanë rezultuar në spica dhe kalla brenda muslimanëve.

Pas tyre u përhap sekti i mu’tezilive nëpërmjet Vasil b. Ataut[14] dhe Amër b. Ubejdit, të cilët ishin të ndikuar nga mendimet e xhehmive. Fillimisht, dëshironin kundërshtimin e xhehmive, por nuk përdornin metodën e drejtë, ashtu edhe këta përqafuan disa mendime të tyre, siç janë: pretendimi se Kur’ani është i krijuar, mohimi i cilësive të Allahut etj, kështu që morën një pjesë mjaft të madhe nga xhehmitë.

Më pas, u shfaqën maturiditë[15] dhe esh’arijtë[16], të cilët pretendonin se janë mesatar midis metodologjisë së pasuesve të gjeneratave të para dhe mu’tezilive. Kështu që, me mu’tezilitë dhe xhehmitë u pajtuan në disa çështje, por edhe me pasuesit e sunetit në disa çështje, por, morën një pjesë mjaft të madhe nga xhehmitë.

Këto sekte përvetësuan – njëlloj si shiat dhe sufijtë – te’vilin (ndryshimin e kuptimit) për të shfuqizuar aludimet e teksteve të shpallura.

Ibnul Kajjim, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Pika e njëzet e pestë: Emërtimi i katër tagutëve nëpërmjet të cilëve, përdoruesit e te’vilit të gabuar shkatërruan fortesat e kësaj feje, e nëpërkëmbën shenjtërinë e Kur’anit dhe i eliminuan shenjat e imanit. Këto tagutë janë:

– mendimi i tyre se: fjala e Allahut dhe fjala e të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, janë argumente që nuk aludojnë në dije dhe prej tyre nuk mund të arrihet bindje.

– mendimi i tyre se: ajetet dhe hadithet që flasin për cilësitë e Allahut janë alegori dhe jo reale.

– mendimi i tyre se: lajmet dhe të dhënat që ka përcjellë Muhamedi salallahu alejhi ue selem, të cilat i kanë transmetuar njerëz të drejtë dhe besimtarët i kanë pranuar me zemërgjerësi, nuk aludojnë në dije. Më e madhja që përfitohet prej atyre fjalëve janë supozime.

– dhe mendimi i tyre: kur të bie ndesh logjika dhe argumentet e Shpalljes, ne pranojmë logjikën dhe nuk ia vëmë veshin Shpalljes.

Këto katër tagutë[17] të cilët i shkaktuan Islamit atë që i shkaktuan, të cilët i eliminuan shenjat e tij, i anuluan simbolet e tij, i shkatërruan themelet e tij, rrëzuan shenjtërinë e argumenteve nga zemrat dhe pasuan metodologjinë e akuzës, çdoherë, kur dikush iu argumenton atyre me argument nga Kur’ani dhe suneti, ata me nxitim kthehen te njëri nga këta tagutë, kapen për të dhe e përdorin si mburojë për të penguar nga rruga e Allahut.

Allahu me fuqinë e Tij, me mirësinë dhe nderin e Tij i theu këta tagutë një nga një, nëpërmjet zëvendësve dhe trashëgimtarëve të pejgamberëve. Nuk kanë ndaluar ndihmësit e kësaj feje së qortuari këta njerëz anekënd botës, duke i gjuajtur me meteorët e Shpalljes dhe me argumentet e logjikës së shëndoshë”.[18]

Me kalimin e kohës, këto sekte u ndanë edhe brenda për brenda, u shtuan ndarjet dhe shtrembërimet dhe ashtu u futën brenda shoqërisë Islame dhe fituan shumë pasues. Gjërat që i ndihmuan ishin:

  1. Besimi i dobët dhe padituria e madhe, sepse imani i ngulitur fort, i ndërtuar mbi njësimin e pastër të Allahut dhe mbi diturinë e mbështetur në Kur’an dhe sunet është mburojë shumë e fortë, me të cilën Allahu i mbron besimtarët nga ideologjitë prishëse dhe të gjitha fitnet në përgjithësi.
  2. Përhapësit e këtyre ideve shfaqeshin para njerëzve si asketë, të devotshëm, të emocionuar në fe, pretendonin se kujdesen shumë për Islamin dhe merrnin përsipër shumë vështirësi dhe sakrifica. Gjëra të cilat, shumë njerëz i shtynë të mashtrohen dhe të bien në kurthet e tyre.
  3. Pranimi i këtyre ideve nga disa njerëz to njohur me dije, të cilët i lëvdonin lëmit dhe përrallat e filozofëve.
  4. Toleranca e disa udhëheqësve, kryetarëve dhe emirëve ndaj epshorëve dhe bidatxhive dhe jo vendosmëria në kundërshtimin e tyre. Madje, kishte të atillë që ndihmonin ato ide dhe i përhapnin me forcë.
  5. Mbisundimi i disa udhëheqësve, të cilit ishin pjesëtarë të atyre sekteve, në disa vende të muslimanëve.

