Çrregullime, konflikte, përçarje, vrasje, luftra dhe çka jo tjetër. Po duket sikur e keqja po arrin kulminacionin dhe ndoshta nuk është gabim nëse tërheqim një paralele mes këtij halli dhe disa shenjave të Kiametit.

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, përcjellë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:
( وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ ، لَا تَذْهَبُ الدُّنْيَا حَتَّى يَأْتِيَ عَلَى النَّاسِ يَوْمٌ لَا يَدْرِي الْقَاتِلُ فِيمَ قَتَلَ ، وَلَا الْمَقْتُولُ فِيمَ قُتِلَ ، فَقِيلَ : كَيْفَ يَكُونُ ذَلِكَ ؟ قَالَ : الْهَرْجُ ، الْقَاتِلُ وَالْمَقْتُولُ فِي النَّارِ )
Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, nuk do merr fund dynjaja derisa të vijë dita ku vrasësi nuk e di pse vret dhe as i vrari nuk e di pse është vrarë.
Si do të ndodhë ashtu? – pyetën.
“El-Herxh, vrasësi dhe i vrari do jenë në Zjarr” – u përgjigj i Dërguari, alejhi salatu ue selam. (Muslimi 2908)
Po ashtu Ebu Hurejra, radijallahu anhu, përcjellë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:
( لَا تَقُومُ السَّاعَةُ حَتَّى يُقْبَضَ الْعِلْمُ ، وَتَكْثُرَ الزَّلَازِلُ ، وَيَتَقَارَبَ الزَّمَانُ ، وَتَظْهَرَ الْفِتَنُ ، وَيَكْثُرَ الْهَرْجُ ، وَهُوَ الْقَتْلُ الْقَتْلُ ، حَتَّى يَكْثُرَ فِيكُمْ الْمَالُ فَيَفِيضَ )
“Nuk do ndodhë Kiameti derisa të vdesë dituria, të shtohen tërmetet, të afrohet koha, të shfaqen fitnet, të shtohet elherxhi e ai është vrasja, vrasja dhe derisa të shtohet pasuria mes jush dhe të përhapet shumë”. (Buhariu 1036 dhe Muslimi 157).
Ebu Musa el Eshari, radijallahu anhu, ka thënë:
I Dërguari, alejhi salatu ue selam,na fliste se para Kiametit është elherxhi. “Çka është elherxhi” – e pyetnin.
“Rrena dhe vrasja” – tha.
“Më shumë sesa vrasja që po ndodhë tani?” – pyetën.
“Ajo nuk do ndodhë duke vrarë jobesimtarët por do të ndodhë duke vrarë njëri-tjetrin, aq sa njeriu e vret komshinë, e vret vëllanë, e vret xhaxhain dhe e vret djalin e xhaxhait” – tha Profeti.
“Subhanallah, a do jemi me mend?” – pyetën.
“Jo, të menduarit e njerëzve të asaj kohe do të shkulet aq sa ndonjëri të mendojë se po bën diçka ndërsa nuk po bën asgjë” – u përgjigj Profeti, alejhi salatu ue selam. (Shënon Ahmedi në Musned 32/409. Hadithin e kanë saktësuar recensuesit e Musnedit dhe po ashtu Albani në Silsile Sahiha 1682).

Siç vërehet qartas, në këto hadithe se para ndodhive të fundit të Kiametit do të shtohen vrasjet, kurse shkaqet e vrasjeve nuk do jenë të arsyetuara asnjëherë. Ato ndodhin kështu:
1. Në rastet e luftrave të fitnes ku nuk është e qartë e vërteta nga e pavërteta, njerëzit nuk mund me bindje ta shohin anën e të vërtetës e pastaj gjatë luftimeve, vrasësi nuk e di pse po vret dhe as i vrari nuk e di pse u vra. “nuk e di” dmth nuk ka mbështetje të qartë fetare dhe logjike pse po e bën këtë, përndryshe ai di të dallojë pse e vret atë dhe pse nuk e vret këtë.

2. Në rastet e luftrave të fanatikëve të cilat ndodhin për shkak të fanatizmit fisnor apo grupor. Në kësi raste luftuesi është injorant tipik, i cili merr pjesë thjeshtë për t’i dalë në krah fisit, grupit apo partisë së vet. Por ku është shkaku që do ta lejonte një luftë të atillë? Nuk mund ta dijë fare.

