Vëllezër muslimanë,

nuk kam mundësi që në këtë hutbe të vazhdoj me temat e parapara pa kujtuar së bashku dhe pa u njoftuar sadopak me fatkeqësinë që po përjetojnë një popull i tërë vetëm pse thanë Zoti ynë është Allahu, feja jonë është Islami dhe i dërguari ynë është Muhammedi! E kam fjalën për atë çfarë sot po ndodh në Burma.

Birmania (Burma) ose e njohur zyrtarisht si Mianmar është shtet në jug të Azisë, që ndër të tjera kufizohet me Tailandën, Kinën, Indinë dhe Bangladeshin.

Ka afër 55 milionë banorë, ku etnia më e madhe është ajo e birmanëve (bamarëve) me 70%, pastaj etnia e shanëve me 8.5% dhe etni tjera më të vogla. Për nga feja mbi 87% janë budistë, diku 6% të krishterë dhe afër 4% muslimanë.

Siç dihet historikisht, atje ku muslimanët nuk janë shumicë gjithmonë rrezikohet toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa. Kjo po ndodhë sot në Arakan, krahinë e njohur në Burma me banorë muslimanë.

Arakani më herët ishte shtet i pavarur  me tre milionë banorë muslimanë nga populli rohinga. Nga ky vend filloj të përhapej Islami edhe në shtetin fqinj, Burma që thamë se ishte me shumicë budiste.

Në vitin 1784 domethënë para 230 vite, për shkak të përhapjes së Islamit edhe në Burma, budistët u inatosën ndaj muslimanëve të shtetit Arakan dhe i luftuan ata duke lënë të vrarë dhe masakruar shumë muslimanë, dhe në fund arritën ta pushtojnë Arakanin duke ia zhdukur atë emër krejtësisht nga harta botërore që sot të njihet vetëm si pjesë e Mianmarit gjegjësisht Burmasë.

Kështu që muslimanët duke qenë shtet i pavarur u shndërruan në pakicë me tre milionë banorë kurse shumica budiste me afër 50 milion banorë. Po që ishin pakicë, por nuk kishin kurrfarë të drejte, as shkollim, as punësim, as pronë, madje as shtetësi. Në një mënyrë ata qenë refugjatë brenda vatanit të tyre.

Muslimanët në asi situata jonormale, morën iniciativa dhe krijuan fshatra të pavaruara për ta, ku jetonin me tregëti, formuan institucione të nevojshme, ndër to edhe shoqata të cilat morën përsipër përgatitjen dhe mirëmbajtjen e hoxhallarëve dhe ndërtimin e xhamive ku do të jenë aktivë ata hoxhallarë. Kjo formë e organizimit të pavarur u pengoi shumë budistëve të Burmës, andaj filluan të sulmojnë fshatrat e muslimanëve me qëllim në mënyrë sporadike për t’ua ngushtuar jetën dhe për t’i detyruar të braktisin vendlindjen e tyre.

Sulmi i fundit që po ndodh nga 25 Gushti ka një bilanc të trishtueshëm. Sipas raportit të Unionit të Shoqatave të Rohingas që e kanë publikuar më 4 Shtator (dita e katërt e Bajramit) gjendja ishte kështu:

– numri i të vrarëve (shehidëve inshalla): 6334

– numri i të plagosurve: 8349

– numri i grave të përdhunuara: 500

– numri i fshatrave të djegur: 103

– numri i shtëpive të djegura: 23250

– numri i rohingianëve që kanë mbetur pa shtëpi, pa vatan dhe pa pasuri: 335000

– numri i familjeve refugjatë që kanë arritur të ikin në Bangladesh: 24166

– numri i individëve refugjatë që kanë arritur të ikin në Bangladesh: 145000

– numri i refugjatëve që kanë mbetur pezull në kufirin e Bangladeshit: 190000

– numri i xhamive që shkatërroi ushtria birmiane: 250

– numri i shkollave që u shkatërruan: 80

– kurse të gjitha xhamitë dhe shkollat tjera janë mbyllur dhe nuk lejohet të punojnë.

