I Dërguari, alejhi salatu ue selam, ishte ai që më së sakti dhe më së bukuri e lexonte Kuranin dhe nga ai u trashëgua nëpër gjenerata.

Ruajtja e leximit të saktë u bë nëpërmjet rregullave të texhvidit. Texhvidi me të cilin lexojmë ne dhe njëherësh shumica e botës është texhvidi i përcjellë nga Asimi nëpërmjet Hafsit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!

Kush ishte imam Asimi?

Ai është lexuesi nga Kufeja, tabiiu Ebu Bekër Asim ibën Ebi Nexhud. Ishte imam i leximit të Kuranit në Kufe. Ishte i verbër, arabishten e folte pastër dhe ishte njohës i mirë i sintaksës.

Ka mësuar Kuranin nga:

  1. Ebu Abdurrahman es-Sulemij. Emri i plotë i tij është Abdullah ibën Habib, lexues nga Kufeja, u lind në kohën e Profetit, alejhi salatu ue selam dhe ka mësuar Kuranin nga Aliu, Othmani, Abdullah ibën Mesudi, Zejd ibën Thabiti dhe Ubej ibën Ka’bi radijallahu anhum. Po ashtu ka mësuar nga Hasani dhe Husejni, radijallahu anhuma.
  2. Zer ibën Hubejsh, gjithashtu nga Kufeja, që ishte nxënës i Othmanit, Aliut dhe Abdullah ibën Mesudit, radijallahu anhum.

Kush ishte imam Hafsi?

Ai është Ebu Omeri, Hafs ibën Sulejman el-Gadiri. U lind në vitin 90H dhe është një nga transmetuesit më të dalluar të imam Asimit. Ndërroi jetë në vitin 180H.

  • Rregullat e këtij texhvidi janë të përmbledhura në librin e njohur esh-Shatibije[1].
  • Ky texhvid është më i përhapuri në botën islame.

Llojet e texhvidit:

  1. Texhvidit praktik, që nënkupton leximin e saktë, njëjtë sikur e lexonte Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Ky lloj i texhvidit është farz për secilin lexues. Këtë e mbështesim në argumentet:

“dhe lexo Kur’anin me kujdes dhe qartë” (Muzzemmil 4).

“atyre që u zbritëm Librin, ata e lexojnë atë ashtu siç meriton” (Bekare 121).

– Umu Selemeja, radijallahu anha, u pyet për leximin dhe namazin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, e ajo e përshkroi se ai e lexonte shkronjë-shkronjë dhe e komentonte asisoj.

– Ka një tregim me një person që lexoi përpara Abdullah ibën Mesudit, ajetin:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ

e ai i tha: “Nuk ma ka lexuar I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, në atë mënyrë por kështu:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَآءِ وَالْمَسَاكِينِ

nuk e zgjati aq sa duhet a-në te fjala “fukara”.

  1. Texhvidi teorik, që nënkupton njohjen e rregullave dhe dispozitave shkencore. Mësimi i këtij është i pëlqyeshëm për muslimanët e rëndomtë, kurse për ata që merren me mësimin e të tjerëve Kuran është detyrim i domosdoshëm.

Gabimet në lexim

Janë dy lloj:

  1. Të qarta: që cungojnë ndërtimin e fjalës, pa marrë parasysh a ia ndryshon kuptimin apo jo. Këto gabime janë të patolerueshme, gabuesi konsiderohet se ka bërë haram, kurse ai që i bën me qëllim konsiderohet se ka bërë kufër. Për shembull:

– që i ndryshon kuptimin: أَنْعَمْتِ عَلَيْهِمْ

– që nuk ia ndryshon kuptimin: الْحَمْدُ لِلَّـهُ

2. Të fshehta: që nuk cungojnë as ndërtimin dhe as kuptimin e fjalës, sikurse lëshimi i disa rregullave të texhvidit apo shqiptimi i disa shkronjave specifike. Këto gabime janë të tolerueshme, ai që i bën pa qëllim nuk konsiderohet se ka bërë gabim, kurse ai që i bën me qëllim konsiderohet se ka bërë haram.

Allahu dhëntë sukses!

[1] Emri i plotë i librit: Harzul Emani ue uexhhu Tehani

përgatiti: Omer Berisha