Vakëfi – dispozita dhe vlera

Nga: Sulejman b. Xhasir b. Abdulkerim el-Xhasir

Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve kurse lavdia, paqja dhe shpëtimi qofshin me më të vlefshmin profet dhe pejgamber, Muhamedin, me familjen e tij dhe me shokët e tij, pra:

Ky tekst i shkurtër ka të bëjë vakëfin: kuptimin, legjitimitetin, vlerat, llojet, hapat proceduralë për ta regjistruar dhe sugjerime për vakëflënësit.

PËRKUFIZIMI I VAKËFIT

Gjuhësisht: Në arabisht ka kuptimin e ndaljes dhe pengimit kurse në terminologjinë islame është për qëllim: “Ndalimi i thelbit dhe dhurimi i frytit”. Me thelb është për qëllim kapitali kurse me fryt fitimi apo dobia. Gjersa me dhurim është për qëllim lënia dhe falja e tyre për hir të Allahut.

Pra, ai që lë vakëf një shtëpi për të banuar në të për shembull nxënësit, këtu thelb kemi shtëpinë kurse dobia është banimi.

ARGUMENTET PËR LEGJITIMITETIN E VAKËFIT

Nga Kurani:

Ajeti i Kuranit: “Nuk do ta arrini bamirësinë përderisa nuk e shpenzoni atë që e doni” (Ali Imran 92). Ky ajet aludon se shpenzimi i të dashurës është arritje e bamirësisë dhe hyrje në përkujdesinë e Tij ndërsa vakëfi është nga shpenzimet më të dobishme dhe më të shtrenjta. Ai duhet të jetë i pari që do hynte në kuptimin e këtij ajeti, me argumentin se kur Ebu Talha Ensariu e dëgjoi atë ajet, nxitoi të lejë vakëf pasurinë më të dashur që pati. Në Dy Sahihët shënohet hadithi nga Enes b. Maliku, radijallahu anhu, i cili tha: “Ebu Talha ishte më pasaniku i medinelive për palma të hurmave, nga to, pjesa më e dashur për të ishte kopshti Bejruha, që ndodhej nga kibla e xhamisë. Në atë kopsht hynte Muhamedi, alejhi salatu ue selam, dhe pinte nga uji i mirë i tij. Kur zbriti ajeti “Nuk do ta arrini bamirësinë përderisa nuk e shpenzoni atë që e doni” u ngrit Ebu Talha drejt Resulullahut, alejhi salatu ue selam, dhe tha: “Pasuria më e dashur për mua është ajo në Bejruha, pra, atë po e jap për hir të Allahut, shpresoj bamirësinë dhe fitimin tek Allahu, kështu që vendos për të o i Dërguar i Allahut siç të ka mësuar Allahu. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Oh! Ajo është një pasuri e shtrenjtë, vërtetë një pasuri e shtrenjtë. Të dëgjova se çfarë the, unë mendoj se duhet t’ia lësh të afërmve tu”. Ebu Talha tha: “Ashtu po e bëj” dhe ia ndau kopshtin të afërmve dhe kushërinjve.[1]

Nga Suneti:

  1. Në Dy Sahihët shënohet hadithi i Abdullah b. Omerit, radijallahu anhuma, i cili tha: Omeri fitoi një tokë në Hajber dhe erdhi të këshillohet lidhur me të me Profetin, alejhi salatu ue selam; i tha: O Resulullah, unë kam fituar një tokë në Hajber, kurrë më parë s’kam fituar ndonjë pasuri më të çmuar, çka më thua ti?