Siç e pamë armiqësia është e kahmotshme, por kjo maskër e fundit, e dini si filloi?!

Para ca kohësh jo aq të largët ndodhi një masakër e tmerrshme, ku një grup nga budistët kriminelë sulmuan një furgon, me të cilin po udhëtonin dhjetë hoxhallarë, hafiza të Kuranit të cilët i thirrnin njerëzit në Fe  dhe ua mësonin Kuranin dhe rregullat e Fesë muslimanëve nëpër ato fshatra. Ai grup budistësh sulmuan furgonin e hoxhallarëve, duke i nxjerrë jashtë dhe duke i rrahur dhe maltretuar në mënyrën më kafshërore dhe duke i goditur me thika trupat e tyre, më pas morën një nga hoxhallarët dhe ia nxorën gjuhën e tij nga gabzherri pa pikë njerëzie… shihet se puna që ata hoxhallarë bënin me gojë ishte shqetësimi më i madh i këtyre budistëve të çoroditur… pastaj vazhduan duke i therë me shpatat e tyre duke u këputur duar e këmbë derisa i vranë që të dhjetët.

Muslimanët u revoltuan shumë dhe nuk duruan por dolën në mbrojte të hoxhallarëve të tyre dhe imamëve të xhamive të tyre. Në një mënyrë ata po thoshin: Çka na duhet jeta pa hoxhallarët, pa mësuesit tanë shpirtërorë?!

Kurse budistët u çartën edhe më shumë kundër muslimanëve, duke djegur fshat pas fshati, deri sa bilanci numrat e trishtueshëm që i raportoi Unioni i Shoqatave të Rohingas… ndërsa vrasjet dhe masakrat mbi muslimanët edhe sot po vazhdojnë, duke i përdhunuar motrat, bijat dhe gratë e tyre në sytë e familjeve të tyre deri në vdekje, nën torturat e thikave dhe bajonetave.

Pastaj, e tëra kjo masakër që po ndodh, ndodh me urdhrin e kryetares së këtij shteti të poshtër, e cila qenka edhe fituese e çmimit Nobel për paqe!! Nëse kështu fitohet Nobeli atëherë kam frikën se kandidati i ardhshëm më serioz për këtë çmim është Bashar Asadi, Ebu Bekër el-Bagdadi dhe kriminelë të tjerë.

Subhanallah, nuk e di për njerëzit, por sa për njerëzoren, mund të konstatoj se ka vdekur dhe të gjitha shoqatat për të drejtat e njerëzve, për arushat e bardha e të tjera janë dyfytyrësia më e madhe e shekullit ku po jetojmë.

Vërtetë shpirti dhemb, porse një hadith ia kujtoj vetes dhe të gjithë juve:

Nëna Ajshe, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tregon se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, kishte hapur derën apo perden mes tij dhe njerëzve, kur ja, i pa njerëzit si po faleshin me Ebu Bekrin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. E lavdëroi Allahun për bukurinë e situatës që e pa dhe shtoi shpresat që Allahu ta zëvendësonte kohën e tij me një kohë sikur që po e sheh, e pastaj tha:

“O njerëz, cilido prej njerëzve apo prej besimtarëve goditet me ndonjë fatkeqësi, le të sforcohet në fatkeqësinë e tij me mua me qëllim që t’i lehtësohet fatkeqësia që e ka goditur në diçka tjetër, sepse askush nga Umeti im nuk do të goditet me fatkeqësi më të rëndë për të sesa fatkeqësia ime” (Sahih Ibën Maxhe nr. 1310).

Kjo, vdekja e të Dërguarit të Allahut ishte dhe mbeti fatkeqësia më e rëndë për të gjithë Umetin, e cila trishtoi edhe burrat më të mëdhenj, por u kalua me ndershmëri dhe sukses, duke ia zbardhur fytyrën në çdo cep të dynjasë. Shpresoj tek Allahu të kalojë edhe kjo edhe të tjerat sa më shpejt! Lutja jonë Allahut për ndihmë është arma më e fortë, por si duket nuk po e përdorim sa duhet.