Islami, feja e vetme e plotësuar nga Krijuesi i Gjithësisë, sikur na ka treguar rrugën e shpëtimit në ahiret, na ka mësuar gjithashtu të bëjmë jetën më të mirë edhe në këtë dynja, ka rregulluar të drejtat e gjithkujt dhe ka nxitur të jetësohen ato.

Nga ato të drejta është edhe e drejta e komshisë.

Komshi quhet gjithkush që jeton afër teje, qoftë musliman apo kafir, qoftë i mirë apo i kriminel, qoftë bamirës apo keqbërës.

Ajsha, radijallahu anha, pyeti: “Nga dy fqinjet e mia që i kam, me cilën të filloj (dmth në bamirësi)? “Me atë që ka derën më afër teje” – i tha Profeti, alejhi salatu ue selam. Pra, nuk i detajizoi nëse është musliman apo jo.

Detyrat ndaj komshisë përforcohen edhe më shumë nëse komshiu është musliman, e po ashtu nëse me të ka lidhje familjare, sepse në atë rast bëhen bashkë tre merita: merita e Islamit, e afërsisë dhe e fqinjësisë.

Një shkallë më poshtë është nëse komshiu është vetëm musliman ose vetëm i afërm dhe një shkallë më poshtë është komshiu jomusliman dhe jo i familjes.

Por që të gjithë i kemi komshi dhe që të gjithë meritojnë të drejtat e tyre.

Këto të drejta do t’i përmbledhim si në vazhdim: Bamirësia ndaj tij, mosshqetësimi i tij dhe durimi i keqbërjes së tij. Allahu i madhërishëm, ka thënë:

(وَاعْبُدُوا اللهَ وَلا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئاً وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَاناً وَبِذِي الْقُرْبَى وَاليَتَامَى وَالمَسَاكِينِ وَالجَارِ ذِي القُرْبَى وَالجَارِ الجُنُبِ وَالصَّاحِبِ بِالجَنْبِ وَابْنِ السَّبِيلِ وَمَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ إِنَّ اللهَ لا يُحِبُّ مَنْ كَانَ مُخْتَالاً فَخُوراً)
“Adhurojeni Allahun e mos i bëni Atij asnjë ortak, ndaj prindërve bamirësi, si dhe ndaj të afërmve, jetimëve, të ngratëve, fqiut të afërm, fqiut të largët, shokut pranë teje, udhëtarit dhe atyre që i keni në dorë. Allahu nuk i do ata që janë mendjemëdhenj dhe lavdërohen” (Nisa 36)

Në këta urdhra madhështorë në këtë ajet, së bashku me urdhrin për adhurimin e Allahut, u përmend edhe urdhri për bamirësi ndaj fqiut.
Fqiu i afërm është me të cilin të afron edhe më shumë familja ose feja.
Fqiu i largët është çdokush tjetër.
Kurse shoku pranë teje është bashkëshorti/ja, ai me të cilin ke kryer një punë hallall, ai me të cilin ke pasur një udhëtim hallall dhe ngjashëm. Arabët kanë thënë: Me njëzet ditë shoqërim krijohet lidhje familjare.

Bamirësia ndaj komshisë dmth t’i dalësh krah, ta ndihmosh, ta vizitosh kur sëmuret, të jesh pjesë e gëzimeve dhe pikëllimeve të tij, t’i ndihmosh materialisht kur ka nevojë, ta porositësh në punë të mira, ta largosh nga punët e këqija dhe t’ia falësh lëshimet.

Krejt këto janë bamirësi ndaj komshisë, me çka na ka urdhëruar Allahu i Lartësuar.

