Pyetje: Me çfarë ta fitojmë Mëshiren e Allahut qe të shpresojmë xhennetin?
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut, salavatet dhe selamet më të sinqerta qofshin për të Dërguarin e Allahut dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij!
Pyetja jote vëlla Dardan më kujtoi dy hadithe, njëri e konfirmon saktësinë e pyetjes tënde kurse tjetri veçse i jep përgjigje të njëjtës pyetje.
Ebu Seid el-Hudriju, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjellë se I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qoftë me të, ka thënë:
Askush nuk do të mundet të hyjë në xhenet përveçse me mëshirën e Allahut!
As ti o Resulullah? – e pyetën.
As unë, përveç nëse Allahun më kaplon me mëshirën e Tij – tha ai dhe bëri me dorë mbi kokën e tij. (Sahihu Tergib nr. 3599)
Pra, përderisa njerëzit, kam për qëllim të gjithë njerëzit, dëshirojnë xhenetin atëherë i gjithë preokupimi duhet të përqendrohet në gjetjen e mënyrave se si fitohet mëshira e Allahut, sepse siç u pa nga hadithi, ajo qenka mundësia e vetme për ta fituar xhenetin. Pas kësaj pyetje fillojnë të dallohen njerëzit seriozë në këtë dëshirë dhe ata joseriozë. Seriozët e nënkuptojnë se kjo mëshirë meritohet me besim dhe punë të caktuara e jo shpresa dhe pretendime.
Njëri prej shokëve të Profetit, alejhi salatu ue selam, Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, shprehu seriozitetin e madh të vetin lidhur me këtë dëshirë kur pyeti (ky është hadithi i dytë): O Resulullah! Më trego punë e cila do t’më fusë në xhenet dhe do t’më largojë nga Zjarri!
“Ke pyetur për diçka madhështore por ajo është e lehtë për atë njeri që ia ka lehtësuar Allahu: Adhuroje Allahun e mos e barazo me askë tjetër, fale namazin, jepe zeqatin, agjëroje Ramazanin dhe vizitoje Shtëpinë” – i tha Profeti.
Kërkesa për të hyrë në xhenet është kërkesë e madhe, kërkesë të cilën nuk mund të ta plotësojë askush përveç Allahut, por kush e do sinqerisht, atëherë Allahu ia lehtëson. Lehtësimi është konkret. Njerëzit e xhenetit janë njerëzit që e adhurojnë vetëm Allahun dhe askënd tjetër nuk e barazojnë me të, as në zotërimin e Allahut, as në adhurimet konkrete dhe as në emrat dhe cilësitë e Allahut. Njerëzit e xhenetit e falin namazin. Njerëzit e xhenetit e japin një pjesë të pasurisë së tyre për kategoritë merituese në shoqëri. Njerëzit e xhenetit dëshmojnë se nuk janë robër të dëshirave dhe kënaqësive duke agjëruar Ramazanin. Njerëzit e xhenetit i kanë zemrat plot dashuri për Qabenë e Lashtë, për Shtëpinë e Shenjtë në qytetin e Mekës dhe nuk durojnë pa e vizituar.
Sqarimin për këtë rrugë e vazhdoi Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, duke iu përgjigjur Muadhit:
“A dëshiron të të mësoj dyert e hairit?”
Patjetër o Resulullah – i tha Muadhi.
“Agjërimi është mburojë, sadakaja e shuan mëkatin sikurse uji zjarrin dhe namazi i njeriut brenda natës”.
Ecja në këtë rrugë rrezikohet nga dyshimet dhe nga dëshirat, andaj me agjërim vullnetar njeriu fiton mburojë të fortë, sidomos kundër dëshirave dhe qejfeve. Megjithatë, muslimanit i ndodhë të bëjë mëkate, të cilat shkaktojnë temperatura të larta në zemrën e besimtarit dhe rrezikojnë vazhdimin e rrugës, andaj besimtari e flladitë veten e tij me lëmosha për nevojtarët dhe për projektet e dobishme për shoqërinë. Njerëzit e xhenetit kanë nevojë të vetmohen me Allahun, për tu mbushur me forcë, elan, motivim dhe dashuri për Krijuesin e xhenetit, e kjo arrihet duke u vetmuar me falje të namazit natën vonë.
