Kur njerëzit na bëjnë të mira ekzistojnë rregulla të pashkruara ose një bonton i caktuar sesi duhet të reflektojë sjellja jonë ndaj tij, kurse për të mirat e pakufishme dhe të përditshme të Allahut ndaj krijesave shumëkush është i shkujdesur që t’i dijë e aq më pak të reflektojë ajo në sjelljen e tyre.

Lidhur me këtë temë njeriu duhet të dijë disa gjëra:

  1. Mirësitë e Allahut ndaj njeriut janë shumë aq sa nuk mund të numërohen. Allahu ka thënë:

“وَإِنْ تَعُدُّوا نِعْمَة اللَّه لَا تُحْصُوهَا إِنَّ اللَّه لَغَفُور رَحِيم ” سورة النحل (18)

“Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut nuk do të arrinit, vërtetë Allahu është Falës dhe i Mëshirshëm”

Imam Maliku këtë ajet e komentoi kështu: “pastaj ua përkujtoi se mirësitë e Tij ndaj tyre janë të shumta, duke u thënë: “Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut nuk do të arrinit, vërtetë Allahu është Falës dhe i Mëshirshëm” dmth jua falë juve; sikur të kërkonte t’i shprehnit mirënjohje ndaj mirësive ju nuk do kishit mundësi, ndaj aso urdhri do ishit të paaftë dhe sikur t’ju ndëshkonte për këtë do ishte plotësisht i drejtë, porse Ai është i Mëshirshëm, falë shumë dhe shpërblen edhe punët e vogla.

Një njeri ishte ankuar për gjendjen dhe jetesën e tij të rëndë te një dijetar i urtë dhe ky i fundit i kishte thënë:

“A e kishe shitur shikimin për 100 000”? “Jo” – tha ai.

“A e kishe shitur dëgjimin tënd për 100 000?” – e pyeti përsëri.

“Jo” – ia ktheu. “Pra, qenke pasanik që nuk arrin të të blejë askush” – e këshilloi dijetari.

  1. Nuk duhet harruar se edhe mirësitë janë sprovë, madje ndonjëherë edhe më të rënda sesa vështirësitë. Allahu në Kuran i quajti sprovë edhe varfërinë edhe pasurinë:

“فأما الإنسان إذا ما ابتلاه ربه فأكرمه ونعمه فيقول ربي أكرمنِ وأما إذا ما ابتلاه فقدر عليه رزقه فيقول ربي أهاننِ، كلا”

“Por, Zoti kur ta provojë njeriun e ta dhurojë me begati, (ai) thotë: “Zoti im është sjellë në mënyrë bujar endaj meje!” E, kur ta provojë atë, duke ia munguar furnizimin, atëherë ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”. Jo, jo!”

Allahu tha: “Jo, jo” dmth assesi nuk është ashtu, sepse nëse pasuria do të ishte nderim dhe varfëria poshtërim, pejgamberët e Zotit do të ishin pasanikët më të mëdhenj, ata do të kishin më së shumti pasuri ndërsa kundërshtarët e tyre dhe jobesimtarët nuk do zotëronin asgjë nga pasuritë.

  1. Sjellja e shkëlqyer ndaj mirësive do të arrihej me mirënjohjen tonë Allahut për ato mirësi. Mirënjohja është disa lloj:

mirënjohja me zemër: kjo fillon duke besuar fort se çdo mirësi vjen nga Zoti, i Vetmi dhe nga askush tjetër. Allahu ka thënë:

“وما بكم من نعمة فمن الله” سورة النحل: 53

“Çdo mirësi që keni, ajo është prej Allahut”

mirënjohja me gjuhë: shprehja e mirënjohjes me falënderime, shfaqja e kënaqësisë tonë me Allahun dhe shfaqja e atyre mirësive. Numan ibën Beshiri përcjellë se i Dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

التَّحدُّثُ بنعمةِ اللهِ شُكرٌ ، و تركُها كُفرٌ ، و مَن لا يشكرُ القَليلَ لا يَشكرُ الكثيرَ ، و مَن لا يشكرُ النَّاسَ لا يشكرُ اللهَ ، و الجماعةُ برَكةٌ ، و الفُرقةُ عذابٌ