Bamirësia dhe mosshqetësimi i komshisë ka një lidhje të ngushtë me imanin, siç ka thënë I Dërguari, alejhi salatu ue selam:
(وَاللهِ لا يُؤْمِنُ وَاللهِ لاَ يُؤْمِنُ وَاللهِ لاَ يُؤْمِنُ قِيلَ ، وَمَنْ يَا رَسُولَ اللهِ قَالَ الَّذِي لاَ يَأْمَنُ جَارُهُ بَوَايِقَهُ). رواه البخاري
“Pasha Allahun nuk beson, pasha Allahun nuk beson, pasha Allahun nuk beson!”
“Kush o i Dërguar i Allahut” – e pyetën.
“Ai, nga dëmi i të cilit nuk është i sigurt komshiu i tij”.

Hakun e komshisë Islami e shpjegoi dhe i dha një pozitë shumë të rëndësishme. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha:
(مَا زَالَ جِبْرِيلُ يُوصِينِي بِالْجَارِ حَتَّى ظَنَنْتُ أَنَّهُ سَيُوَرِّثُه). متفق عليه.
“Nuk rreshti Xhibrili duke më këshilluar për komshinë saqë mendova se do t’i jep edhe të drejtë trashëgimie”.

Bamirësia ndaj komshisë është sjellje fisnike që i zbutë zemrat, e përhapë dashurinë dhe paqen mes njerëzve dhe i udhëzon drejt hairit dhe bamirësisë në përgjithësi.

Prandaj, njeriu duhet të shtrijë dorën e ndihmës, përkrahjes dhe bashkëpunimit komshiut të vet. I Dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë:
(خَيْرُ الأَصْحَابِ عِنْدَ اللهِ: خَيْرُهُمْ لِصَاحِبِهِ، وَخَيْرُ الجِيرَانِ عِنْدَ اللهِ: خَيْرُهُمْ لِجَارِه)
“Shoku më i mirë tek Allahu është më i miri nga ata ndaj shokut; komshia më i mirë tek Allahu është më i miri nga ata ndaj komshisë” (Sahihul Xhamië nr. 3270).

Keqbërja dhe shqetësimi i komshive është gjë e ndaluar rreptësisht sipas Islamit. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, përcjellë: Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i thanë: Filanja agjëron ditën dhe falet natën por me gjuhën e saj i shqetëson komshinjtë. I Dërguari, alejhi salatu ue selam, tha:
” لا خير فيها، هى فى النار
“S’ka hair në te, ajo do jetë në Zjarr!

Këtë detyrë, shokët e Resulullahut, alejhi salatu ue selam, e kryenin si është më së miri, pa përjashtuar këtu kafirët. Familja e Abdullah ibën Amrit kishin therë një dele për ta ngrënë në shtëpi dhe kur erdhi Abdullahu, radijallahu nahu, u tha: “A i keni dhuruar diçka nga mishi edhe komshiut tonë çifut? A i keni dhuruar diçka komshiut çifut? Unë e kam dëgjuar Profetin, alejhi salatu ue selam, duke thënë: “Nuk rreshti Xhibrili duke më këshilluar për komshinë saqë mendova se do t’i jep edhe të drejtë trashëgimie”.

Një musliman nga Sudani -siç përcjellë shejh Aid elKarni-, në Amerikë, Dr. Mumtazi, ka banuar afër një çifuteje, të cilën e kishin braktisur familja e saj dhe ky së bashku me familjen e tij u kujdesën për të derisa ishte gjallë dhe pastaj e kuptuan se ajo gjithë trashëgiminë e saj ia kishte shkruar Dr. Mumtazit. Pra, një pjesë e shpërblimeve i erdhi qysh në dynja, kurse në Ahiret Allahu ka përgatitur shpërblime të pakufishme për bamirësit.

Sa shumë që kemi nevojë tu kthehemi normave dhe vlerave morale të Islamit. Lumturia dhe qëndrueshmëria e shoqërisë nuk mund të arrihet pa punuar sipas këtyre të drejtave që i solli Islami.

(hutbe e mbajtur në xhaminë Bujaria, Linz)

Përshtatje nga:
http://saaid.net/rasael/751.htm