Pas lavdërimit dhe mirënjohjes që ia shpreh Krijuesit tonë, të Vetmit që meriton të adhurohet dhe pas lutjeve dhe përshëndetjeve të përzemërta që ia dërgoj mësuesit më të madh të njerëzimit, përhapësit të mëshirës për gjithë botët dhe çliruesit të njerëzimit nga robëritë e llojllojshmë në robërinë fisnike ndaj Allahut të Lartësuar, Muhamedit, alejhi salatu ue selam, gjithashtu falënderoj secilin hoxhë, i cili po përpiqet për të mirën tonë, të xhemateve tona, të xhamive tona po pse jo edhe për të mirën e tërë Globit, që aty të mbretërojë drejtësia, paqja, dialogu dhe respekti i ndërsjellë mes komuniteteve të ndryshme fetare.

Nuk ka dyshim se situata sot, qoftë ajo globale apo lokale, është shqetësuese, sidomos për ne, që jemi pozicionuar si edukatorë të njerëzve, kur shohim se si ato ura dhe ndërtesa të bukura që i ndërtojmë me shpirt, sakrificë dhe lodhje, vjen dikush dhe na i rrënon përtokë. Ky shqetësim përveçse është një kader nga Allahu, ka mundësi të jetë edhe një planifikim i menduar nga dikush që hamendëson se në raste shqetësimi, sikur çdo njeri, edhe imamët mund të bëjnë hapa të shpejtuar, të pamenduar dhe të pambështetur në Dy Burimet, që janë jeta jonë dhe garancia jonë – me lejen e Allahut – për të mos rënë në gabime.

Thelbi i këtij shkrimi është referati im në takimin e organizuar nga Asambleja e Imamëve Shqiptarë pranë ALKIG (Komuniteti Shqiptar i Kultit pranë Bashkësisë Islame në Austri), që u mbajt u mbajt më 04.02.2017 në qytetin Perg, Austri dhe atë po e bëj publik në mënyrë që dobia të jetë e përgjithshme dhe qëndrimi im sa më i qartë, për të gjithë.

Ne, imamët e xhamive, mësuesit e lëndës fetare në shkolla apo në përgjithësi të diplomuarit në kët lëm, duhet të kemi rol ekuilibrues dhe kjo nuk arrihet me komoditet por me aktivitet të menduar mirë. Përqendrimi ynë – sipas mendimit tim – duhet të derdhet në këto tri anë:

Një: me jomuslimanët:

  • T’ua theksojmë se mosha e Islamit është mbi 1450 vjet dhe deri para disa viteve kurrë dhe asnjëherë nuk ekzistonte diçka që quhej terrorizëm islamik. Kjo na bën të bindur se ky emër së bashku me të emërtuarit me këtë emër është i përgatitur në kuzhinat që duan të helmojnë Islamin dhe të shëmtojnë fytyrën e tij shkëlqyese dhe paqedhënëse.
  • Grupi që u përpoq t’i jep mbështetje fetare islame këtij gatimi dhe ta fusë brenda Islamit është ideologjia tekfiriste, e cila është degëzim i sektit Havarixh. Historia e tyre filloi me sjellje të këqija ndaj Muhamedit, alejhi salatu ue selam, pastaj u shua, pastaj vazhdoi me robërim të grave të muslimanëve dhe me vrasje të tyre pastaj u shua, pastaj përsëri gjatë historisë u ngjall dhe u shua dhe përsëri sot u aktivizua, por përsëri do të shuhet. Dhe kështu do të vazhdojë derisa grupi i fundit i tyre që do të aktivizohet do t’i bashkëngjitet Dexhallit.
  • Duhet theksuar se prej synimeve të tyre nuk janë jomuslimanët, por muslimanët; Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, lidhur me ta, ka thënë: “…njerëz që lexojnë Kuranin e që nuk u mbrrin më poshtë se fyti, dalin nga Islami siç del shigjeta nga harku, i vrasin muslimanët dhe i lënë të lirë idhujtarët…”.[1] Këta muslimanë, që sipas tyre kanë dalë nga Islami, e të cilët sot janë mbi 1 miliard e gjysmë të gjithë duhet vritur, kështu që nuk ka panikë dhe frikë për jomuslimanët, sepse për të vrarë gjithë atë numër duhet shumë kohë. Sulmet sporadike ndaj jomuslimanëve (kur janë ndodhi të vërteta) bëhen me qëllim për të fituar simpatizantë të rinj, të cilët gjithashtu janë njerëz entuziastë që ëndërrojnë Holivudin në jetën e zakonshme dhe të përditshme.

Dy: me xhematin:

  • Shumë mund po harxhojmë duke shfajësuar Islamin para xhematit. Shumë kohë po derdhim duke i treguar xhematit se Islami nuk është kështu dhe as ashtu, e nuk po kemi pastaj elan të mjaftueshëm për tu treguar se çka në fakt është Islami. Nuk po kemi kohë të përçojmë tek ata edukatën e të parëve tanë, nuk po arrijmë që në xhematet tona të dalin djemë e vajza hafize të Kuranit dhe Sunetit.
  • Simpatizantët eventualë nga xhematet e xhamive tona për terroristët të cilët përvidhen me emra të lëvduar nga Kurani, si muxhahidë, lartësues të fjalës së Zotit, nuk i kanë frikë askujt përveç Zotit duhet t’i trajtojmë me kujdes, me urtësi dhe me dituri nga Kurani e Suneti që t’i shpëtojmë nga ajo rrugë e keqe dhe pa kthim.