“Po deshe, mund ta ndalosh thelbin e saj dhe ta lësh për sadaka” – i tha Profeti. Ashtu që Omeri e la sadaka, që thelbi i saj të mos shitet, as të trashëgohet dhe as të dhurohet; e la që nga ajo të përfitojnë të varfrit, të afërmit, të robëruarit, udhëtarët, mysafirët dhe gjithçka që është në rrugë të Allahut; nuk është problem që kujdestari i saj të hajë nga ajo aq sa ka nevojë ose ta ushqejë dikë tjetër, por pa përfituar prej tij.[2]

  1. Në Sahihun e Muslimit shënohet hadithi nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, se Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kur njeriu vdesë i ndërpriten edhe punët, përveç nga tre rrugë: sadakaja rrjedhëse, dituria nga e cila ka dobi ose fëmija i mirë që lutet për të”.[3]

Sadakaja rrjedhëse që u përmend në këtë hadith kuptohet të jetë vakëfi. Imam Neveviu ka thënë: “Dijetarët kanë thënë: Kuptimi i hadithit është se vepra e të vdekurit ndërpritet me vdekjen e tij dhe kështu ndërpriten shpërblimet për të, përveç në këto tri gjëra, sepse ai vet qe shkak për ato: fëmija i mirë është rezultat i punës së tij, po ashtu dituria që ka lënë mbrapa nga arsimi apo shkrimi i tij si dhe sadakaja rrjedhëse, e që është vakëfi. Këtu kemi argument të qartë për çështjen e vakëfit dhe shpërblimin e madh të tij.[4]

  1. Në Sahihun e Buhariut shënohet hadithi i Amër b. El-Harith, radijallahu anhu, i cili tha: “Kur vdiq Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk pati lënë asnjë dërhem, as dinar, as rob, as robëreshë dhe asgjë përveç mushkën e tij të bardhë, armën e tij dhe një tokë për sadaka”.[5]

Ixhmaja:

Ibën Kudame, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Xhabiri ka thënë: Nuk pati shok të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, që kishte mundësi, përveçse la diçka vakëf”. Ky është një ixhmaë prej tyre, pasi çdonjëri që pati mundësi të lejë vakëf, la; kjo u bë e njohur dhe askush nuk e qortoi, prandaj themi se ishte ixhmaë”.[6]

VLERA E VAKËFIT

Vakëfi ka shumë të mira e që i kthehen vakëflënësit në këtë botë dhe tjetrën, nëse ka qenë i sinqertë në to dhe me to ka shpresuar çfarë ka tek Allahu. Nga të mirat e vakëfit janë:

  1. E mira dhe shpërblimi vazhdon në këtë botë dhe tjetrën:

Në Sunenin e Ibën Maxhes shënohet hadithi i Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nga punët dhe shpërblimet që i vijnë pas besimtarit edhe pas vdekjes janë dituria që i ka dhënë dikujt dhe që e ka shpërndarë, fëmija i mirë të cilin e ka lënë pas, mus’hafi të cilin e ka dhuruar, xhamia të cilën e ka ndërtuar, shtëpia për udhëtarin që e ka ndërtuar, lumi të cilit ia hapi shtratin apo sadakaja të cilën e ka dhënë nga pasuria e tij duke qenë gjallë e shëndoshë, krejt këto e ndjekin edhe pas vdekjes”.[7]

  1. E mira e tij rëndon peshoren e muslimanit në ditën e Kiametit:

Në Sahihun e Buhariut shënohet hadithi i Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush le një kalë në rrugë të Allahut duke besuar Allahun dhe duke vërtetuar premtimin e Tij, vërtetë haja që han, uji që pi, bajga dhe urina e atij kali do jenë në peshoren e tij në ditën e Kiametit”.[8]

  1. Vakëfi është shkak për shërim nga sëmundjet me lejen e Allahut:

Në hadith qëndron: “Mjekoni të sëmurit tuaj me sadaka”,[9] ndërsa dihet se vakëfi është nga sadakatë më të vlefshme dhe me pozitë më të lartë.

Në librin Shuabul Iman të Bejhekiut shënohet hadithi i Alij b. Hasen b. Shekik që thotë: E kam dëgjuar Ibën Mubarekun gjersa pyetej nga një njeri: O imam, kam një plagë qelbi në gjurin tim qe shtatë vite dhe e kam mjekuar me lloj-lloj ilaçe, kam pyetur mjek pas mjeku, por s’ka derman?

