Qëllimi kryesor në këtë jetë është njohja dhe adhurimi i Krijuesit tonë.

Këtë na e ka theksuar Allahu i madhërishëm në Kuranin Famëlartë, me fjalët:

{وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ} [الذاريات: 56]

“Për asgjë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit përveçse të më adhurojnë”.
Ky është synimi i parë dhe i fundit. Kur e arrijmë atë, atëherë gjithçka tjetër është e lehtë të mbërrihet ose e lehtë të durohet mosarritja e saj.
Për sa i përket synimeve tjera themi:
Ne që po jetojmë këtu në Austri apo në Evropë në përgjithësi, çdoherë duhet të jemi syçelë për situatat me të cilat bashkëjetojmë. Nëse para disa dekadave erdhën prindërit e shumëkujt me qëllim të caktuar dhe shumë të qartë, pra, që të bënin çfarëdo pune që do tu siguronte një pagë të kënaqshme, të cilën do ta kursenin maksimalisht për ta mbajtur familjen në atdhe ose për ta përmirësuar dhe lehtësuar jetën sa më shumë në atdhe.
Krejt kjo, duke ëndërruar që një ditë të kthehen atje ku guri më së shumti peshon.

Për këtë qëllim ata duruan të jetojnë pa familje, të flenë në kushte të rënda, të ushqehen me ushqim të pashëndetshëm dhe të humbin krenarinë që kanë pasur në vendlindje.

Ky sakrifikim i tyre duhet uruar, sepse për të mbërritur një sukses gjithsesi duhet investuar shumë dhe seriozisht.

Asnjëri s’ka pse të turpërohet nga lloji i punës që ka bërë. Musai, alejhi selam, kur iku nga Egjipti nga frika e padrejtësisë së Faraonit dhe mbërriu në vendbanimet e Medjenit filloi me punë vullnetare. Vërtetë ishte rritur në pallat mbretëror dhe në jetë luksoze, porse realiteti i ri i impononte një sjellje krejtësisht tjetër. Këtë na e përcjellë Allahu i madhërishëm me fjalët:

{وَلَمَّا وَرَدَ مَاء مَدْيَنَ وَجَدَ عَلَيْهِ أُمَّةً مِّنَ النَّاسِ يَسْقُونَ وَوَجَدَ مِن دُونِهِمُ امْرَأتَيْنِ تَذُودَانِ قَالَ مَا خَطْبُكُمَا قَالَتَا لاَ نَسْقِي حَتَّى يُصْدِرَ الرِّعَاء وَأَبُونَا شَيْخٌ كَبِيرٌ * فَسَقَى لَهُمَا ثُمَّ تَوَلَّى إِلَى الظِّلِّ فَقَالَ رَبِّ إِنِّي لِمَا أَنزَلْتَ إِلَيَّ مِنْ خَيْرٍ فَقِيرٌ} [القصص: 23 – 24]

“E kur arriti te uji i Medjenit, aty gjeti një grumbull njerëzish që i jepnin ujë bagëtive, ndërsa afër tyre gjeti dy gra që i ndalnin bagëtitë e tyre dhe i pyeti: Ç’është me ju? Ato thanë: Ne nuk mund t’i japim ujë bagëtisë derisa të largohen barinjtë, kurse babai jonë është shumë plak. Atëherë, ai u dha ujë kafshëve të tyre dhe pastaj u largua ndër hije dhe u lut: O Zot, çfarëdo të mire që më jep unë kam nevojë për të”

Kjo punë e tij u shpërblye shumë shpejt qysh në dynja: gjeti nuse dhe gjeti punë me marrëveshje tetëvjeçare.

Po ashtu, Jusufi alejhi selam, i cili pati një familje të madhe dhe një baba pejgamber – pas tradhëtisë së vëllezërve – u detyrua të punojë si shërbëtor në një familje mbretërore.

Fillimet çdoherë janë të zorshme dhe vetëm me durim, modesti, fleksibilitet dhe lëshim peri njeriu mund t’i tejkalojë ato periudha, normalisht duke mos rrezikuar nderin dhe fenë e vet.

Ashtu ishte fillimi, por sot është ndryshe. Shumë prej tyre e arritën qëllimin e parë “pasurinë” por jo edhe qëllimin e dytë “kthimin në vendlindje”.
Shumë vëllezër dëshmojnë se krejt pa plan i morën familjet dhe fëmijët drejt tokës që më herët e quanin gurbet i zi. Ka të atillë që përveç fëmijëve të tyre, këtu iu lindën edhe nipat dhe mbesat e tyre.
Sot shumëkush kërkon dhe përpiqet t’i rregullojë punët si është më së miri, sepse realisht jeta jonë këtu po harxhohet dhe si duket këtu po përfundon.

