Së fundmi pata fatin të lexoj librin „Histori e Ballkanit“ nga Misha Glenny. Autori qe ca kohë gazetar i The Guardian-it e pastaj i BBC-së, ku raportonte ngjarjet e rënda që ndodhnin në Ballkan viteve 90 nga shekulli i kaluar.

Personalisht nuk kam lexuar libër më të kompletuar dhe më të paanshëm lidhur me historinë e këtij rajoni të rëndësishëm, thuajse për gjithë botën. Sigurisht që subjektivizmi nuk mund të flaket nga asnjë punim, por megjithatë lexuesi do të vërejë qartas se është duke lexuar një autor, i cili dëshiron të shpërfaq një histori bazuar në fakte, raporte, shkrime, përjetime personale, këngë dhe poezi të ndryshme.

Periudhën kohore 1804-2012 e nis me lindjen e nacionalizmave në Ballkan. Tregon sesi zullumi i jeniçerëve në Beograd e rrethinë do t’u mundësojë serbëve një përkrahje direkte nga sulltani i drejtë kundër jeniçerëve të padrejtë në atë vend. Aty flet edhe për fillet e aktiviteteve dhe kryengritjeve të bullgarëve dhe grekëve kundër perandorisë osmane. Rumunët do të fitojnë një autonomi pa pasur nevojë për kryengritje te armatosur.

Historia e „kombit me dy fe – kroatët dhe serbët“ për mua ishte tejet informative, edhe pse e koklavitur. Bosnja ishte pas populluar në fund të shekullit XVII nga muslimanët e Hungarisë.

Shteti osman ndërmori reforma për të shpëtuar perandorinë duke shpërbërë sistemin e mileteve për të vendosur sistemin e osmanizmit, ku të gjithë duhet ta ndienin veten si pjesëtarë të barabartë në identitetin e ri. Ideja e osmanizmit nuk dhezi përkundër propagandës italiane dhe gjermane për nacionalizëm dhe shtet kombëtar.

Feja e përcaktonte identitetin e njeriut atëbotë, mirëpo gjuha sillte ndërlikime jo të vogla. Kisha ortodokse qe e përçarë në disa kisha kombëtare (serbe, bullgare, rumune). Ndër myslimanët, gjuha ishte ajo që i ndante shqiptarët dhe boshnjakët nga turqit.

Organizimet kombëtare sillnin edhe spastrimet (masakrat) fetare, gjë që, perandoria osmane nuk e kishte bërë asnjëherë, përkundrazi hebrenjtë e përndjekur nga Spanja ose vende tjera gjenin rehatinë dhe të drejtat njerëzore në perandori.

Autori përgjatë gjithë librit jep të kuptosh se përzierja e Fuqive të Mëdha në Ballkan asnjëherë thuajse nuk qe e pastër dhe se në shumicën e rasteve ata e shndërruan Ballkanin në arenë luftimesh për llogari të të huajve. Dëmet e shkaktuara zhvillimore dhe ekonomike mund të riparoheshin, sipas univerzitetit të Vjenës, në kohët e sotme me një përkrahje 100 miliardëshe dollarë për ato vende.

Autori pohon se luftëtarë të vërtetë Ballkani kishte shqiptarët, kurse serbët dhe bullgarët, me gjithë fitoreve nëpër beteja, nuk shquheshin për luftëtarë.

Në kohën kur po shkërmoqej perandoria osmane, ajo nuk tregoi zgjuarësi për të mbështetur pavarësinë e trojeve shqiptare, troje që me siguri do t’i rrinin besnikë përgjithmonë.

Ataturku u bë i njohur në luftën e Çanakalasë, ku ndihmuan muslimanët e të gjitha ish-trojeve të perandorisë, edhe pse tashmë shteti osman nuk ekzistonte. Ataturku përdori famën e tij dhe riorganizoi shumë ushtarë turq të shkapërderdhur nëpër vende të thella në Turqi, për të themeluar asisoj Turqinë moderne, e cila nuk do të rehatohet thuajse asnjëherë nga fuqia që gëzonte ushtria, e cila me kushtetutë kish „të drejtë“ të bënte grusht shteti ndaj qeverisë.

Goxha emocion të jep libri kur përshkruan detaje nga spastrimet, masakrat dhe shkatërrimet e vendbanimeve edhe ashtu të brishta.

Nga Sarajeva dhezi fitili i Luftës I Botërore. Ende pa u shëruar plagët e saj, nisi Lufta e II, ku u shkaktuan dëme të pallogaritshme. Pastaj, stalinizmi polli shtete të ndyra komuniste, ku shërbimet sekrete kishin në dorë thuajse çdo banor, burgjet ishin përplot dhe likuidimet e njerëzve „të papërshtatshëm“ ishin aq të shpeshta. Detajet që sjell autori ndërmjet këtyre ngjarjeve ishin vërtet interesante dhe informuese.

Gjatë rënies së komunizmit nga shtetet e Jugosllavisë, më së keqi e pësoi Bosnja, ku sikur serbët me Millosheviqin ashtu edhe kroatët me Tugjmanin i ishin sulur Bosnjës pa asnjë mëshirë. Problemet më të ndërlikuara në Ballkan, thotë autori, janë Bosnja dhe Maqedonia. UÇK-ja e Kosovës, e cila kishte bërë një luftë të ndershme, paska pranuar në Paris që statusi i Kosovës të përmbyllet edhe me autonomi, mirëpo kokëfortësia e Millosheviqit shkaktoi bombardimet e NATO-s mbi Serbi dhe pastaj ndryshuan shumë gjëra. UÇK-ja e Maqedonisë sipas autorit, i cili referohet në informata nga shërbimet sekrete botërore, kishte nisur aktivitetet e saj në Maqedoni me qëllim për të marr nga disa funksionarë të PDSH-së kontrabandën me cigare. Këtu i ndiva keq. Demonstrat e Marsit 2003 në Kosovë gjithashtu ishin nxitur ose organizuar nga rrjeti i kriminelëve serbë dhe shqiptarë, që bashkëpunojnë për mrekulli, madje edhe sundojnë shumë parti. S’do mend se përparimi i vonuar në këto vende është shumë dobiprurës për krimin e organizuar.

Shteti që ia hodhi jo vetëm Ballkanit por gjithë Evropës duket hapur të jetë Greqia, e cila aq shumë favore përfitoi nga të gjithë mirëpo kurrë nuk dha një kontribut pozitiv për fqinjët nga Shqipëria, Turqia dhe Maqedonia, por vetëm bllokoi me të gjitha mundësitë që pati.

Unë vetëm po shënoj përshtypjet e mia nga libri e nuk po i pohoj si të (pa)vërteta. Dikush që merret më thellë në fushën e historisë së Ballkanit, me siguri ka vërejtje në pohimet e autorit ose në kuptimin që unë kam marrë gjatë leximit të këtij libri.