I tha: Gjej ndonjë vend ku njerëzit kanë nevojë për ujë dhe hape për ta një pus, sepse unë shpresoj se uji që do të del atje, do ta ndalë gjakun tënd. Ashtu njeriu veproi dhe u shërua.[10]

Pasi shënoi këtë ngjarje, imam Bejhekiu tha: E ngjashme me këtë është ndodhia e sëmundjes së mësuesit tonë Hakimit Ebu Abdullahut, Allahu e mëshiroftë; ai pati një plagë në fytyrë të cilën e kuroi me barna të llojllojshme por nuk pati dobi, sa që i zgjati afër një viti… atëherë, i kërkoi imamit Ebu Othman es-Sabuni që të lutet për të gjatë hutbes dhe ai u lut, njerëzit me të madhe thoshin amin. Në xhumanë tjetër erdhi një prej grave aty dhe tregoi se si është kthyer në shtëpi dhe ka bërë shumë lutje për Hakimin atë natë, dhe pastaj ka parë në ëndërr Profetin, alejhi salatu ue selam, sikur po i thoshte asaj: Thoni Hakimit që t’i jep ujë muslimanëve! I tregova lajmin Hakimit dhe ai urdhëroi që të ngrihet një çezme në derë të shtëpisë, pastaj e mbushi atë me ujë të pijshëm dhe filluan njerëzit të pijnë nga ai ujë. Nuk kaloi asnjë javë derisa u paraqitën shenjat e shërimit, iu zhduk plaga ndërsa fytyra iu bë nga më të bukurat. Pas kësaj jetoi edhe shumë vite.

Kjo ishte një ngjarje e vërtetë që na e përcolli Bejhekiu direkt nga mësuesi i tij, ku vërejtëm edhe një ëndërr të çuditshme.

  1. Vakëfi është sadakaja më e mirë për të vdekurin:

Në Sunenin e Ebu Davudit shënohet hadithi i Sad b. Ubade, radijallahu anhu, se kishte thënë: O i Dërguar i Allahut, nëna ime ka vdekur, cila do ishte sadakaja më e mirë për të? Tha: “Uji”. Atëherë Sadi hapi një pus dhe tha: Kjo është për nënën time.[11]

  1. Vakëfi është freski për ty në ditën e Kiametit:

Ukbe b. Amir, radijallahu anhu, thotë: E kam dëgjuar Resulullahun, sal’lallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Çdokush do të jetë nën hijen e sadakasë së tij derisa të kryhet gjykimi mes njerëzve”.[12]

  1. Vakëfi është mbulesa jote nga Zjarri:

Në Sahihun e Buhariut shënohet hadithi i Adij b.  Hatimit, radijallahu anhu, i cili thotë: E kam dëgjuar Resulullahun, sal’lallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Ruajuni nga Zjarri, qoftë edhe me gjysmë hurme!”[13]

Medito pra se si sadakaja – ndërsa vakëfi është një nga llojet e saj – qenka rrugë drejt të mirës së kësaj bote dhe tjetrës.

 

LLOJET E VAKËFIT

Në bazë të asaj se për kë lihet vakëfi, ai ndahet në tre lloj:

Një: Vakëfi familjar:

Ky lihet për të afërmit dhe farefisin. Në Dy Sahihët shënohet se Resulullahu, sal’lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush dëshiron që t’i shtohet pasuria dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore”[14]. Pra, nëse mbajtja sporadike e lidhjeve farefisnore qenka shkak për shtimin e jetës dhe të pasurisë, atëherë si duhet të jetë vakëfi i përhershëm për ta!

Dy: Vakëfi bamirës:

Ai është çdo vakëf që lihet për tu bërë mirë të tjerëve përveç të afërmve dhe farefisit.

Tre: Vakëfi i përgjithshëm:

Ai është vakëfi që përfshin vakëfin familjar dhe atë bamirës, e kjo, duke caktuar vakëflënësi një pjesë të dobive për të afërmit dhe familjen kurse pjesën tjetër për bamirësi të përgjithshme.