Këto faktorë – dhe të tjerë – ishin zbrazëtira nëpërmjet të cilave u futën ideologjitë shkatërruese në shoqërinë Islame. Porsa hynë, gjetën veshë që i dëgjonin dhe zemra të hapura për ta. Kështu që, këto ide vluan dhe u përhapën kudo, njëlloj si zjarri në bar të thatë dhe shumë zemra e kapërdinë këtë fitne.

Por, Allahu bëri që te një pjesë e njerëzve të mbetet e vërteta; këta njerëz u kapën pas të vërtetës dhe braktisën trillet. Me tërë mundin çuan në vend këshillën për Allahun, të Dërguarin, udhëheqësit e muslimanëve e njerëzve në përgjithësi. Porse, edhe e shtrembëta mori hov, bëri që patjetër të jetë e pranishme dhe mbisundoi shoqërinë. Por “Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë”. (Jusuf 21) “Kur Allahu dëshiron ta lërë dikë në humbje, ti nuk mund të bësh asgjë për ta penguar Atë”. (Maide 41).

Rreziku i ideologjive shkatërruese e sekteve të humbura vazhdoi të shtohet me kalimin e kohës. Qeverisja e mbisundimi i tyre i përfshiu muslimanët, derisa arriti kohën moderne, ndërsa padituria e lajthitja kanë kapluar besimin dhe ligjet fetare te muslimanët. Bidati gdhiu sunet, ndërsa suneti bidat. Kjo është bërë normale dhe njerëzit e mbrojnë këtë dhe braktisin çdo gjë tjetër edhe nëse ajo është e vërteta që buron nga Kur’ani.

Andaj, nuk është çudi – në këtë gjendje – të jenë të mbisunduar nga të krishterët apo nga çifutët, të cilët kolonizuan shumë vende të muslimanëve dhe prej aty filluan një luftë të re, Konfliktin Ideologjik terrorizues, me qëllim të shkuljes së Islamit nga rrënjët.

“Ata bëjnë kurthe, por edhe Allahu bën kurthe kundër tyre. Allahu është planifikuesi më i mirë”. (Enfal 30).

 

përktheu: Omer Berisha

(botuar në revistën Albislam nr. 48 – 1. Korrik 2007

[1]  El-Islam ued daavatul heddame, Enver el-Xhundi, fq. 236

[2]  Mexhmuul Fetava 2/84

[3]  Shprehja e tij “filozofi Islame” nuk është e shëndoshë, sepse në Islam nuk ka filozofi, Islami është fe e zbritur dhe shpallje nga Allahu dhe që është e qartë plotësisht, ndërsa filozofia është lëmi për të cilën nuk ka nevojë askush përpos atyre që dëshirojnë komplikime, kontradikta dhe të ngjashme. Shprehja e shëndoshë do të ishte: “filozofia që i përshkruhet Islamit”.

[4]  Me’muni është një ndër halifët e shtetit abasit. Ai është Abdullah Me’muni biri i Harun Reshidit. U bë halif ps vrasjes së vëllait të tij Eminit në vitin 198 H. Në fund të qeverisjes së tij, ndezi kallën e pretendimit se Kur’ani është i krijuar. Ai vdiq në vitin 218 nga Hixhreti.

[5] Bidat gjuhësisht d.m.th. risi, ndërsa qëllimi është: shpikja e risive në çështjet e fesë, duke shtuar gjëra që nuk janë nga feja dhe duke i konsideruar ato si pjesë të Islamit. (sh.p.)

[6]  Kissatul Hadare, Vol Devrant 7/194

[7]  Ai quhet Ma’bed b. Abdullah el-Xhuheni, jetoi në Basra dhe është i pari që në kohën e sahabëve mohoi kaderin. Ky vdiq në vitin 90 H.

[8]  Ky ishte një krishterë që shfaqi Islamin dhe e përhapi në mesin e muslimanëve mohimin e kaderit, e pastaj sërish u kthye në krishterizëm.

