Xhabiri, radijallahu anhu, thotë: Tri ditë përpara se të ndërronte jetë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, e kam dëgjuar tek tha:

(لا يموتنَّ أحدكم إلا وهو يحُسْن الظَّن بالله عزَّ وجلَّ)

“Të mos vdesë askush nga ju përveçse duke pasur mendim të mirë për Allahun” (Muslimi).

Mendimi i mirë për Allahun është gjë e bukur!

Mendimi i mirë për Allahun është një adhurim madhështor i zemrës. Është ndjenjë që e dallon besimtarin e mirë nga të tjerët. Është një degë e rëndësishme e imanit, pa të cilën imani do të ishte tejet i cunguar.

Allahu na nxitë që të kemi mendim të mirë për Të edhe kur do jemi në situatat më të vështira. Allahu i Lartësuar duke përshkruar një nga momentet e Ringjalljes tha:

{ وَخَشَعَتِ الْأَصْوَاتُ لِلرَّحْمَـٰنِ فَلَا تَسْمَعُ إِلَّا هَمْسًا }

“dhe do të heshtin zërat para të Gjithmëshirshmit e nuk do të dëgjosh përveç zëra të ulët”; megjithëse në një pozitë dhe situatë serioze dhe të frikshme, Ai nuk tha “para të Plotfuqishmit” por “para të Gjithmëshirshmit”.

Në Dy Sahihët përcillet se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: Allahu ka thënë:

أنا عند ظن عبدي بي فليظن بي ما شاء.

“Unë jam ashtu siç mendon robi për Mua, le të mendon atëherë çka të dojë!”

Pra, ai që mendon se Allahu do ta përkrahë, vërtetë Allahu do ta përkrahë; ai që mendon se Allahu ia do të mirën, vërtetë Allahu do t’ia sjellë të mirën; ai që mendon se Allahu do ta mëshirojë, vërtetë Allahu do ta mëshirojë. Si dhe, e kundërta me të kundërtën.

Ja disa shembuj të mendimit të mirë për Allahun:

  1. I thanë një beduinit: Ti do vdesësh…

E çka pastaj – pyeti ai.

Pastaj tek Allahu – i thanë.

Prej Allahut nuk kemi pasur asgjë përveç të mirës, pse të frikësohemi nga takimi me Të.

  1. E pyetën njërin nga gjeneratat e para: A njeh dikë që lutjet e tij i përgjigjen?

Jo, por njoh atë i Cili u përgjigjet lutjeve.

  1. Dikush e pyeti Ibën Abasin, radijallahu anhuma: Kush do t’i merr në llogari njerëzit në ditën e Kiametit?

Allahu – tha ai.

Paskemi shpëtuar për Zotin! – tha ai njeri.

  1. Një djaloshit i ishte afruar vdekja dhe nëna e tij qante. E ai tha: O nëna ime, sikur llogaria e punëve të mia të ishte në duart e tua, çfarë do të bëje?

Do të të mëshiroja o biri im – tha nëna.

Allahu ndaj meje është edhe më i mëshirshëm se ti – ia kujtoi djaloshi.

Atëherë, a domethënë se ne duhet vetëm të mendojmë mirë për Allahun dhe të mos punojmë asnjë gjë, a domethënë se nuk duhet të angazhohemi për të fituar shanset e faljes? Çka pra në realitet domethënë “mendimi i mirë për Allahun”?

Një dijetar i nderuar përgjigjet: Mendimi i mirë për Allahun është kur njeriu bën një punë të mirë ka mendim të mirë për Allahun se do t’ia pranojë; kur i drejtohet Allahut me lutje ka mendim të mirë për Allahun se do t’i përgjigjet lutjes që ka bërë; kur bën mëkat dhe pendohet ka mendim të mirë për Allahun se do t’ia pranojë pendimin dhe do t’ia falë mëkatin; kur të ndodhin fatkeqësi të ndryshme ka mendim të mirë për Allahun se ato fatkeqësi i ka lejuar të ndodhin për shumë urtësi madhështore; në gjithçka që Allahu ka caktuar ai ka mendim të mirë për Të; në gjithçka që Allahu ka ligjësuar në këtë Fe ai ka mendim të mirë për Allahun duke besuar se në ato rregulla dhe mësime ka mirësi dhe dobi për njerëzimin edhe pse ndonjëherë nuk mund t’i kuptojmë ato që nga fillimi.

Omer Berisha