3. Në rastet e vrasjeve në masë, siç ndodhë me armët për shkatërrim masiv, nga të cilat pësojnë shumë të pafajshëm: fëmijë, gra, civilë, gazetarë etj. Këta nuk e dijnë pse dikush i vrau po edhe vrasësit nuk e dinë pse i vranë ata të pafajshëm. Në këtë rast vërtetë nuk e dinë, pasi vrasja po bëhet masivisht.

4. Në rastet e luftrave të njerëzve mendjelehtë, të cilët bëjnë turr me vrasje për shkak të mendjelehtësisë apo për shkak të kënaqësisë së shprehjes së trimërisë dhe shkakton viktima kot e kot.

U përmend në hadith që dituria do të humbet dhe logjika nuk do të funksionojë, gjëra të cilat janë shkak për parandalimin e gjakderdhjes, padrejtësisë dhe vrasjeve. Megjithëse në kohët para kohës së fundit afër ndodhive të mëdha të Kiametit, dijetarë dhe njerëz të mençur do të ekzistojnë, por numri i madh i injorantëve dhe ndikimi i tyre do të bëjë të ndodhin gjëra si ato të paralajmëruara në hadithet sipërpërmendura. Këtë na e shpjegon i Dërguari, alejhi salatu ue selam, edhe në një hadith tjetër, po ashtu nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu:
سَيأتي على الناسِ سَنَوَاتٌ خَدَّاعَاتُ ، يُصَدَّقُ فيها الكَاذِبُ ، و يُكَذَّبُ فيها الصَّادِقُ ، و يُؤْتَمَنُ فيها الخَائِنُ ، و يُخَوَّنُ فيها الأَمِينُ ، و يَنْطِقُ فيها الرُّوَيْبِضَةُ . قيل : و ما الرُّوَيْبِضَةُ ؟ قال : الرجلُ التَّافِهُ ، يتكلَّمُ في أَمْرِ العَامَّةِ
“Do të vijnë te njerëzit vite ekstrem mashtruese, ku i besohet gënjeshtarit dhe përgënjeshtrohet i sinqerti, i lihen në besë gjëra tradhtarit ndërsa besniku quhet tradhtar, e kur flet, flet Ruvejbida”
“Kush është Ruvejbida” – e pyetën.
“Njeriu i poshtër, ndërsa flet për punët e popullit”. (Silsile Sahiha nr. 1887 – hasen)
Ruvejbida gjuhësisht është deminutivi i fjalës Rabida që d.m.th. ai që kujdeset për Rebid; ndërsa Rebid d.m.th. dhen. Shkurt: Çoban.

Këto hadithe dhe kuptime që po i përmendim këtu vërehet nga konteksti se flasin për një kohë përpara ndodhive të mëdha të Kiametit, gjegjësisht përpara ardhjes së Dexhallit. Ne kur i përmendim këtu, i përmendim për të parë ngjashmëritë e ndodhive të sotshme me ato të ditëve të fundit të kësaj bote.
“Kurse ajo që e thonë disa nxënës dije dhe hoxhallarë se kjo kohë është ajo, dhe i thonë dikujt drejtpërdrejtë se ky është Ruvejbida është gabim i dukshëm i cili do të sjellë të këqija edhe më të mëdha”. (Dr. Abdulmexhid Bejanuni).
Nga gjërat që u thanë në këto hadithe vërejmë shumë ngjashmëri me ndodhitë që po i shohim, dhe atë mbarë globit. Ta marrim si shembull rastin tonë si shqiptarë, më konkretisht, atë që po ndodhë në Maqedoni!
1. Megjithëse ky popull është musliman me përqindje gati absolute dhe në mesin e tyre ka njerëz besnikë, të mençur, bujarë, trima dhe dashamirë të popullit, prapë se prapë ata njerëz që kanë ngjashmëri me Ruvejbida arrijnë të bëhen udhëheqës të popullit dhe kështu në vend se t’i udhëheqin drejt përparimit dhe avancimit, i udhëheqin drejt injorancës, prapambetjes dhe konflikteve të panevojshme. Në vetëdijesimin e këtij populli kanë detyra konkrete të gjitha mendjet, mediet, hutbet dhe lapsat e ndritur.

2. Edhe në këtë kohë të globalizimit dhe dëshirës së shumicës dërrmuese për tu integruar në Evropë, sllavo-maqedonët arrijnë të dhezin dhe të fikin ndjenjat tona kombëtare siç kanë dëshirë. Dua të jem i gabuar në këtë pikë, porse faktet më thonë të kundërtën: ndodhin luftra, viktima, sakrifica dhe shkatërrime e pastaj me një lëmuarje të kokës ndodhë zmbrapsja dhe shtiremi sikur u rregullua gjithçka; pas disa muajve përsëri, pas disa viteve përsëri dhe kësisoj ndodhë një serial i shëmtuar me kosto të paparamenduar.