Muadhi, radijallahu anhu, pati një fat të jashtëzakonshëm në këtë bisedë, sepse I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qoftë me të, po i jepte këshilla të shtuara dhe të thukta rreth pyetjes që Muadhi e bëri. Vazhdoi:
“A dëshiron të të tregoj për kokën e çështjes, për shtyllën e saj dhe për majen e saj?”
Patjetër o Resulullah – i tha Muadhi.
“Koka e çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi dhe maja e saj është xhihadi”.
Kauza kryesore në jetë është Islami dhe varësisht nga raporti i njeriut me Islamin aq edhe ka mbërritur kauzën e tij personale në jetë, përndryshe nëse nuk i ka punët mirë me Islam, ai nuk ka arritur asgjë në botë, sepse fundi i kësaj bote është asgjë. Kjo çështje nuk mund të paramendohet pa shtyllën e saj sepse nuk mund të vazhdojë e gjallë, pra, kjo çështje nuk mund të paramendohet pa namaz.
Pastaj, ai njeri që e adhuron Allahun, nuk i bën shirk Atij, e falë namazin, e jep zeqatin, e agjëron Ramazanin, e viziton Mekën, agjëron agjërim vullnetar, dallohet me dhënie të shpeshtë të sadakasë, falë namaz nate, është musliman i denjë dhe është i palëkundur në çështjen e namazit, ai ka shanse të arrijë majen e çështjes, e cila është xhihadi me të gjitha llojet e tij. Është qesharake tendenca për mashtrim nga disa të painformuar, kur duan t’ia fillojnë çështjes nga maja e jo nga rrënja pastaj trungu e pastaj degët e në fund maja, sa që edhe shpikin maja të llojllojshme dhe të pabaza sipas qejfit dhe i thonë vetes se kanë arritur majën e Islamit.
“O Muadh, a dëshiron të të tregoj atë që i përfshin të gjitha këto?”
Patjetër o Resulullah – i tha Muadhi.
“Këtë mbaje të lidhur” – i tha Pejgamberi, alejhi salatu ue selam duke i dhënë shenjë nga gjuha.
Si? Teuhidin, namazin, zeqatin, agjërimin, haxhin, namazin e natës, sadakanë, xhihadin krejt këto i përfshin gjuha?! Ishte habi e madhe për Muadhin, radijallahu anhu, andaj pyeti:
“A do merremi në pyetje edhe për atë që flasim?!”
“Të vajtoftë nëna o Muadh! Po çka tjetër i gjuan njerëzit me fytyrë apo me hundë në Zjarr përveç korrja e gjuhëve të tyre?!” – iu përgjigj Pejgamberi, alejhi salatu ue selam. (Sahihu Tergib nr. 2866)
Fraza për vajtimin e nënës për të birin ishte frazë e njohur atëbotë dhe I Dërguari, alejhi salatu ue selam, si të atillë e përdori pa ia dëshiruar atë në të vërtetë, pra, ishte një fjalë goje, që tregon se përdorimi i atyre frazave që nuk i kemi për qëllim me zemër nuk është i ndaluar. Kurse pamaturia e njerëzve në fjalë, ndërhyrja në kompetenca të huaja me fjalë, tallja me Allahun me fjalë, fyerja e njerëzve me fjalë, përçmimi i njerëzve me fjalë dhe plot forma të të këqijave me fjalëve janë shkak i hyrjes së njerëzve në zjarrin e xhehenemit dhe i humbjes së të drejtës për tek mëshira e Allahut.
Subhanallah, aq e madhe është mëshira e Allahut sa që vetëm njerëzit më të prishur mund të mos e fitojnë.
Allahu të ruajtë ty, mua dhe çdo dashamir tonin nga Zjarri përvëlues!
Omer Berisha
06 Dhjetor 2015
Linz
Comments by Omer Berisha