Tre: me ne imamët:

  • Ne kemi rol fetar, ne përfaqësojmë Kuranin dhe Sunetin, ne jemi trashëgues të pejgamberëve prandaj edhe qëndrimet tona duhet ndërtuar kryekëput me Fe. Pra, me Kuran dhe Sunet, me Ixhma dhe me kijas të saktë, njëjtë siç kanë bërë imamët në kohë të ndryshme kritike gjatë historisë. Ne nuk guxojmë të heqim dorë nga disa maksima fetare vetëm për shkak se jomuslimanët në kohën aktuale po na keqkuptojnë, pavarësisht a kanë të bëjnë ato me çështje të kredos islame apo të jurisprudencës islame. Kurrë nuk duhet të harrojmë informimin e saktë nga i Gjithdijshmi:

وَلَن تَرْضَىٰ عَنكَ الْيَهُودُ وَلَا النَّصَارَىٰ حَتَّىٰ تَتَّبِعَ مِلَّتَهُمْ ۗ قُلْ إِنَّ هُدَى اللَّـهِ هُوَ الْهُدَىٰ ۗ وَلَئِنِ اتَّبَعْتَ أَهْوَاءَهُم بَعْدَ الَّذِي جَاءَكَ مِنَ الْعِلْمِ ۙ مَا لَكَ مِنَ اللَّـهِ مِن وَلِيٍّ وَلَا نَصِيرٍ

“As hebrenjtë dhe as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, përderisa të ndjekësh ata. Thuaju: “Vetëm udhëzimi i Allahut është i drejtë!” E, në qoftë se pas asaj diturie që të ka zbritur ty, ti ndjek dëshirën e atyre, atëherë prej dënimit të Allahut ti nuk do kesh kurrfarë mbrojtësi e as ndihmëtari”.

  • Aspak nuk duhet të ndiejmë faj pse një pjesë e terroristëve kishin rrënjë nga safat e xhamive. Nuk duhet të ndiejmë faj pse e mësojmë xhematin se çka është kufri e çka imani, se çka është shirku e çka teuhidi, çka është hairi e çka sherri, çka është mëkati e çka pendimi, çka është xhehenemi e çka xheneti, kush është banor i xhehenemit e kush i xhenetit. Pranimi i një faji të atillë, do t’i shpallte si fajtorë edhe pejgamberët në përgjithësi kurse Muhamedin, alejhi salatu ue selam, në veçanti, sepse këtë fjalor prej tij e kemi trashëguar dhe mësuar.
  • Kjo që po ndodhë sot, në përqindje të madhe është kurth i përgatitur për të dështuar projektet e ndritshme islame nëpër botë, të cilat po përhapin dashurinë, paqen, drejtësinë, logjikën, librin dhe respektin; dhe të tjerët (jomuslimanët) po i pranojnë me të madhe. Ky kurth i ngjan kurthit të vjetër të orientalistëve kundër femrës muslimane, të cilët me dekada u përpoqën të tregonin për “nënçmimin” dhe “pozitën e ultë” të femrës në Islam, sa që nga thirrjet e tyre u mashtruan edhe shumë muslimanë e muslimane, madje dhe hoxhallarë; dhe si rrjedhojë ndërruan disa fetva rreth mbulesës, martesës dhe familjes; porse rezultati i përgjithshëm doli se njerëzit që më së shumti në botë e kanë dhe po e pranojnë Islamin janë pikërisht femrat. Unë kam bindjen se ky kurth do ta bëjë Islamin edhe më aktual në nivele debatesh dhe shtresa të ndryshme njerëzish, e këtu, imamët duhet të jenë shumë aktivë në prezantimin e Islamit, shfajësimin, replikat dhe kundërpërgjigjet, me mençuri dhe argumente të shëndosha logjike.

Për fund, kam një propozim konkret:

  • Propozimi: përkthimi i librit “Toleranca në Islam” nga Dr. Abdullah el-Luhejdan në gjermanisht dhe dërgimi i tij nëpër institucione dhe librari, pasi libri përpunon tema të rëndësishme aktuale për problemet që po flasim dhe i trajton ato me argumentime logjike, por më e rëndësishmja, i trajton ato tema me tekste fetare dhe praktika të muslimanëve, të cilat janë bindëse edhe për jomuslimanin, edhe për muslimanin. Libri të botohet në emër të ALKIG. Nëse jo, fundja të marrim përsipër ne imamët që t’i përpunojmë ato tema dhe t’i bëjmë një libër.

Ju falënderoj sinqerisht për vëmendjen dhe e lus Allahun të na jep sukses, devotshmëri, vëllazëri të vërtetë, bashkim në dynja dhe kënaqësi në xhenetet e larta në ahiret.

[1] Sahihul Buhari nr. 7432