[9]  Ai quhet Gajlan b. Muslim ed-Dimeshki. Është prej të parit që mohuan kaderin. Me të, debatoi dijetari el-Evzai por ky nuk e ndërroi mendimin e kotë, andaj el-Evzai dha fetva që të vritet ky person dhe kështu, Hisham b. Abdulmeliku dha urdhër që të vritet dhe u vra.

[10]  Xha’d b. Dirhemi është i pari që shpiku mohimin se Allahu e ka mik (halil) Ibrahimin, alejhi selam, dhe mohimin se Allahu i ka folur Musait, alejhi selam. Prej tij, këtë mësim e mori Xhehëm b. Safuani, mësuesi i xhehmive. Xha’din e vrau udhëheqësi i Irakut, Halid b. Abdullah el-Kasri në vitin 124 H.

[11]  Është nxënës i Xha’d b. Dirhemit dhe është i pari, i cili publikisht pretendonte se Kur’ani është i krijuar dhe mohonte cilësitë e Allahut të Lartësuar. Imami i matur, Dhehebiu, për këtë njeri thotë: “I humburi, bidatxhiu dhe koka e xhehmive. Ngordhi kah fundi i gjeneratës së tabiinëve, nuk di të ketë transmetuar diç të mirë, por e di se ka mbjell sherr të madh”. Krahas këtyre mendimeve, ai kapte edhe armën dhe luftonte kundër udhëheqësit.

[12]  “Irxha” gjuhësisht d.m.th. vonim. Këtu është për qëllim ndarja e veprës nga imani (besimi). Kjo ide pretendon se veprat e mira, qofshin fjalë apo vepra nuk bëjnë pjesë në të emërtuarën IMAN. Rezultati i këtij pretendimi është se imani nuk shtohet e as pakësohet. Përqafuesit e “irxhasë” quhen murxhie, ata vetë janë shumë grupe. Prej tyre janë edhe xhehmitë, të cilët thonë se iman është vetëm njohja e Allahut, të tjerë thonë: iman është vetëm besimi me zemër, sikur bëjnë esh’aritë, të tretët thonë: iman është vetëm shqiptimi me gojë, sikur bëjnë keramitë, po ashtu ka prej tyre të cilët thonë: iman është besimi me zemër dhe shqiptimi me gojë.

[13]  Pretendimi se Kur’ani është i krijuar është besim i kotë. Xhehmitë janë protagonistët e këtij besimi, por këtë e përqafuan edhe mu’tezilitë, dhe njashtu ky është edhe besimi i esh’arive dhe maturidive. Ky besim vjen si rezultat i mohimit të cilësive të Allahut të madhëruar, gjegjësisht mohimit se Allahu flet. Ndërsa, besimi në të cilin aludon Kur’an dhe që e kanë besuar gjenerata e para është: Allahu flet realisht me fjalë që fillojnë nga Ai, me shkronja dhe zë, të cilat dëgjohen kur do Ai dhe si do Ai. Pra, Kur’ani është fjalë e Allahut, e zbritur dhe jo e krijuar. Argumentet për këtë janë të shumta dhe dijetarët i kanë përmendur gjerësisht nëpër librat e sunetit, besimit dhe teuhidit.

[14] Vasili është i pari që përhapi mendimi se kush bën mëkate të mëdha është mes xhenetit dhe xhehenemit, po ashtu është njëri ndër mësuesit e mu’tezilive.

[15]  Maturiditë janë pasuesit e Ebu Mensur Muhamed b. Mahmud el-Maturidi es-Semarkandi (vdiq në 333 H). Nga bidatet e tyre janë: irxhaja, mohimi i disa cilësive të Allahut etj.

[16]  Esh’arijtë janë pasuesit e Ebul Hasen b. Ismail el-Esh’ari, por pasi u largua nga mendimet e mu’tezilive dhe i përqafoi ato të kulabijve. Në çështjen e imanit këta janë murxhie, mohues të disa cilësive po ashtu, në çështjen e kaderit janë xhebrij dhe kanë po ashtu bidate tjera.

[17] Tagut quhet çdo gjë që adhurohet pos Allahut, dhe ai i adhuruar është i kënaqur me të. (sh.p.)

[18]  Es-sauaik elmunezzele ale taifetil xhehmije uel muattile, nga Ibnul Kajjim 2/379,380. Botimi i Universitetit Islamik në Medinë.