HAPAT PROCEDURALË PËR TA REGJISTRUAR VAKËFIN:

Autoriteti kompetent për ta regjistruar vakëfin është Gjykata e Përgjithshme “Departamenti Përfundues”[15] por lejohet të regjistrohet edhe pa atë autoritet qeveritar duke nënshkruar vakëflënësi një dokument të vakëfnames në prani të dy dëshmitarëve, por më e mira është regjistrimi në gjykatë, për shkak të garancisë së vazhdueshmërisë dhe dobisë. Ashtu, më qartë ndërpret konfliktet dhe mospajtimet eventuale, si dhe, aty bën konsullta me njerëz të dijshëm dhe me përvojë lidhur me dispozitat, rregullat dhe format e vakëfit.

Çka kërkohet gjatë regjistrimit:

  1. Prania e vakëflënësit te Gjykata e Përgjithshme duke pasur me vete dokumentin identifikues.
  2. Sjellja e Letërpronësisë të gjësë që dëshiron ta lë vakëf.
  3. Shkuarja te gjykatësi për ta regjistruar vakëfin.
  4. Prania e dy dëshmitarëve me dokument identifikues.
  5. Sqarimi se ku do të derdhen dobitë e vakëfit, kush do të përkujdeset për të, sa do të paguhet ai dhe si do të zgjedhet kujdestari pas tij.[16]

Si të lësh vakëf një patundshmëri?

  1. Radhiti pasuritë tua sipas pozitës dhe vlerës.
  2. Zgjedh më të shtrenjtën dhe më të dashurën për ty, siç ka thënë Allahu: “Nuk do ta arrini bamirësinë përderisa nuk e shpenzoni atë që e doni” (Ali Imran 92).
  3. Kushtëzo që të përfitosh edhe ti nga të mirat e saj derisa je gjallë, nëse do.
  4. Kujdestari i vakëfit le të jetë njeri i vendosur, besnik, i drejtë dhe i gjindshëm.
  5. Bëj që një pjesë e përfitimit nga vakëfi të jetë profitabil në të mirën e vet vakëfit.
  6. Përgjithëso dobinë nga vakëfi, zgjedh këtë shprehje: “dobitë e këtij vakëfi le të derdhen në çdo punë të mirë”.
  7. Dije se nga shkaqet e jetëgjatësisë së vakëfit është dhënia rëndësi tekstit në vakëfname.
  8. Për t’ia qëlluar mirë, këshillohu me njerëz me përvojë dhe specialistë.
  9. Për t’ia qëlluar mirë, kërko hairin nga Allahu me namaz istihare.
  • Lute Allahun që ta pranojë këtë prej teje: “Vërtetë Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve” (Maide 27.

Solli në shqip: Omer Berisha

[1] Buhariu nr. 1461 dhe Muslimi nr. 998. Aty ka argument gjithashtu se vakëfi për të afërmit është më parësor sesa për të tjerët.

[2] Buhariu nr. 2737 dhe Muslimi nr. 1632

[3] Muslimi nr. 1631

[4] Komenti i Neveviut për Muslimin (11/85)

[5] Buhariu nr. 2739

[6] El-Mugni (6/4). Edhe pse thënia e Xhabirit, radijallahu anhu, është shënuar nga el-Hassaf në Ahkamul Eukaf fq. 6 por me zinxhir të dobët, ngase në të gjendet el-Uakidi.

[7] Ibën Maxhe nr. 242. Albani e vlerësoi me gradën hasen në librin Sahihul Xhamië nr. 2231.

[8] Buhariu nr. 2853

[9] Taberani në ed-Dua (1/32-35), në Tarihul Kebir (10/128) dhe në Tarihul Eusat (2/274).

[10] Bejhekiu në Shuabul Iman nr. 3109

[11] Ebu Davudi nr. 1681. Albani e vlerësoi me gradën sahih në librin Sahih Ebu Davud nr. 1476.

[12] Shënon Ibën Hibbani nr. 3310. Albani e vlerësoi me gradën sahih në librin et-Ta’likatul hisan ala Sahih Ibni Hibban nr. 3299.

[13] Buhariu nr. 1417

[14] Buhariu nr. 5986 dhe Muslimi nr. 2557

[15] Bëhet fjalë për shtete ku funksionon kjo e drejtë. (sh.p)

[16] Kjo në vendet tona mund të bëhet te Bashkësitë Islame ose nëpër Noterë nëse nuk ka Bashkësi Islame (sh.p)