Titullin e këtij shkrimi nuk e bëra unë, por ai është rezyme e një raporti që e publikoi policia evropiane Europol dhe e përhapën disa media.

Raporti tronditi shumë vëzhgues dhe monitorues në Perëndim, që prisnin nga raporti të hedhë akuza mbi muslimanët, ashtu siç u përpoqën mjaft media, që të gjithë myslimanët apo shumicën e tyre t’i paraqesin si terroristë. Ky raport erdhi nga institucioni më i lartë i sigurisë evropiane për t’i befasuar shumë perëndimorë, madje shumë muslimanë. Që nga ngjarjet e 11 Shtatorit sytë e të gjithëve u drejtuan nga muslimanët, duke i konsideruar ata si burim i terrorizmit në botë, nuk mbeti ndonjë media e as ndonjë qendër studimore, që të mos e hulumtonte këtë çështje, e cila u bë çështje e “qartë” për shumë nga ata. Ky raport që flet për periudhën nga 2006 – 2009 u publikua në ueb sajtin loonwatch.com me këtë titull tallës për të shprehur situatën e trishtuar që pikturojnë pamjet e medieve dhe disa politikanë në Perëndim. Në raport përmendet se nxitësit e islamofobisë veprojnë në përhapjen e pretendimit, se “nuk janë të gjithë muslimanët terroristë, mirëpo të gjithë terroristët përafërsisht janë muslimanë”. Megjithëse kjo ide ka filluar të jetë e pranuar nga disa qarqe duhet të dihet thjeshtë se ajo nuk është e vërtetë.

Raporti mbështetet në regjistrat e FBI-së, që qartësojnë se vetëm 6% nga sulmet terroriste brenda Shteteve të Bashkuara nga 1980 – 2005 i kanë kryer ekstremistët islamikë, kurse tjerat 94% të sulmeve i kanë kryer grupe të tjera: 42% i kanë kryer grupe nga Amerika Latine, 24% i kanë kryer grupe të krahut të majtë, 7% i kanë kryer ekstremistët çifutë, 5% komunistët dhe 16% të sulmeve janë kryer nga grupime tjera. Në fakt përqindja më e lartë (99.6%) e sulmeve terroriste në Evropë janë kryer nga grupe jo-islamiste. Përqindja e sulmeve që i kanë kryer grupet separatiste, që nuk kanë asnjë lidhje me Islamin arrin 84.8%. Hisja e grupeve të majta në sulmet terroriste është 16 herë më e madhe se hisja e grupeve islamiste, meqë vetëm 0.4% e sulmeve terroriste mes 2006-2008 mund t’u dedikohen grupeve islamiste. Si shembull për këtë po përmendim atë se në vitin 2006 janë kryer 498 aksione terroriste; 424 nga ato i kanë kryer grupet separatiste, 55 aksione i kanë kryer grupe të krahut të majtë, ndërsa akuza “islamike” zyrtarisht u bë vetëm për një aksion!!!

Në vitin 2007, në Evropë u kryen 583 sulme terroriste, nga të gjitha ato vetëm katër zyrtarisht u përshkruan si “islamike”: dy në Britani, një në Danimarkë dhe një në Gjermani.

Kurse 532 aksione të atilla u kryen nga grupe separatiste dhe 21 aksione nga grupe të krahut të majtë. Në këtë mënyrë vazhdon raporti për të caktuar natyrën e aksioneve në Evropë, që përshkruhen si terroriste për ta bërë të qartë, se aksionet që cilësohen si islamike nuk tejkalojnë 0.4% nga gjithsej aksionet të tilla në Evropë!!