“Shfaqja e mirësive të Allahut është mirënjohje ndërsa mosshfaqja është mohim, kush nuk falënderon të paktën ai nuk falënderon as të shumtën, kush nuk i falënderon njerëzit ai nuk e falënderon as Allahun. Bashkimi është begati ndërsa përçarja është ndëshkim” (Sahihul Xhamië nr. 3014 – hasen).

mirënjohja me vepër: kjo mirënjohje dallon varësisht nga mirësia.

Kujt Allahu ia ka dhënë udhëzimin ai e shprehë mirënjohjen duke i ftuar të tjerët në këtë udhëzimkujt Allahu i ka dhënë memori të fortë dhe mençuri ai e shprehë mirënjohjen duke mësuar për vete, duke mësuar të tjerët, ose duke zgjidhur problemet e njerëzve; kujt Allahu i ka dhënë pasuri ai e shprehë mirënjohjen duke e lënë të gatshme atë pasuri për ta shpenzuar në rrugë të Allahut – fshehtas dhe haptas, duke mos e shpërdorur dhe duke mos e harxhuar në haram; kujt Allahu i ka dhënë fëmijë ai e shprehë mirënjohjen duke e edukuar siç duhet atë fëmijë. Me një fjalë: mirënjohja me vepër nënkupton shfrytëzimin e atyre mirësive në punë të mira dhe assesi në punë të këqija. Allahu ka thënë:

اعملوا آل داود شكرا وقليل من عبادي الشكور 

“Punoni o familja e Davudit që të shprehni mirënjohje. Pak nga robërit e Mi janë mirënjohës”.

  1. Gjatë gjithë kohës jemi në mirësi të shumta, të dukshme dhe të padukshme. Allahu ka thënë:

أَلَمْ تَرَوْاْ أَنَّ ٱللَّهَ سَخَّرَ لَكُمْ مَّا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِي ٱلأَرْضِ وَأَسْبَغَ عَلَيْكُمْ نِعَمَهُ ظَاهِرَةً وَبَاطِنَةً

“A nuk shihni, se si Allahu u ka mundësuar – t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka plotësuar dhuntitë e Tij – të jashtme dhe të brendshme?” (Lukman 20). Të jashtme dmth konkrete, të dukshme sikur shëndeti i trupit, pasuria, familja, fitorja e Islamit, ndihma kundër armiqve, bukuria, shikimi, dëgjimi etj. Të brendshme dmth të padukshme, sikur përkrahja me melaike, njohja e Allahut, mendja, kuptimi, shpërblimet në botën tjetër etj.

  1. Te çështja e mirësive duhet ditur se mirësia më e madhe ndaj nesh është udhëzimi që ta njohim Allahun dhe vetëm Atë ta adhurojmë:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اذْكُرُوا نِعْمَتَ اللَّـهِ عَلَيْكُمْ ۚ هَلْ مِنْ خَالِقٍ غَيْرُ اللَّـهِ يَرْزُقُكُم مِّنَ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ ۚ لَا إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ فَأَنَّىٰ تُؤْفَكُونَ 

“O njerëz! Kujtojeni dhuntinë e Allahut! A ka ndonjë krijues, pos Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij, e nga po ia mbani ju”.

E pastaj njohja dhe ndjekja e Sunetit të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam:

وَاذْكُرُوا نِعْمَتَ اللَّهِ عَلَيْكُمْ وَمَا أَنْزَلَ عَلَيْكُمْ مِنَ الْكِتَابِ وَالْحِكْمَةِ ) البقرة : 231

“Kujtojeni mirësinë e Allahut ndaj jush dhe atë që zbriti për ju: Librin dhe urtësinë” Libri është Kurani ndërsa urtësia është Suneti i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam.

(hutbe në xhaminë Bujaria 06.03.2015)

(material i përshtatur nga arabishtja nga Dr. Muhamed ibën Adnan es-Siman)