Sinqerisht, ky është një ndryshim qenësor në realitetin tonë, por megjithatë nuk është kuptuar sa duhet edhe qartësimi i synimeve dmth rishikimi i planeve tona.
Ende shumëkush ka synimin kryesor tubimin sa më shumë para dhe bërjen e një pushimi luksoz në vendlindje.

Unë kujtoj veten edhe juve që synimet tona duhet përqendruar në këto pika, të cilat nuk janë të vetmet:

Një: Mësimin e gjuhës gjermane. Njeriu që e do Fenë dhe përparimin, ai nuk mund të durojë pa e mësuar gjuhën e popullit me të cilin jeton. Integrimi dhe bashkëjetesa bëhen të pamundura pa e njohur gjuhën e tyre. Shpjegimi dhe mbrojtja e parimeve islame nuk ka mundësi të mirëkuptohen nëse ne nuk dimë t’i shprehim. Njohja dhe ballafaqimi me planet dashakeqe që planifikohen as që mund të paramendohen.

I Dërguari, alejhi salatu ue selam, jetonte në Medinë por e kishte doemos të ketë raporte të caktuara me çifutët, andaj e urdhëroi Zejd ibën Thabitin, radijallahu anhu, që ta mësojë gjuhën hebraike. Zejdi na rrëfen: “Më urdhëroi i Dërguari i Allahut, sal’lallahu alejhi ue selem, që ta mësoj shkrimin e çifutëve sepse më tha: ‘Nuk u besoj atyre në letrat që i këmbejmë’ prandaj shkova dhe nuk kaloi as gjysmë muaji, e unë e përvetësova atë gjuhë, mundja të shkruaj çfarë duhej dhe të lexoj çfarë më kërkohej” (Shënojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Bejhekiu).

Dy: Arsimi. Çdo prind duhet ta dijë se ia ka borxh fëmijës së tij, t’ia mundësojë shkollimin e duhur me krejt mundësinë që ka.
Çdo prind duhet të heqë dorë nga ajo ëndërr e vogël: Le të rritet fëmija im, le të bëhet i fortë dhe le t’më sjellë sa më shumë para në shtëpi.
Prindi duhet të sheh ëndrra të mëdha dhe të vërteta dhe të punojë në realizimin e tyre. Le ta sheh fëmijën e tij se në të ardhmen do të jetë një mësues, një studiues, një nëpunës zyrtar, një deputet apo një kryetar komune.

Tre: Puna. S’ka dyshim se fitimi nga puna fizike është një gjë e lëvduar dhe hallall. I Dërguari, sal’lallahu alejhi ue selem, ka thënë:

ما أَكَلَ أَحَدٌ طعامًا قطُّ ، خيرًا من أن يأكلَ من عملِ يدِه ، وإنَّ نبيَّ اللهِ داودَ عليهِ السلامُ كان يأكلُ من عملِ يدِه

“Kurrë njeriu s’ka hëngër ushqim më të mirë sesa ushqimin që e ka fituar me punën e dorës. Edhe pejgamberi i Allahut, Davudi hante nga puna e dorës së vet”.

Por, mos u kënaqni thjesht nëse gjeni një punë. Gjeni dhe hulumtoni shanse për të bërë biznese të suksesshme, qofshin të mëdha apo të vogla, e hiquni pretendimeve të vjetëruara, si “puna e shtetit është më e sigurtë”.

Katër: Islami. Kjo Fe me të cilën na ka begatuar Allahu, duhet ta kuptojmë seriozisht se detyra e përhapjes, mirëmbajtjes dhe përfaqësimit të drejtë të saj është mbi supet tona dhe të askujt tjetër.
Për këtë qëllim duhet të vetëdijesohen që të gjithë: pleqtë e plakat, të rinjtë e të rejat, burrat dhe gratë si dhe djemtë dhe vajzat.
Këtë Fe duhet ta duam, ta mësojmë ashtu siç Allahu e zbriti te njerëzit më të mirë që kanë jetuar ndonjëherë dhe ta përkrahim atë financiarisht, sepse çdo ngecje apo prapambetje e davetit është një përgjegjësi e jona përpara Allahut.
Xhamitë nuk janë si firmat që shpërndajnë dhe ta sjellin rrymën, ujin apo nxemjen te shtëpia, me të cilat duhet të lidhësh një marrëveshje mujore prej disa eurosh dhe me aq e lan detyrimin. Me xhamitë duhet të kesh aso marrëveshje, ku çdoherë je syçelë për nevojat e saja dhe vazhdimisht i gatshëm për të dhënë kontributin që ke mundësi. Allahu ka thënë:

فاتقوا الله ما استطعتم

“Kini frikë Allahun aq sa keni mundësi”

(hutbe e mbajtur më 05.12.2014 në xhaminë Bujaria – Linz)