Pasi në javën e kaluar treguam dhe tërhoqëm vërejtjen nga risitë e përhapura në muajin Rexheb, sot do të përkujtojmë njëri-tjetrin me punët dhe përgatitjet që mund t’i bëjmë për afrimin e muajit të bekuar të Ramazanit.
Thirrja e Ehli Sunetit ka këtë natyrë: dëlirje dhe edukim. Pra gjithherë përpiqemi të dëlirësojmë veten dhe njerëzit përreth nga gjithçka e keqe e pastaj të edukohemi për të bërë gjithçka të mirë. Dëlirje nga shirku – edukim me teuhid, dëlirje nga bidati – edukim me sunet, dëlirje nga harami – edukim me hallall.
Veprat e mira nuk janë të kufizuara me kohë apo vend porse në disa kohë dhe vende janë të dalluara për nga shpërblimi, prandaj besimtari tregon kujdes dhe përpiqet t’i shfrytëzojë si ësh më së miri.
I Dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

افعلوا الخير دهركم ، و تعرضوا لنفحات رحمة الله ، فإن لله نفحات من رحمته يصيب بها من يشاء من عباده و سلوا الله أن يستر عوراتكم و أن يؤمن روعاتكم

“Punoni mirë tërë jetën tuaj dhe përpiquni të takoni mundësitë e mëshirës së Allahut, sepse Allahu ofron disa mundësi nga mëshira e Tij, me të cilat i kaplon ata robër që dëshiron. Luteni Allahun t’jua mbulojë të metat dhe t’ju sigurojë nga trishtimi”.(1)
Një prej këtyre mundësive është muaji madhështor i Ramazanit.

Muajin Ramazan duhet ta presim me:
1. Përmirësimi i sinqeritetit në çdo temë. Ta mësojmë veten se veprat të cilat na bëjnë dobi janë vetëm ato të sinqertat. I Dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

أنا أغنى الشركاء عن الشرك من عمل عملًا أشرك فيه فأنا بريء منه وهو للذي أشرك

“Unë jam më i panevoji për ortak. Kush bën një vepër edhe për dikë tjetër, Unë jam larg Tij dhe vepra i takon atij për të cilin e ka bërë”.

2. Shprehja e gëzimit për afrimin e këtij muaji madhështor dhe këtij sezoni të xhenetit në mesin e njerëzve: me fëmijët, me farefisin, shokët… paramendo një mysafir të dashur, të cilin nuk e ke takuar qe një vit, me çfarë gëzimi e presim!?

3. Të marrim vendim të prerë se do ta shfrytëzojmë atë muaj dhe kohën e tij do ta mbushim përplot me vepra të mira. Allahu thotë:

“فلو صدقوا الله لكان خيرا لهم” [محمد: 21]

“Sikur të ishin të sinqertë me Allahun, do ishte më mirë për ta”.
Kush merr një vendim të sinqertë, Allahu do t’i ndihmojë t’i realizojë ato qëllime dhe do t’ia lehtësojë punët e mira.
Shembull: Leximi i Kuranit – përgatitu duke e mësuar leximin, duke e përmirësuar texhvidin, duke ndarë kohë të mjaftueshme për lexim etj.

4. Mësimi i dispozitave të Ramazanit dhe agjërimit, sepse secili musliman e ka detyrim ta adhurojë Allahun me dituri. Në këtë rast nuk arsyetohen gabimet që bëhen nga padituria për personin i cili ka pasur mundësi të mësojë. Allahu na urdhëron:

“فاسألوا أهل الذكر إن كنتم لا تعلمون” [الأنبياء: 7]

“Pyetni ata që dinë kur ju nuk dini”.
Nuk duhet ta harrojmë edhe atë fjalën madhështore: “Njerëzit janë tre lloj: dijetar, nxënës dhe i shkatërruar, e ti ku bën pjesë?!”

5. Të marrim vendim të prerë se do t’i braktisim disa gjynahe me të cilat jemi të sprovuar dhe po e kemi të vështirë t’i braktisim sot. Le ta shfrytëzojmë atmosferën e Ramazanit për ta braktisur shikimin në haram, sharjet, shoqërinë e keqe, pirjen e duhanit etj.

6. Përgatitja e një plani për t’i bërë davet njerëzit që të rrethojnë. Plan se si do ta marrësh me vete në xhami, do t’i dhurosh një libër, do ta vizitoni një hoxhë, do ta hani një iftar së bashku, do të flisni hapur për fenë e Allahut.
Secili prej nesh njeh persona që janë të mirë si njerëz por janë injorantë dhe larg fesë së Allahut. Për këta njerëz ne jemi përgjegjës para Allahut, prandaj duhet të përpiqemi që t’ua bëjmë Islamin sa më të dashur që edhe ata të fillojnë të jetojnë me këtë fe madhështore.

7. Rregullimi i raporteve me vëllezërit muslimanë. Përqendrimi jonë në këtë muaj nuk guxon të shkojë në debate dhe polemika për gjëra të kota, e as në pagjumësi për shkak të raporteve të prishura me një vëlla musliman. Të gjitha duhet t’i kesh pastruar para Ramazanit! Si afat i fundit le të jetë gjysma e muajit Shaban. Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

يطلع الله إلى جميع خلقه ليلة النصف من شعبان ، فيغفر لجميع خلقه إلا مشرك أو مشاحن “

“Në natën e mesme të muajit Shaban i shikon Allahu të gjithë krijesat dhe ua falë gjynahet që të gjithëve përveç atij që është politeist apo i grindur”.(2)

8. Ta shpeshtosh agjërimin dhe namazin e natës në mënyrë që ta kesh sa më lehtë pastaj agjërimin e Ramazanit dhe namazin e teravisë.

9. Familjeve të varfra t’u sigurosh furnizim, në mënyrë që të bëjnë iftar dhe syfyr pa frikë dhe pa stres, sepse kështu ti ke fituar shpërblim të madh. Shiko buxhetin tënd privat, kërko dhe gjej familje nevojtare nga të afërmit e tu dhe vendose që tani shumën që do t’ua ndash.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, ai ka shpërblim njëjtë sikur agjëruesi”, pra: nëse i jep iftar dy agjëruesve, ti ke fituar shpërblime sikur t’i kishe agjëruar tre ditë, një e jotja dhe dy të atyre.
Allahu na mundësoftë ta mbërrijmë Ramazanin dhe na mundësoftë ta agjërojmë dhe ta shfrytëzojmë në formën siç Ai është i kënaqur prej nesh! Amin!

[1] Silsile sahiha 4/511
[2] Sahihu Tergib nr. 1016