Atëherë, ku është sekreti i kësaj potere rreth terrorizmit “islamik”, ndërsa të gjithë injorojnë qindra aksione, që i kryejnë separatistët, majtistët dhe të tjerët? Raporti përgjigjet: “Ajo që mendohet nuk është e vërtetë, dhe si rezultat i ndikimit dhe propagandës së krahut të djathtë ka njerëz që besojnë gabimisht se “terrorizmi islamik” është kërcënimi më i madh për botën perëndimore, madje besohet shumë se “terrorizmi islamik” është kërcënim ekzistencial, që d.m.th. se mbijetesa e botës perëndimore është në pyetje. Bëhet një frikësim dhe fokusim i qëllimshëm, kur çështja ka të bëjë me gjëra që i kryejnë muslimanët, gjë e cila nxit idenë, se të gjithë terroristët përafërsisht janë muslimanë.”

Mbetet pyetja: A është korrekte dhe e drejtë të akuzohen të gjithë muslimanët për terrorizëm, sepse një numër i caktuar merret me të?

Pse çdoherë që plas një gomë veture kudo në botë, njerëzit shikojnë përreth për të gjetur ndonjë musliman afër dhe menjëherë ta akuzojnë. Ka arritur puna që çdo musliman – sidomos nëse është arab – të jetë i dyshuar në aeroporte, stacione treni dhe parkingje, saqë disa pilotë refuzojnë të ngrenë avionin nëse dikush nga udhëtarët është musliman?!!… Dhjetë vitet e kaluara u mbyllën, ndërsa tema “terrorizmi islamik” ishte kryetitull i librave, medieve, filmave, raporteve të qendrave dhe ligjërimeve të politikanëve. Ai u bë edhe shkaku kryesor dhe arsyetimi i të gjitha gabimeve që ndodhnin: nëpërkëmbja e lirisë, mungesa e demokracisë, shkelja e të drejtave të njeriut, okupimi i shteteve të huaja. Gjithçka është e arsyetuar në emër të luftës kundër terrorizmit. Luftës së imagjinuar, e cila jo që i dha fund terrorizmit, por e shtoi përhapjen dhe flakën e tij. Islami kurrë dhe as që do të jetë shkak për terrorizëm, përkundrazi ai është zgjidhja më e rëndësishme për t’i dhënë fund terrorizmit. Askush nuk mund ta mohojë këtë dukuri, e cila rrënjët i ka në shumë shkaqe që shtetet nuk i zgjidhën, përkundrazi mediet mbizotëruan për ta stërmadhuar, madje e bënë industri nëpërmjet së cilës do të ushqehen shumë media dhe shumë studiues, e bënë kryetitull të lajmeve dhe të gazetave, lajmi për kapjen e një të akuzuari me terrorizëm në ndonjë fshat arab u bë “breaking news” në ekranet televizive dhe faqet e internetit. Ai ishte lajmi i parë në “Lajme”, gjersa lajmi për vendimin e parlamentit izraelit për hebraizimin e shtetit[1] bëhet lajmi i tretë në “Lajm”e apo nga lajmet dytësore në gazeta dhe faqe të internetit!!… Zbulimi i një celule terroriste bëhet më i rëndësishëm, sesa zbulimi në fushën e medicinës!! Nëse kjo mund të paramendohet në mediet perëndimore, atëherë ku është sekreti i ndjekjes së kësaj metode nga mediet që udhëhiqen nga muslimanët? Stërmadhimi i kësaj nuk i ndihmon shoqëritë, përkundrazi ajo i bën robër të frikës e të trishtimit dhe ndërpret zhvillimin. Ajo i bën popujt të sakrifikojnë lirinë dhe të drejtat e tyre për t’u “ballafaquar” me terrorizmin. A thua kjo dëshirohet?!!

Nga arabishtja: Omer Berisha

[1] Në vitin 2003 shteti izraelit mori vendim, se Izraeli është shtet hebraik (domethënë fetar) dhe kjo nënkupton mbylljen e derës së kthimit për refugjatët palestinezë dhe ndihmon politikën e spastrimit etnik dhe gjenocidit që do ta bëjë shteti izraelit, tashmë hebraik. (O.B.)

(botuar në revistën Albislam, nr. 90)