3. Ne jemi shqiptar dhe jemi të kënaqur që Allahu na ka bërë të atillë, porse dashuria, urrejtja, lufta dhe paqja nuk duhet të nxiten nga kjo përkatësi, sepse ashtu duhet t’i kallim luftë pas maqedonëve edhe gjithë botës tjetër.
E duam edhe Shqipërinë Natyrale. Kjo është e vërtetë nga zemra që nuk mund ta fshehim, porse ne, pastaj vëllezërit në Çamëri si dhe ata në Mal të zi jemi fëmijë dhe nuk është logjike të ndërmarrim hapa të cilat janë detyrë e Atdheut tonë Shqipëri dhe Mëmëdhesë tonë Kosovë. Fëmijët nuk dalin para prindërve.
Le t’i ruajmë trimat tanë për ditë të vërteta dhe jo për avantura të regjisorëve të ndryshëm.

4. Duhet t’i mësojmë vlerat e vërteta, me çka duhet të krenohemi dhe jo të mashtrohemi me këngë patriotike, me flamuj, me përmendore ose madje edhe me gola kundër Serbisë. U fol aq shumë për shqipe e shqiponja saqë është frika se do na kapë gripi i shpezëve, u trumbetua aq shumë rreth gjuhës shqipe saqë nuk duam të themi më asnjë fjalë.
Ajo që duam është sigurimi i qetësisë dhe paqes, sigurimi i lirisë për secilin, zhvillimi i ekonomisë së vendit, sigurimi i mundësive materiale për tu shkolluar, lirimi i njerëzve të pafajshëm nga burgjet dhe shumë të tjera që do ta rehabilitojnë këtë popull nga kjo periudhë e tranzicionit. Gjenerata ime kurrë nuk do ta harrojë se e tërë jeta u shkoi duke pasur frikë nga shtypja, maltretimi, burgosja, nëpërkëmbja,vjedhja madje edhe vrasja.

5. Si pasojë e mospasjes parasysh të gjërave që i përmenda dhe i shumë të tjerave që nuk i përmenda, bilanci i vikendit të kaluar ishte trishtues fillimisht për banorët e Kumanovës në përgjithësi dhe i Lagjes së Trimave në veçanti. Ishte trishtues edhe për çdo njeri porse edhe më trishtues për neve si shqiptarë.
Atje u bë luftë e vërtetë, por pse? Askush nuk e di! Pse vranë? Askush nuk e di. Pse u vranë? Askush nuk e di.
Ajo që dihet është se të gjithë banorët e atij vendi u traumatizuan nga krismat që zgjatën dyzet orë, shumë banorë mbetën pa shtëpi dhe disa trima u mashtruan e pastaj u tradhtuan dhe në fund u vranë ose u burgosën.
Sipas raportimit të një gazetari, nuk u kursyen as refugjatët që vijnë nga vendet e luftës në Lindjen e Mesme, sigurisht nga Iraku apo Siria, ku thotë se nga gjithsej 10 të vrarë prej grupit të armatosur vetëm 3 janë shqiptarë, kurse shtatë të tjerë janë refugjatë që sigurisht ia kanë mësyer dyerve të Evropës, të cilët nuk qenë pjesë e grupit të armatosur porse “janë marrë dhe janë dërguar në ‘Lagjen e Trimave’, ku janë ekzekutuar e masakruar, sa që është e pamundur të identifikohen”. Allahu i mëshiroftë besimtarët që shkuan viktimë e këtij skenari.

Nga aspekti material raportohet se 43 shtëpi janë shkatërruar deri në atë masë, sa që nuk ka mundësi aty të banohet, fakt i cili kur të përkthehet në vlerë është afër 4 300 000 euro.
Këta njerëz dhe kjo popullatë ka nevojë për përkrahje të gjithanshme, ndërsa ajo më e lehta që mund ta bëjmë ne, është përkrahja materiale ndaj tyre. Unioni i muslimanëve shqiptarë në Austri ka bërë thirrje që sot të tubojmë të holla, të cilat do t’i dërgohen Muftinisë së Kumanovës e cila do ta bëjë shpërndarjen e tyre proporcionalisht, sipas nevojës.
Ju përkujtoj se i Dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu është në ndihmën e robit të Vet përderisa ai ndihmon vëllanë e vet”. Jepni aq sa keni mundësi, Allahu ju shpërbleftë!

 

(hutbe në xhaminë Bujaria, Linz më 15 Maj 2015)